Shqipëria nuk përfiton nga taksa e Kosovëa 100 për qind për Serbinë

09:49 | 25 Nëntor 2019
Arbresh.info

Për 10 muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës produkte me vlerë prej rreth 204 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet u zgjeruan me gati 13 për qind. Por, pas një nisjeje të mirë në muajt e parë të vitit, ritmi i tyre u ngadalësua ndjeshëm në vijim.

Tregu i lënë bosh nga Serbia, pasi Kosova vuri taksë 100 për qind për produktet e saj, duket se nuk është arritur të shfrytëzohet nga prodhuesit shqiptarë, teksa eksportet në 2019-ën u rritën shumë më pak se dy vitet e mëparshme, kur ndryshimi vjetor në 2017 dhe 2018 për të njëjtën periudhë ishte përkatësisht 30 dhe 27 për qind, sipas të dhënave të INSTAT

Produkti më i eksportuar në Kosovë është giza dhe çeliku, me 38 për qind të totalit.

Arif Shkalla, drejtor finance i Kurum, thotë se ata përfituan nga bllokimi i tregtisë me Bosnjën pasi konkurrenti kryesor i tyre ishte Arcelor Mittal.

Gjithsesi, ndonëse në sasi është eksportuar më shumë, kompania është penalizuar nga rënia e çmimit të metaleve, duke bërë që rritja me bazë vjetore për 10 mujorin të jetë zero.

Grupi i dytë është ai i lëndëve djegëse me 13 për qind të totalit. Për periudhën janar-tetor të këtij viti, eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 7.6 për qind, që ka ardhur nga rritja e shpejtë në muajt e parë të vitit, por me pas me bllokimin e aktivitetit të rafinerisë së ARMO, tendenca u ngadalësua ndjeshëm.

Grupin e tretë e përbëjnë produktet e gëlqeres dhe çimentos, që përbëjnë 9 për qind të totalit, me një rritje prej gati 10 për qind me bazë vjetore.

Eksportet e frutave, pijeve alkoolike kanë shënuar një rritje të lartë dyshifrore prej rreth 30 për qind, por ato mbeten të ulëta, duke përbërë vetëm 3 për qind të totalit të eksporteve drejt Kosovës.

Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pak. Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnja e Hercegovina, 2 milionë euro. Në Dogana shprehen se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Evropian.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të Kosovës tregojnë se Gjermania ka kaluar në partnerin kryesor të Kosovës për importet, e ndjekur nga Italia. Në tetor, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (28) ishin rreth 160.3 milionë euro ose 50.9 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.9 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 13 për qind, Italia me 10.6 për qind, Greqia me 3.7 për qind, Bullgaria me 3.6 për qind, Sllovenia me 3.1 për qind, etj.

Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2019, arritën në 45 milionë euro ose 14.3 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 47.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Maqedonia me 6.9 për qind, Shqipëria me 6.3 për qind dhe Serbia me 0.1 për qind. /Monitor/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme