Google ADS

Brenda Muzeut të Jasharajve, “nobelistëve” të lirisë së Kosovës

11:05 | 24 Nëntor 2019
A Z

“Erdhi koha me i kallxu serbit si vdesin burrat për atdhe”…

Ishin këto fjalët e fundit të komandantit legjendar Adem Jashari, që i tha kur atij dhe familjes së tij iu propozua të ikte nga vendlindja  pasi që forcat serbe ishin në përgatitje të një sulmi në shtëpinë e Jasharajve në mars të vitit 1998.

Ngjarje kjo e cila nuk ishte thjeshtë një vrasje…

Masakra e ushtrisë serbe ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij është epopeja më lavdishme e luftës çlirimtare të Kosovës ndaj pushtimit serb.

Atë 5 mars të vitit 1998, historisë së lashtë shqiptare, iu shtuan heronj të ri, që një vit pas Kosovës ia dhanë lirinë.

Kulla e Jasharajve, edhe pse në prag të shembjes ka mbetur në mëshirën e politikës, sot e asaj dite tërheqë numër të madh të vizitorëve që interesohen dhe madje shëtisin në gërmadhat gati të rrëzuara në kërkim të kujtimit dhe nderimit të sakrificës për liri.

Pranë këtij objekti, që nga viti 2015 ndodhet edhe muzeu i cili përmban kujtimet e mbetura nga familja e Jasharajve.

Shamia e nënës Zahide, Armët e Adem, Hamëz dhe Rifat Jasharit, veshmbathjet e fëmijëve të tyre madje edhe pjatat e ushqimit ekspozohen për ata duan të mësojnë më shumë për këtë sakrificë.

Cicëroni i këtij muzeu Xhevat Imeri,  thotë se interesimi për ta vizituar këtë muze nuk është vetëm nga shqiptarët por nga e gjithë bota.

“Në këtë muze që funksionon prej vitit 2015 ka dikund rreth 50  rreth 50 eksponate si armatimi, veshmbathja, ushqimi etj, por prioritet janë fotografitë që tregojnë atë kohë”.

Interesimi është jashtëzakonisht i madh jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të gjithë turistët nga mbarë bota. Që nga pas lufta llogaritet që këtë vend e kanë vizituar 13 milionë vizitorë.

Imeri për arbresh.info prezanton anëtarët e familjes Jashari.

“Në kuadër të muzeut është rangu i familjes ku marrin pjesë  breza e 5-të e familjes Jashari pra brezi i Shaban dhe Zahide Jasharit (prindërit e Adem Jasharit) që kanë pasur 8 fëmijë (5 vajza dhe 3 djem). Në realitet kanë pasur 14 fëmijë por Shabanit dhe Zahidës iu kanë rritur vetëm 8. Djali i madh ka qenë Rifati, I cili jetonte në Gjermani ku fëmijët edhe gruan e ka pasur këtu dhe në sulmin e fundit i vriten 3 djem. Pjesa me të kuqe janë antarët e rënë të kësaj familje, ndërsa pjesa me të bardhë janë ata që kanë arritur të mbijetojnë”.

Cicëroni Imeri, duke thënë se familja Jashari ka qenë e pasur me bagëti dhe bujqësi, prezanton veglat e punës së tyre.

“Në kuadër të këtyre eksponateve, këtu mund të shihni edhe mjetet e punimit të tokës të familjes Jashari pasi që ata kanë qenë të pasur me toka dhe bagëti. Ne këto vegla ka punuar tokën familja Jashari”.

Imeri më tutje rrëfen historinë e rezistencës së Hamit dhe Salë Jasharit.

“Duhet ta cekim rezistencën e Hamit dhe Salë Jashari. Në atë familje kanë rezistuar tre vëllezër Qerimi, Sadiku dhe Hamiti. Kjo është pushka me të cilën ka rezistuar Hamiti, është një tepsi me të cilën nëna Sallë ka shërbyer në atë kohë, vathët, krëhëri i saj. Ka qenë një familje 30 anëtaresh,  për çdo racion është shtruar nga tre sofra bukë  duke e llogaritur në mesin e tyre 1 burrë një grua dhe fëmijët e tyre”.

Në këtë  muze mund të shihni edhe panelin e e shtypit të asaj kohe të cilët tregonin në lidhje me atë që po ndodhte në Kosovë.

“Këtu mund të shihni panelin me fotografi të shtypit të asaj kohe, deklaratat e burrështetasve të ndryshëm që kanë dhënë informacione të ndryshme”, tha Imeri.

E në muze vëmendje të madhe tërheqin edhe lodrat dhe veshmbathjet e fëmijëve të familjes Jashari.

“Kjo është një lodër e fëmijëve që i takon Blerimit, Djali i Zenë Jasharit i cili ishte fëmija më i vogli qe u vra gjatë asaj periudhe së bashku me nënën e tij Bahtinë dhe dy vëllezërit. Ky është zingjiri i nënës së Blerimit, Bahtisë të cilët janë marrë nga skeleti i saj. Këtu mund të shini vetëm disa nga veshmbathjet e fëmijëve ë familjes Jashari. Për kundër se kanë qenë të pa force,  serbeve iu deshën tre ditë për të arritur qëllimin. Ti rezistosh këtij armatimi të madh është vetëm nga vullneti dhe dashuria që ke për atdhe”.

Xhevat Imeri, duke e rrëfyer sakrificën e Jasharajve, tha se lufta e tyre nuk ka qenë vetëm luftë fizike.

“Sa kanë pasur luftë fizike, familja Jashari ka pasur edhe luftë psikike sepse për shtatë vite. Në kohëra të rrezikshme familja ka kaluar në strehimoren Bunkeri, shtatë vite familja Jashari ka fjetur vetëm me rroba”.

Ai më tutje rrëfeu edhe historinë e Besartës, e cila është njëra nga të mbijetuarit e rrallë.

Në ketë pjesë kane qenë të vendosur 14 anëtarë ku ka arritur të mbijetojë vetëm Besarta.

Vëllezërit Jashari ishin edhe adhurues të fortë të motoçikletave

Ky është motori i cili ishte pasion i Rifatit, Ademit dhe Hamzës. Kjo është saja që është përdore nga fëmijët e familjes Jashari.  Familja Jashari, si një familje tipike drenicas, e adhuronte çajin.

“Këtu mund të shihni pushkën e Rifat Jasharit. dhe veçantia e saj është se është ndërtuar nga vet Hamëz Jashari”.

Nga ana tjetër ai rrëfen edhe historinë e Hamëz Jasharit duke treguar punimet artizanale të tij

Ai në fund tregon Panelin e familjes Jashari duke numëruar 59 të vrarë.

Pranë kullës së Jasharajve, ndodhet edhe një Bunker, e cila ka një histori në vete.

Ky vend i cili ndodhet rreth 1 kilometër larg kullës, tashmë është  i shembur dhe dikur i shërbente familjes për tu strehuar nga forcat serbe.

Imeri, fjalët e tij i përfundon me një fjalë të cilën e ka thënë ish-shefi i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, gjatë një vizite në këtë kullë.

“Dua ta përfundoj me fjalët e Bernard Kouchnerit, i cili kur e ka vizituar këtë vend ka thënë se ‘Po të kishte çmim Nobel për liri, atë do ta merrte familja Jashari”. /A.Begolli/arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1777836805683893/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme