Kur EULEX-i donte ta dënonte dikë, pavarësisht mungesës së provave, përzgjedhte prokurorin dhe gjyqtarët që zbatonin urdhra politikë. Rast i tillë është ai i grupit të “Drenicës”.
Në pjesën e dytë të shkrimit për keqpërdorimin e drejtësisë nga EULEX-i, Insajderi sjell detaje se si ishte orkestruar gjykimi.
Në këtë gjykim kishte edhe afera seksuale mes dy gjyqtarëve ndërkombëtarë. Kryetari i trupit gjykues, polaku Darius Sielicki, të akuzuarit i quante kafshë dhe shprehte urrejtje për shqiptarët.
Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolmm Simons, ka bërë akuza të rënda për kolegët e tij gjyqtarë dhe menaxhmentin e misionit.
Në pjesën e dytë të shkrimit për aferat e korrupsionit, ndërhyrjet politike dhe kurdisjen e dënimeve të të akuzuarve, edhe në rastet kur nuk kishte prova, Simons, ka vënë në thumb ish-gjyqtarin, Dario Sielicki.
Sielicki, sipas tij ishte i përdheluri i menaxhmentit të EULEX-it për rastet e gjykimit të profilit të lartë si i dëgjueshëm për të shpallur dënime me urdhra politikë.
“Caktimi i gjyqtarëve në një lëndë u bë një betejë e rregullt me shefin e Misionit. Kur një çështje e profilit të lartë duhej të renditej për gjykim, do të më kërkohej të caktoja një gjyqtar ‘’simpatik’’ të çështjes”, shkruan Simons në padinë e tij dorëzuar në Gjykatën e Bashkimit Evropian në Londër. “Gjyqtari Sielicki ishte shpesh zgjedhje e preferuar dhe ekzistonte një perceptim i përgjithshëm që ai do të dënonte ose do të shkonte në favor të prokurorit”.
Simons thotë se në disa raste kishte kontaktuar me Jaroslava Novotna, shefe e Divizionit Ekzekutiv, e cila ishte e shqetësuar për qasjet që ajo kishte përjetuar nga gjyqtari Sielicki i cili po kërkonte udhëzime për atë që dëshironte Misioni përpara se të nxirrte një vendim gjyqësor.
“Pasi ai kishte nxjerrë një vendim që perceptohej të ishte ajo që priste misioni, gjyqtari Sielicki, do të telefononte Jaroslava Novotna për ta njoftuar atë. Kjo ndodhte zakonisht përpara se palët të ishin informuar për vendimin e ti”, shkruan në padi.
Simons, ka akuzuar direkt ish shefin e misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci për ndërhyrje në drejtësi.
“Meucci më tha që priste që unë të ndaja lëndët për gjyqtarët, tek të cilët misioni mund të kishte besim se do të shpallnin të dënuar”, pretendon ai në padi.
Simons, thotë në padi se edhe zëvendëshefi i EULEX-it, Bernd Thran, u bënte presion gjyqtarëve.
“Ai nuk e kuptonte konceptin e pavarësisë gjyqësore, shpesh duke pyetur ‘çfarë nuk shkoi mirë këtë herë?’ pasi një gjyqtar i EULEX-it kishte shpallur një vendim me të cilin nuk pajtohej. Në një rast, Jaroslava Novotna ishte e pranishme dhe e pyeti nëse ai e kishte lexuar aktvendimin për të cilin po ankohej. Në përgjigje të Bernd Thran deklaroi: ‘Nuk kam pse ta lexoj, e di se është gabim!’ Zyrtari im ligjor Kerry Moyes ishte gjithashtu i pranishëm në atë takim”, shkruan në padi në të cilën shpalos fakte të gjykimeve të ndikuara politikisht.
Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, shpalos fakte tjera tronditëse për funksionimin e misionit.
Pos presioneve dhe kërcënimeve me largim nga puna që u bëheshin gjyqtarëve të “padëgjueshëm”, menaxhmenti i Misionit, sipas Simons, akuzonte gjyqtarët e EULEX-it madje u akuzuan për korrupsion nëse kishin lëshuar vendime jo të favorshme për menaxhmentin e Misionit.
“Gjyqtarit Katrien Witteman dhe Anna Adamska u akuzuan për korrupsion nga një menaxher i lartë si përgjigje ndaj vendimeve që kishin marrë ato. Nuk kishte asnjë bazë për pretendimet, të cilat u bënë thjesht sepse pavarësia e gjyqtarëve nuk i pëlqeu menaxhmentit duke rezultuar në marrjen e vendimeve ndaj gjyqtarëve të cilët binin ndesh me perceptimin e menaxhimentit të Misionit për interesat politike të Misionit”, shkruan në padi.
Ai thotë se në presion ndodheshin edhe prokurorët për të ndjekur raste kundër të pandehurve me profil të lartë – edhe kur nuk kishte prova të mjaftueshme për të siguruar një dënim.
“Një prokuror amerikan më tha që prokurorët kishin qenë nën presion që të ndiqnin penalisht për arsye që ishin tërësisht politike. Ata që refuzuan u bënë persona non-grata dhe lëndët u morën prej tyre dhe iu dhanë prokurorëve që perceptoheshin si më të dëgjueshëm”, shkruan më tej në padi.
Simons, pretendon se kontratat e prokurorëve që nuk pranuan të nënshtrohen ndaj presionit të menaxhmentit të Misionit për të ndjekur penalisht çështje që haptazi shiheshin si politike nuk iu zgjatën kontratat.
“Unë personalisht jam përfshirë në dy raste të tilla. Në të dy rastet, dy anëtarët e tjerë të trupave gjykues ranë dakord paraprakisht se cilët prokurorë nuk do të zgjidheshin. Kur mbërrita për intervistë më thanë që ata nuk dëshirojnë të zgjedhin ata prokurorë. Pas kësaj, procesi është manipuluar dhe rezultatet me dhënien e pikëve janë përshtatur”, shkruan ai duke përmendur një prokurorë britanik që kishte pasur këtë fat, shkruan Insajderi.
Gjyqtari Simons, ka sqaruar rastet se pse ishte nën hetime pasi sipas tij shërbimi sekret polak i kishte thyer e-mailet private.
Hetimi i parë kishte të bënte me çështjen ‘Kleçka’, rast ky sipas Simonsit, ishte bazuar në provat e një dëshmitari i cili kishte një histori të sëmundjes psikike dhe i cili kishte vdekur para se të kryhej gjykimi.
Dëshmitë e dëshmitarit “X”, sipas tij, tij ishin në kundërshtim jo vetëm me provat e tij, por edhe nga provat e tjera, përfshirë provat mjeko-ligjore.
“Të pandehurit u liruan. Unë kam qenë kryetar i trupit gjykues në atë rast”, thotë ai. Për shkak të lirimit të Fatmir Limajt dhe të tjerëve nga akuza, Simons ishte vënë nën hetime.
Hetimi i dytë ishte për çështjen “Drenica”. Në këtë proces gjyqësor, Simons nuk ishte në panel gjyqësor, mirëpo, ai kishte arritur të zbulonte se si gjyqtari Dario Sielicki, kishte marrë në panel të dashurën e tij, Anna Adamska Gallant, në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërtimi i panelit në këtë mënyrë është cilësuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues dhe kësisoj, gjykimi dhe dënimi i të akuzuarve është i paligjshëm.
“Unë nuk e kam pasur atë rast, por në korrespondencën me email privat kisha shprehur shqetësimin për pikëpyetjen e një gjykimi të drejtë – veçanërisht mënyrën në të cilën trupi gjykues ishte zgjedhur”, shkruan ai në padi.
“Siç u parashtrua më lart, gjyqtari Sielicki ishte kryetari i trupit gjykues në këtë çështje dhe gjyqtarja Anna Adamska, me të cilën gjyqtari Sielicki deklaroi se ishte në lidhje e sipër dashurie, ishte caktuar si anëtare e trupit gjykues në një mënyrë që ngriti shqetësime dhe se gjyqtari Sielicki gjithashtu kishte qenë i angazhuar në komunikim ex parte me njërin nga mbrojtësit”, shkruan në padi.
Ai thekson faktin se gjyqtari Sielicki kishte bërë komente duke i quajtur të akuzuarit në grupin “Drenica”, kafshë që duheshin zbutur. Kjo, për Simonsin, paraqiste shqetësime serioze për paanshmërinë e gjyqtarit Sielicki.
Qysh para dy vjetësh, Malcomm Simons, kishte komunikuar me e-maile me eprorë të tij duke denoncuar shkeljet flagrante në rastin e “Grupit të Drenicës”.
Në këto e-maile thuhet se kryetarja e trupi gjykues në rastin “Drenica” të akuzuarve u është referuar si “kafshë”, derisa i ofendonte shqiptarët në përgjithësi.
Në këto komunikime ai i njofton shefat e tij se “EULEX-i është duke i ndjekur ish komandantët UÇK-së, BE-ja po punon shumë që të impresionojë Serbinë dhe të mbajë gjallë dialogun Prishtinë-Beograd. Shumica e rasteve ku janë duke u akuzuar krerët e UÇK-së janë duke u trajtuar keq”.
Simons tutje në intervistat e tij kishte thënë se “EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit.
“Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”.
Këto akuza të Simons, që nuk ishin të parat e as të fundit për korrupsion masiv në EULEX e kishin bërë këtë mision që të reagonte. “Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhej në reagimin e EULEX.
Mirëpo, të gjitha këto hetime janë mbyllur në favor të tij.
Hetimi i tretë dhe fundit kundër Simonsit, është iniciuar nga gjyqtarët Sielicki dhe Adamska. Shtatë muaj pas mbarimit të misionit,. Simons ishte njoftuar për këtë hetim më 11 qershor 2018.
Vijon: Detaje të keqpërdorimeve financiare në EULEX.
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...