Gjykata e shpalli fajtor, Komuna e Podujevës e kthen në punë zyrtarin që sulmoi kolegun e tij

08:11 | 22 Nëntor 2019
Arbresh.info

Është kthyer në vendin e tij të punës zyrtari, Sami Ajeti i cili vitin që lamë pas ka sulmuar fizikisht kolegun e tij.

Ajeti i cili mban pozitën e zyrtarit të Gjendjes Civile në administratën e Komunës së Podujevës ishte suspenduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, plotë 1 muaj, pas raportimit të arbresh.info për sulmin ndaj zyrtarit për aktvendime po në këtë komunë, Arianit Shaqirit.

Komuna atë kohë kishte tentuar ta mbaj brenda objektit rastin e  sulmit duke mos marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Ajetit.

E kthimin në vendin e tij të punës e kanë konfirmuar edhe zyrtarët komunal.

Nazmi Elezi, shef i Zyrës së Informimit në Komunën e Podujevës  ka thënë për arbresh.info se Ajeti është kthyer në të njëjtën pozitë, por në një fshat të komunës.

“Pas vendimit të gjykatës, sipas të cilit këtij zyrtari i është shqiptuar një dënim me kusht, i njëjti është kthyer në punë, por jo në zyrën kryesore të gjendjes civile në Podujevë, ku ishte duke punuar para se të ndodhte incidenti, por është dërguar në zyrën e gjendjes civile në një fshat të Komunës së Podujevës”, ka thënë Elezi.

Ai ka shtuar gjithashtu se Ajeti është kthyer në punë pas vendimit të Gjykatës Themelore.

“Zyrtari i Gjendjes Civile në administratën e Komunën e Podujevës, Sami Ajeti,  pasi një incidenti që ka pasur me një zyrtar komunal, ka qenë i pezulluar nga puna prej 24.12.2018 deri më 09.10.2019, derisa për këtë rast është zhvilluar proces gjyqësor, respektivisht derisa Gjykata Themelore ka nxjerr vendimin lidhur me këtë rast”, ka shkruar Elezi.

Ndryshe për këtë rast arbresh.info kishte raportuar në dhjetor të 2018-es disa ditë pasi kishte ndodhur.

Sami Ajeti kishte sulmuar fizikisht Shaqirin më 4 dhjetor ndërsa dyshohet se shkak i sulmit të këtë qenë një dokument zyrtar.

Rasti ishte paraqitur në Polici dhe i dyshuari e viktima kishin dhënë deklaratë. Komuna nuk kishte marrë asnjë vendim ndaj kësaj çështje.

Por, Ajeti atë kohë në një pornoncim dhënë për arbresh.info kishte bërë të ditur se ishte suspenduar nga komuna për një muaj.

“Ka ndodhë në afekt, nuk ka qenë konfrontim. Ka qenë për një dokument zyrtarë dhe jemi marrë vesh, nuk ka qenë sulm, ja kam gjuajt dokumentet hunëve. Jo nuk jam ndalu në Policinë e Kosovës. Në Komunën e Podujevës jam suspenduar për një muaj deri në vendimin e ardhshëm”, pati thënë Ajeti.

Por, zyrtarët komunal kishin mohuar të ketë ndodhur suspendimi. Edhe tri javë pas rastit ata kishin bërë të ditur se rasti ishte në procedurë.

“Deri tash nuk është ndërmarrë masë disiplinore ndaj ndonjërit nga zyrtarët e implikuar në incidentin fizik. Rasti është në procedurë dhe do të veprohet konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, kishte  thënë Nazmi Elezi.

Ndryshe Sami Ajeti gjatë kohës sa ishte i suspenduar kishte marrë 50% të pagës në bazë të vendimit që kishte marrë komuna.

Sami Ajeti u shpall fajtor nga Gjykata

Arbresh.info ka siguruar edhe vendimin e Gjykatës në të cilin thuhet se Ajeti është shpallur fajtor në maj të 2019-ws.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka shpallur fajtor Sami Ajeti  sepse me datë 04.12.2018 rreth orës 13:30 në objektin e Kuvendit komunal në Podujevë derisa i pandehur ka shkruar tek i dëmtuari Arjanit Shaqiri dhe i ka kërkuar t’i rregulloi një dokument një të afërmi pa praninë e palës.

Ai ka filluar ta sulmoj fizikisht duke e goditur 2 herë në pjesën e jashtme të dorës, në pjesën e djathtë tek veshi si dhe duke i’a gjuajtur dokumentet në fytyrë të dëmtuarit Arjanit Shaqiri.

I akuzuari, Sami Ajeti i shqiptohet dënimi me burg të kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen vepër penale nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Në vendim thuhet gjithashtu se detyrohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës penale-paushalli të paguaj shumën prej 30 euro ndërsa në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 30 euro të gjitha brenda afatit prej 15 ditës nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme