Ministri i Punëve të Jashtme i Malajzisë, Saifuddin Abdullah, ka deklaruar se vendi i tij nuk e pranon vendimin e SHBA-ve në lidhje me vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur gjatë një konference për media në Moskë pas takimit me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, Abdullah tha se zgjidhja politike është mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.
“Malajzia kundërshton ndryshimin e qëndrimit amerikan. Ne besojmë se zgjidhja politike është mënyra më e mirë për të ecur para, që do të lejojë zgjidhjen e marrëdhënieve midis Palestinës dhe Izraelit dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, tha Abdullah.
Nga ana tjetër, ministri Lavrov rikonfirmoi qëndrimin e Rusisë për këtë çështje, duke theksuar se qëndrimi i SHBA-ve është në kundërshtim me të gjitha vendimet ekzistuese ndërkombëtare dhe se mund ta çojë në “rrugë qorre” zgjidhjen izraelito-palestineze.
“Ne do të bëjmë thirrje për respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të gjitha vendimeve që janë marrë deri më tani për këtë çështje”, tha ai.
SHBA të hënën vendosi që të ndryshojë qëndrimin në lidhje me vendbanimet izraelite të ndërtuara në Bregun Perëndimor, duke shkelur precedentin e vjetër mbi katër dekada dhe duke thënë se vendbanimet izraelite vetvetiu nuk do të shihen më si ilegale.
Ky veprim ka mundësi të shkaktojë irritim për zyrtarët palestinezë, të cilët kanë refuzuar një rol të SHBA-ve në çfarëdo bisedimi të ardhshëm për paqe me Izraelin pas vendimit të administratës së Trumpit të vitit 2017 për të njohur njëanshëm Kudsin si kryeqytet të Izraelit.
Administrata e Trumpit që atëherë ka mbyllur zyrën diplomatike të palestinezëve në Washington dhe ka zhvendosur ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Kuds.
Rreth 650 mijë hebrenj izraelitë aktualisht jetojnë në mbi 100 vendbanime të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Palestinezët i duan këto territore së bashku me Rripin e Gazës për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.
Ligji ndërkombëtar i sheh si territore të pushtuara Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor dhe të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve atje i konsideron të paligjshme.
Abdullah foli edhe për rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines MH17 në Ukrainë në vitin 2014, ku humbën jetën 298 personat në bord. Ai tha se vendi i tij do të insistojë në shpërndarjen e të gjitha detajeve të hetimit.
Ai shprehu keqardhje që Malajzia vonë iu bashkua hetimit dhe tha se vendi do të ekzaminojë të gjitha informacionet në lidhje me incidentin.
Lavrov, nga ana tjetër, protestoi kundër pjesëmarrjes së Ukrainës në hetim, pasi vendi është një nga “palët e interesuara”.
Fluturimi i nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur u rrëzua mbi rajonin e trazuar Donetsk në lindje të Ukrainës në vitin 2014.
Aktualisht, Ekipi i Përbashkët i Hetimit, që përfshin autoritetet nga Australia, Belgjika, Malajzia, Holanda dhe Ukraina, po punon për identifikimin e përgjegjësve për rrëzimin.
Duke folur për marrëdhëniet me Korenë e Veriut, kryediplomati i Malajzisë tha se vendi i tij do të rihapë ambasadën në Phenian vitin e ardhshëm “për të inkurajuar procesin e paqes”.
“Ne duam të demonstrojmë se jemi të përkushtuar për promovimin e procesit të paqes. Ne kemi vendosur të rihapim ambasadën në Korenë e Veriut vitin e ardhshëm”, tha Abdullah.
Lavrov tha se Rusia dhe Kina hartuan një iniciativë të re për promovimin e procesit të paqes në Gadishullin Korean, e cila së shpejti do të prezantohet në OKB.
Izraeli konfirmon sulmet në portet dhe infrastrukturën energ...
LDK sot mban Forumin e Rinisë
Kush janë imigrantët që mund t’i prekë plani i Trumpit...
Horoskopi ditor, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri