Nga: Bill Emmott
Përgjatë krizës së refugjatëve në Evropë, që ka dy vjet që vazhdon, paralajmërimet rreth kërcënimit të udhëtimit pa kufi në Zonën Shengen të Bashkimit Evropian janë përhapur. Në fakt, paralajmërimi u dëgjua edhe së fundmi, teksa ministrat evropianë ranë dakord për një marrëveshje një natë vonë mbi kontrollin kufitar dhe rilokalizimin e refugjatëve. Por në një kohë të besimit që po shuhet në BE, a do të ishte eliminimi i udhëtimit të kufirit të hapur një gjë kaq e keqe?
Thënë shkurt, jo. Sigurisht, ideja e kufijve të hapur në Evropë mbart rëndësi të madhe simbolike dhe bën thirrje. Por ndonjëherë edhe lopët e shenjta duhen therur. Me krizën e refugjatëve që po e kthen Shengenin një kërcënim për besueshmërinë te BE-ja si një entitet kolektiv dhe te aftësia e qeverive kombëtare për të ruajtur rregullin dhe rendin, kjo kohë është tani.
Kur u krijua fillimisht në vitin 1985, Zona Shengen përfshinte vetëm pesë shtete (Belgjikën, Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Gjermaninë Perëndimore). Anëtarët që atëherë janë shtuar në 22 nga 28 shtetet anëtare të BE-së – ku katër prej tyre janë lënë jashtë (Bullgaria, Kroacia, Qipro dhe Rumania) për t’u bashkuar në të ardhmen – plus katër shtete joanëtare (Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Litenshtejni). Të gjithë kanë hequr kontrollet kufitare dhe kanë miratuar një politikë të përbashkët vizash për shtetasit e vendeve joanëtare.
Është e thjeshtë të konsiderosh një udhëtim nga Zyrihu në Oslo si udhëtim të brendshëm, sepse nuk ka kontrolle pasaportash në nisje dhe mbërritje. Dhe është pa dyshim e mundur të ngasësh makinën nga Berlini në Barcelonë pa pritur në radhë në pikat kufitare të çdo shteti. Në fakt, kjo lehtësi është ndoshta arsyeja përse vetëm dy shtete të BE-së (Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar) kanë dalë nga Marrëveshja Shengen.
Por kriza e refugjatëve ka ekspozuar anën tjetër të Marrëveshjes Shengen – vështirësinë e monitorimit të territorit kombëtar dhe të BE-së pa kontrolle kufitare. Dhe megjithëse, shtetet jashtë Shengenit, në disa raste, kanë mundur të shmangin detyrimet direkte për të marrë pjesë në politikën e përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, për shembull, ka mbetur jashtë skemës së BE-së për rilokalizimin e refugjatëve – ato nuk janë izoluar nga sfidat e krizës së emigrantëve. Ata, ashtu si shtetet Shengen nuk mund të thonë me saktësi se sa emigrantë janë në vendin e tyre, kush janë këta njerëz dhe kur kanë mbërritur.
Kjo çështje e humbjes së kontrollit vjen për dy arsye. Së pari, nëse statistikat rreth migracionit hapen për dyshime, edhe pa marrë në llogari imigracionin e paligjshëm, partitë politike nacionaliste anti-imigracion mund të ekzagjerojnë lehtësisht shifrat për të sjellë frikë te publiku. E dyta, nëse refugjatët që kanë fituar azil mund të lëvizin lehtësisht në çdo shtet Shengen që e zgjedhin vetë, marrëveshjet e ndarjes së barrës e humbin besueshmërinë dhe pranimi i refugjatëve e humb prakticitetin.
Një vend nuk do të donte të mbulonte kostot paraprake të strehimit të një numri refugjatësh, vetëm për të shfrytëzuar përfitimet ekonomike të mëvonshme që ata refugjatë mund të ofrojnë kur t’i bashkohen forcës së punës. Për të shmangur këtë rezultat do të kishte më shumë kuptim të zbatohet një periudhë tranzicionale, si periudhat shtatëvjeçare të tranzicionit me të cilat përballen shtetasit e vendeve të reja anëtare – gjatë të cilave azilkërkuesit e suksesshëm ndalohen të lëvizin në vende të tjera për punë. Por Shengen e bën këtë shumë të vështirë për t’u vënë në fuqi – një realitet që i vjen për mbarë edhe më tepër nacionalistëve, të cilët e portretizojnë BE-në si një detyrim barre, në vend të një burimi zgjidhjesh apo mundësish.
Për të qenë të sigurt, Marrëveshja Shengen dhe parimi i BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve duken se forcojnë njëra-tjetrën. Por çështja që ata kanë ngritur nuk është e njëjtë. Është lëvizja e lirë e njerëzve, jo udhëtimi pa kufi ajo që formon thelbin e BE-së. Dhe, nën rrethanat aktuale, Shengeni po vë në rrezik këtë të drejtë dhe përfitim themelor.
Sigurisht, zgjidhja e krizës së refugjatëve do të dojë më shumë se thjesht kthim të kabinave prej xhami dhe të zyrtarëve me uniforma të imigracionit në kufi. Por pezullimi ose heqja e Marrëveshjes Shengen do të nxiste besueshmërinë e përpjekjeve të qeverive për të ruajtur rendin në shtëpi.
Njëkohësisht, përmbysja e një politike dikur të përgëzuar do të provojë se BE-ja, larg nga të qenët e zënë në të njëjtin kurth utopik, mund të përshtatet me rrethanat në ndryshim në një mënyrë të menduar dhe pragmatike. Reculer pour mieux sauter – të sprapsesh për të marrë më tepër vrull – është, mbi të gjitha, një parim evropian i vjetër dhe shumë i nderuar.
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...