Që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe, Kosova është përballur me debate rreth përfitimeve politike dhe ekonomike nga këto tarifa. Një vit me pas dallimet janë të thella në vlerësimet nëse një masë e tillë ka ndikuar pozitivisht apo jo tek bizneset vendase në Kosovë, posaçërisht në sektorin e prodhimtarisë dhe nëse ato e kanë ndihmuar apo dëmtuar politikisht shtetin e Kosovës.
Një vit më parë, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigje ndaj siç qe thënë fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës. Që nga dita e parë çështja u bë temë debatesh për dëmet dhe dobitë e tarifave.
Sipas autoriteteve, për një vit nga këto dy vende janë importuar mallra në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh, apo 540 milionë më pak se para vendosjes së tarifave dhe ato kanë ndikuar edhe në sektorin e prodhimit në vend.
Por, pikëpamjet rreth kësaj çështjeje janë të ndara.
Kompania “Plastika” bën riciklimin e mbeturinave të foljes dhe plastikës dhe nga ky proces pastaj nxjerr prodhime për agrikulturë dhe ndërtimtari.
Ardit Shabani nga kjo kompani thotë se tarifat kanë pasur ndikim në vetëdijesimin e qytetarëve për prodhimtarinë vendase, por kompanie e tij ka shënuar rritje por jo si rrjedhojë e tarifave.
“Zbatimi i kësaj takse nuk është që ka pasur ndonjë ndikim mjaft të madh duke marr parasysh që kompania jonë operon prej vitit 2007 në tregun vendor. Në atë vit kur kemi filluar implementimin e produkteve tona kemi pasur jo pak probleme duke marr parasysh qe produktet serbe kanë qenë aktive dhe produktet serbe kanë mbuluar një pjesë të madhe të tregut vendor. Por me një punë të madhe dhe një besim të klientëve tonë kemi arritur që vit pas viti të zvogëlojmë prezencën e produkteve serbe në tregun tone”, tha zoti Shabani.
Kosova numëron rreth 5 mijë biznese të vogla dhe të mesme që merren me prodhimtari.
Astrit Panxha që udhëheq Klubin e Prodhuesve të Kosovës thotë se analizat e tyre kanë treguar se sektorë të ndryshëm të prodhimit kanë përfituar nga vendosja e tarifave.
“Ka pasur sektorë të ndryshëm, për shembull sektori i vajit ushqimor, sektori i letrave higjienike, sektori i pijeve, sektori i konditorisë do të thotë janë disa sektorë që kanë pasur rritje pozitive. Problemi i prodhuesve në të kaluarën ka qenë që i kanë pasur kapacitetet ekzistuese por janë shfrytëzuar 30 deri 50 për qind, tash me vendosje ne taksës ka disa prej tyre që i shfrytëzojnë 100 për qind, ka rritje të punësimit por jo gjithmonë taksa është reflektuar në rritje të punësimit, është reflektuar në rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve”, thotë zoti Panxha.
Por, krejt të kundërtën e thotë njohësi i zhvillimeve ekonomike, Safet Gërxhaliu i cili ka udhëhequr edhe Odën Ekonomike të Kosovës. Ai thotë se vendosja e tarifave ishte vendim politik me kalkulime populliste.
“Në qoftë se nga një masë e tillë nuk kemi rritje të eksporteve por kemi rritje të importeve është indikator i parë që argumenton të vërtetën që ka qenë i gabuar, në qoftë se sot e kemi një shkallë të inflacionit me 5,5 për qind, e kemi një rritje të shportës së qytetarëve dhe Kosova renditet ndër shtatë shtetet më të shtrenjta në Evropë, a nuk është ky argumenti më i mirë sa ka qenë një taksë e gabuar që është vendosur”, tha zoti Gërxhaliu.
Blend Hyseni nga Instituti për Zhvillimin e Politikave, thotë se tarifat nuk është që janë shfrytëzuar aq mirë sa ishte paramenduar fillimisht nga biznesi vendas.
“Pra kemi parë kryesisht që importet kryesisht nga Bosnje e Hercegovina nuk kanë ardhur në Kosovë por përmes vendeve tjera ose janë importuar diku tjetër dhe kryesisht këto importe ose këto produkte kanë ardhur me një çmim më ta lartë dhe kjo e ka pas një pasojë negative te konsumatorët vendor”,thotë ai.
Zoti Hyseni thotë se sektori i prodhimit nuk duket që ka shënuar një rritje të përshpejtuar si rrjedhojë e tarifave 100 për qind.
“Ka prodhues të caktuar që kanë përfituar nga kjo tarifë ose taksë 100 për qind mirëpo ka edhe nga ata që kanë humbur nga kjo, për shkak se ka biznese të caktuara të cilat kanë importuar nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia lëndën e parë. Pra, ata janë detyruar të paguajnë një çmim më të lartë për lëndën e parë dhe rrjedhimisht ky çmim është reflektuar edhe në çmimin final dhe nuk kanë mundur të jenë konkurrentë ndoshta me importet tjera nga rajoni”, tha zoti Hyseni.
Por, zoti Panxha thotë se për herë të parë që nga paslufta, vëllimi i mallrave të importuara ka shënuar rënie ndërsa në të njëjtën kohë është rritur edhe kreditimi i bankave në sektorin e prodhimit.
“Në qoftë se shohim statistikat shpeshherë është proklamuar se ka rritje të çmimeve dhe është treguar që rritja e çmimeve ka qenë afatshkurtër do të thotë nuk kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve, inflacioni ka qenë brenda niveleve të normales, nuk ka pasur mungesë të produkteve që shpesh është deklaruar që me vendosjen e taksës qytetarët e Kosovës do të përballen me mungesë të miellit, vajit e shumë gjëra të tjera por, efekti kishte qenë edhe më i madh sikur që tregtarët tonë nuk do të bënin zavendsëimin e produkteve të Serbisë me produkte nga vendet e treta. Impakti do të jetë edhe shumë më i madh sikurse mini marketet i japin përparësi produkteve vendore, kjo ka ndodhur deri në një masë por jo në masë të duhur që impakti i taksës të jetë edhe më i madh”, thotë zoti Panxha.
Vendosja e tarifave ndaj mallrave serbe ka bërë që të pezullohen bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa KOsovën e kanë vënë nën trysni ndërkombëtare për pezullimin e tyre.
Safet Gërxhaliu thotë se me tarifat përveç që Kosova nuk ka përfituar ekonomikisht, i ka shkaktuar dëme shqetësuese shtetësisë së saj.
“Por, nëse diçka ka bërë Kosova si ndihmë Serbisë atëherë definitivisht kjo taksë ka qenë që krejt miqtë e Kosovës janë shndërruar në kundërshtar të një vendimi të tillë por në të njëjtën kohë kanë qenë mbështetës të Serbisë në kërkesat e tyre për të hequr këtë taksë”, thotë zoti Gërxhaliu.
Çështja e tarifës ishte edhe pjesë e debateve gjatë fushatës së zgjedhjeve të 6 tetorit. Dy partitë e para, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që pritet edhe të formojnë qeverinë e re, kanë shprehur synime që të zëvendësojnë tarifat me masën e reciprocitetit të plotë me Serbinë. /VoA
Drenusha e ashpër ndaj Gjestit, sebep gota e verës
Trump kërcënon me tarifa të larta Kanadanë, Meksikën dhe Kin...
Përmbytjet në Indonezi, të paktën 19 viktima
Aksident me vdekje në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”
Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse