BE flet për ngërçin në Kushtetuese, Presidenca: Maja të mos përdoret nga Rilindja

18:29 | 18 Nëntor 2019
L G

Përplasja në Gjykatën Kushtetuese është përcjellë në një reagim edhe nga zëdhënësja e BE-së Maja Kocijancic, e cila në një deklaratë për Euroneës Albania është shprehur se nuk i takon BE-së të vlerësojë hapat dhe aspektet ligjore të ndjekura deri më sot.

Në reagim Kocijancic bën një panoramë të ligjit si dhe sugjeron që palët mund të shkojnë në komisionin e Venecias për një këndvështrim më të paanshëm të procedurës kushtetuese e ligjore.

Në një moment të reagimit Kocijancic përmend formatin zhbllokues të ligjit (mbarimin e afatit 30 ditor për të zgjedhur), dhe kjo ka bërë që Presidenca të reagojë përmes zëdhënësit të saj Tedi Blushi.

Ky i fundit përmes rrjetit social shkruan se Kocijancic bën mirë të lexojë kushtetutën dhe të mos keqpërdoret nga ‘Rilindja’ për lajme dite.

“Maja të lexojë Kushtetutën në shqip dhe të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite!”, thuhet në mesazhin e Blushit.

REAGIMI I PLOTË I ZËDHËNËSES SË BE:

Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.
Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.
Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.
Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme