E tmerrshme, të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike! Pa diskutim ishte një kataklizëm me përmasa në mos planetare, të paktën kontinentale.
Po, as nuk gënjej e as nuk bëj shaka, besomëni. Po, po, fill pas lajmit që dëgjova në televizor me veshët e mi të sipërm dhe jo me ata të poshtmit, atje ku kurrizi nuk quhet më kurriz. Ç’është e vërteta, isha shumë i lodhur dhe gjumi gati po më mbyllte sytë, por unë po i bëja qëndresë sepse doja me çdo kusht e çdo çmim të ndiqja bisedën e disa analistëve, që flisnin për aq të përfolurin MiniShengen Ballkanik duke kritikuar Kryeministrin Rama, ndër të tjera, edhe për sfidën – më saktë karshillëkun – që po i bënte Bashkimit Europian e veçanërisht Francës së Makronit, lidhur me refuzimin e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Befas, në një moment që m’u duk ogurzi, pata përshtypjen e frikshme sikur ra një tërmet dhe vura re se drejtuesja e takimit në televizion ngjeshi fort kufjen e padukshme te vrima e veshit, u zbeh, kafshoi buzën e sipërme dhe, zëdridhur, lëshoi bombën.
Po, qe një bombë që më la pa mend e pa gojë; njëri prej analistëve nderoi me grusht teksa djersiste e gulçonte njëherazi, tjetri përbri atij u fut poshtë tavolinës, i treti bëri shenjën e kryqit, kurse i katërti, më saktë e katërta, pasi lëshoi klithmën “Olele, mami”, u alivanos. Megjithatë, në ekran – nuk e mora dot vesh në ç’mënyrë – u shfaqën disa pamje apokaliptike: Nuk qe e domosdoshme të ishe mësuese apo mësues gjeografie për të konstatuar se në hartën satelitore të Europës sapo kishin ndodhur, brenda disa sekondash, një sërë ndryshimesh të përmasave monumentale:
Ishte diçka e pabesueshme, por e vërtetë: Italia, si gadishull në formë çizmeje me takë, ishte tkurrur dhe ishte bërë sa Karaburuni ynë modest, por duke këmbyer vendin me këtë të fundit! Liqeni i Shkodrës ishte shtrirë deri në kufijtë e Sllovenisë duke gllabëruar Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjën; për sa i përket Serbisë, ajo ishte tkurrur në përmasat e Beogradit dhe të rrethinave të tij; nga ana tjetër, kufiri lindor i vendit tonë ishte zhvendosur deri në Stamboll dhe rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut nuk dukej më gjëkundi, vetëm Kosova i kishte bërë ballë pa më të voglin ndryshim tronditjes ballkanike. Ndërkaq, analistët tanë e kishin marrë aq shpejt veten dhe ishin ftilluar aq habitshëm, saqë të gjithë ranë njëkohësisht në gjunjë; pastaj, njëzëri, me sytë e përlotur, i kërkuan publikisht ndjesë Kryeministrit Rama për kritikat që kishin formuluar në drejtim të tij lidhur me Mini-Shengenin dhe nxituan të fshikullonin çdo shqiptar antiminishengenist me epitetin “minilegen”.
Ndërkohë, zonja Olele Mami, me një pamje prej murgeshe të shenjtëruar para vdekjes, erdhi në vete, mori frymë thellë dhe kapi mikrofonin për të bërë deklaratën e mëposhtme:
“Zonja e Zotërinj! E shikoni se si realiteti gjeopolitik objektiv i dha plotësisht të drejtë veprimit subjektivist të kryetarit… shokut… Mao… më falni… të shokut Env… më falni, të zotit Rankov… më falni të zotit Ra…Ra… Makiav… më falni, doja të thosha të kryezotit Rama, duke konfirmuar largpamësinë e tij politike dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në realizimin e idesë së dikurshme të jugosllavit Tito, të mbështetur prej bullgarit Dimitrov me dimi… më falni, me dijeni edhe të Partisë gomiste… më falni, gomuniste të vendit tonë për krijimin e një konfederate ballkanike nën drejtimin e …”
Papritmas, ajo reshti së foluri dhe, e emocionuar, shpalosi në fytyrë një buzëqeshje prej shenjtoreje të shastisur pas vdekjes para se të nxirrte nga goja e mavijosur një xhevahir mavi, duke u shprehur solemnisht si vijon: “Le ta festojë, pra, populli ynë këtë datë të shënuar të zmadhimit hapësinor të vendit tonë si pasojë e udhëheqjes mavi të Partisë Socialiste të brumosur me filozofinë qelbë… më falni, qelibar të liderit të saj të pavdirë Edi Rama…!” Pastaj, si në gjendje ekstaze apo si e droguar me kokainë, hipi mbi tavolinë dhe me një ton e një pozë prej drejtoreshe kopshti, deklaroi: “Vëreni sa bukur shkon minifundi im mavi, si edhe tangat e mia po aq mavi me Mini-Shengenin e Supermenit tonë legendar… me falni, legjendar!”
Befas, kudo pllakosi një errësirë e thellë dhe unë ndjeva zërin e sime shoqeje që, duke më shkundur lehtë, tha: “Çohu, se ikën dritat… Çohu, pra, të biem për të fjetur”.
Atë natë, ç’është e vërteta, pashë në ëndërr vetëm supermenë shqiptarë me pelerina jo të kuqe, por mavi, të cilët endeshin krenarë në hapësirën ndëryjore, veçse në gjoks nuk kishin shkronjën S, por atë M… M si… MiniShengen! Tek fluturonin, pelerinat u hapeshin herë pas here duke lënë t’u dukeshin – çudi e çudive – minifundet dhe tangat e tyre detyrimisht mavi!
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...