Me shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, në procedurë pa u miratuar kanë mbetur 43 ligje.
Në mesin e tyre janë edhe ligjet të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian e që kanë për qëllim ndër të tjera edhe përafrimin e Kosovës me BE-në.
Meqë përbërja e kaluar e Kuvendit nuk arriti t’i miratojë këto ligje, të gjitha kthehen në pikën zero, por disa prej tyre, sidomos ato që ndërlidhen me kriteret dhe standardet e BE-së, konsiderohen se do të jenë prioritet i punës së institucioneve të reja që do të formohen si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Deputetët e ardhshëm të partive politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë mendime të ndryshme për atë se si duhet të veprohet me ligjet të cilat kanë mbetur në proces.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje , tha për Radion Evropa e Lirë se shumë nga ligjet do të rishikohen dhe do të kthehen në pikën zero.
“Proceduralisht të gjitha kthehen në piken zero. Tani me fillimin e punës së qeverisë, varësisht prej ligjeve që janë me prioritet, duhet të fillohet menjëherë puna pa ndalesa dhe pa hezitim. Ndërsa në rastet kur ka një bazë të mirë, sigurisht se mund të merret parasysh të rishikohet edhe mandej të vazhdohet me finalizimin e tyre. Por, në aspektin formal të gjitha kthehen në pikën zero”, tha Nagavci.
Kurse, Blerta Deliu-Kodra, deputete e ardhshme nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila me gjasë do të jetë në opozitë, konsideron se projektligjet të cilat kanë shkuar në Kuvendin e Kosovës nga qeveria tashmë në largim dhe të cilat janë pjesë e agjendës së reformave të Bashkimit Evropian, duhet të miratohen pa vonesa.
“Të gjitha ato ligje të cilat e kanë kaluar leximin e parë, natyrisht që janë në procedurat e Kuvendit dhe i mbetet legjislaturës së re që të miratoj pakon e këtyre projektligjeve të cilat natyrisht kërkojnë një nguti më të madhe për shkak të përafrimit tonë me Bashkimin Evropian. Natyrisht që janë procedurat brenda Kuvendit të cilat parashohin që projektligjet të cilat kanë kaluar leximin e parë t’i miratojmë në leximin e dytë”, tha Beliu Kodra.
Ndryshe, sipas rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, të gjitha çështjet të cilat janë proceduar në Kuvend dhe që nuk kanë përfunduar deri në fund të punës se legjislaturës së gjashtë konsiderohen si të përfunduara dhe nuk vlejnë për legjislaturën e ardhshme.
Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thotë se të gjitha ligjet të cilat kanë qenë në procedurë, pavarësisht se në cilën fazë, ato nuk vlejnë për legjislaturën e re apo qeverinë e ardhshme.
“Sa i takon projektligjeve që kanë qenë në procedurë, konsiderohen të përfunduara aty dhe nuk mund të kthehen në legjislaturën e re, në përjashtim prej rastit kur qeveria e re ose Kuvendi i sheh si të arsyeshme e i parasheh në programin legjislativ dhe i sjell në Kuvend, por jo domosdo duhet me qenë ato ligje apo ato amendamente të cilat janë propozuar nga komisionet të cilat kanë qenë në legjislaturën e gjashtë”, tha Haxhiu.
Disa nga ligjet të cilat rrjedhin nga agjenda për reforma evropiane janë, Kodi i ri penal, Ligji për arsimin e lartë, Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, e të tjera. Zyrtarët ndërkombëtar në Kosovë kanë inkurajuar institucionet dhe vet Kuvendin e Kosovës për miratimin e pakos së ligjeve për Agjendën Evropiane të Reformave, respektivisht ligjet që lidhen me reformat në sistemin e drejtësisë.
Përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës në vazhdimësi është kritikuar për joefikasitet dhe mosangazhim të duhur në mosrealizimin e planeve të punës.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar punën e këtij institucioni, kanë deklaruar se jo që nuk janë miratuar ligjet sipas planit të paraparë, por edhe ato që janë miratuar, nuk janë mbikëqyrur nëse po zbatohen apo jo.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...