Google ADS

Goditet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë në Itali, 6 në pranga

01:16 | 17 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Goditet një bandë shqiptarësh në Itali e specializuar në vjedhjen e vilave. Mediat italiane shkruajnë se është realizuar operacioni “Massa San Giuliano”, nga Policia italiane e Shtetit. Janë gjashtë personat e arrestuar dhe nëntë që po ndiqen në gjendje të lirë. Ata akuzohen se kanë kryer dhjetëra vjedhje në veri dhe në qendër të Italisë.

Masat paraprake, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Spoletos, në bashkëpunim me magjistraturën hetuese të të njëjtit qytet të Umbrias dhe atë të Romës, u kryen në zonat e Ponte di Nona dhe Tor Bella Monaca. Këtu, organizata kriminale kishte bazat operacionale.

Personat nën hetim dhe të arrestuar, të gjithë me origjinë nga Shqipëria, hynin në aksion sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës dhe nga Roma spostoheshin në qytetet e qendrës dhe të veriut të Italisë për të kryer grabitjet e shumta.

Krimet kryheshin madje edhe kur njerëzit ishin në shtëpi dhe në disa raste, përveç parave dhe sendeve të çmuara, hajdutët vidhnin edhe çelësat e makinave, të cilat më pas i përdornin për të lëvizur dhe për të kryer vjedhjet pasuese.

Dhjetëra vjedhje nga grupi në provincat e Frosinones, Ravennas, Perugias, Bolognas, Modenas dhe Reggio Emilias. Sipas hetuesve, banda kishte lidhje edhe me grupe të ndryshme që veprojnë në qytete të tjera në Itali, si Milano, Venecia, Vicenza dhe Ascoli.

Për këtë grup, oficerët e komisariatit Aurelio filluan të hetojnë rreth një vit më parë, kur disa nga personat e arrestuar sot u kapën duke operuar me “një ndërrim makine” pasi kishin kryer një vjedhje në Komunat e Trevignano dhe Braçiano. Në atë episod të dyshuarit arritën të shpëtojnë.

Me ndihmën e përgjimeve dhe ndjekjen në të gjithë territorin, u verifikua ekzistenca e një grupi të strukturuar të profesionistëve të vërtetë, të cilët mburreshin se fitonin në vetëm një dimër në Itali më shumë se një milion euro.

Keqbërësit, për të shpëtuar nga policia dhe për të shmangur zbulimin ose ndjekjen, gjithnjë merrnin masa, duke përfshirë pezullimin e veprimtarive kriminale dhe kthimin në vendin e origjinës për të qetësuar ujërat.

Në dy raste, kriminelët të zbuluar nga Forcat e Policisë, goditën pikat e kontrollit në Perugia dhe Frosinone, duke bërë që agjentët të karamboloheshin dhe të shkatërronin makinat.

Makinat e vjedhura, të gjitha me cilindrat të madh fshiheshin më pas në vende më të distancuara nga kryeqyteti, siç është parkimi i një spitali ose në garazhe private. Me bashkëpunimin e një rrjeti të dendur mbështetësish, fshiheshin në terrene të ndryshme sendet e vjedhura, dritat, skanerët, celularët e kompletuar me karta, si dhe pajisjet për kryerjen e vjedhjes.

Për të përgatitur goditjet, grupi përdorte celularë ‘citofonë’, pra me një trafik jashtëzakonisht të kufizuar, kryesisht të regjistruar tek qytetarët kinezë që banojnë në provincën e Napolit.

Hetimet çuan në sekuestrimin e një duzine makinash “Audi” të vjedhura dhe të mallrave të mëdha të vjedhura (orë Rolex, Cartier, Guçi dhe marka të tjera prestigjioze, shumë bizhuteri ari, diamante dhe xhevahire të tjera të çmuara), si dhe çanta dhe objekte me vlerë që u përdorën nga partneret e të arrestuarve.

T.N. 26 vjeç, G.E., 29 vjeç dhe N.E. 24 vjeç, janë disa nga të akuzuarit të gjithë shqiptarë.

Pak orë para operacionit, grupi kishte kryer një vjedhje në një qendër të vogël të Frosinones dhe ishin larguar duke vjedhur një “Volkswagen Golf”.

Pasi hynë në banesa policia gjeti edhe persona të tjerë për të cilët ishte dhënë urdhri i arrestit: N.A. , 24 vjeç, (një nga grabitësit kryesorë); N.M. edhe A.M. respektivisht 34 dhe 31 vjeç të cilët ndodheshin në territorin italian pavarësisht se kishin marrë ekspuls.

Po hetohen në gjendje të lirë 9 persona të tjerë, mes tyre 2 gra që megjithëse me një rol të vogël kanë bashkëpunuar në krimet e mëparshme./lapsi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme