Presidenti Trump viziton Londrën në fillim të dhjetorit

18:10 | 15 Nëntor 2019
A. B.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fillim të dhjetorit, do të vizitojë Londrën për të marrë pjesë në një samit të NATO-s, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan pritet të diskutojë për shpenzimet e mbrojtjes nga ana e vendeve aleate, si dhe do të adresojë “rreziqet sigurisë kibernetike dhe terrorizmit”.

Samiti i 70-vjetorit të Aleancës do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në një qendër luksoze golfi afër Londrës.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump, në samitin e NATO-s, do të vlerësojë përparimin e organizatës, duke vënë në dukje që vendet anëtare duhet të ndajnë barrën financiare më mirë.

Trump do të qëndrojë në Britaninë e Madhe në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 dhjetor.

Këto zgjedhje janë të rëndësishme, për të adresuar çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Presidenti amerikan, nuk e ka fshehur më parë mbështetjen e tij për kryeministrin britanik, Boris Johnson. Trump është zotuar për një marrëveshje tregtare “madhështore” pasi Britania të tërhiqet nga anëtarësimi në BE.

Sidoqoftë, ai kohët e fundit shprehu rezerva në lidhje me ujdinë që “miku i tij” Johnson kishte arritur me Brukselin për Brexitin, duke deklaruar se një marrëveshje e tillë nuk do të ishte e mirë për një marrëveshje të ardhshme tregtare me SHBA-në.

Presidenti amerikan ishte në Londër në fillim të qershorit, pak para dorëheqjes së kryeministres së atëhershme, Theresa May, të cilën ai e kishte kritikuar disa herë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme