Google ADS

Kapiteni i Çekisë: Rashicën duhet ta ndalim me 2 mbrojtës

18:57 | 14 Nëntor 2019
L G

Vladimir Daria, kapiteni i Republikës së Çekisë, nuk mendon se mungesa e sulmuesit kryesor Vedat Muriqi do të paraqet problem për Kosovën në përballjen e sotme në Plzen për Euro 2020, duke këmbëngulur se verdhekaltrit kanë mjaft lojtarë cilësorë për ta zëvendësuar atë.

Mesfushori, megjithatë, është i përqendruar në ata se si ta ndalë Milot Rashicën.

Duke folur para përballjes së Kombëtares së tij çeke kundër Kosovën sonte në orën 20:45 në Doosan Arena në Plzen – në një ndeshje vendimtare për të dy kombëtaret për fatin e tyre për kualifikim në Kampionatin Evropian të 2020-es – mesfushori i Hertha Berlin tha se Atdhe Nuhiu mund ta zëvendësojë Muriqin për shkak të ngjashmërive që kanë.

Megjithatë, gjasat që sulmuesi i Sheffield Wednesday ta zëvendësojë yllin e Fenerbahçes janë të vogla, veçanërisht duke ditur komentet e trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes, i cili dje në konferencë për media tha se nuk po mendon ta bëjë një gjë të tillë.

Daria zbuloi se në kampin çek e kishin kuptuar menjëherë për mungesën e Muriqit.

“Ne e kuptuam për këtë (mungesën e Muriqit) dhe reaguam menjëherë. Ne shikuam video të sulmuesit tjetër të tyre që është shumë i ngjashëm më të, po ashtu i gjatë, (Nuhiu) nga të cilat ai mund të përfitojë. Nuk mendoj se mungesa e Muriqit do të jetë problem për Kosovën. Ata mund ta zëvendësojnë atë”, tha Daria.

Ai u pyet edhe për anësorin e Werder Bremen, Milot Rashica, duke e pranuar rrezikun që mund ta paraqesë ai për Kombëtaren çeke falë aftësive individuale.

“Ai është lojtar me cilësi shumë të larta. Ai mund të depërtojë një kundër një, atij nuk duhet t’i lejohet hapësirë. Na duhet t’i vëmë dy mbrojtës kundër tij”, shtoi ai. /Gazeta Express/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme