Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ka caktuar masën e paraburgimit prej 20 ditësh për punëtorin nga stafi vendor i misionit të UNMIK-ut në Kosovë, S.Q, i dyshuar për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik.
Masa e paraburgimit, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të enjten në Gjykatën e Podujevës.
Ai dyshohet se më 12 nëntor të këtij viti, në rrugën nacionale Prishtinë-Merdare, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij, të tipit “Daimler Chrysler C220”, e ka goditur këmbësorin S.Z, i cili ishte duke e kaluar rrugën, e që pas lëndimeve që kishte pësuar, ai kishte ndërruar jetë në repartin e Emergjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Podujevë.
Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Nebahate Salihu dhe në seancë e ka përfaqësuar, prokurori Zef Prendrecaj.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik dhe me qëllim të sigurimit të pranisë së tij në procedurë, pengimit të rikryerjes së veprës penale dhe zbatimit të suksesshëm të procedurës penale, kërkoj që t’i caktohet paraburgimi në bazë të nenit 187 par.1 pika 1 si dhe pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK”, ka thënë mes tjerash prokurori Prendrecaj.
Prokurori Prendrecaj, gjithashtu ka deklaruar se nëse i pandehuri gjendet në liri, ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, dhe se nuk do të përgjigjet në thirrjet e prokurorisë dhe gjykatës.
“Masat e tjera për sigurimin e të dyshuarit në procedurë janë të pamjaftueshme dhe jo adekuate në rastin konkret”, ka përfunduar prokurori Prendrecaj.
Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit S.Q, sipas autorizimit, avokati Qazim Qerimi, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë.
Zef Prendrecaj
Sipas Qerimit, i mbrojturi i tij, duke qenë punëtor i stafit lokal të UNMIK-ut, dhe se kur është kryer vepra penale, ai ka qenë duke u kthyer nga vendi i punës, ka shtuar se konsideron që ai gëzon imunitet për t’u burgosur, gjegjësisht paraburgosur.
“Nëse kjo gjykatë konsideron se i njëjti nuk e gëzon këtë imunitet, unë ju propozoj që t’i drejtoheni të dërguarit të përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, lidhur me përgjegjësinë e të mbrojturit tim, të deklarohet zyra qendrore e Kombeve të Bashkuara, e nëse ata i heqin imunitetin atëherë të procedohet më tutje”, ka thënë avokati Qerimi.
Përveç këtij propozimi, avokati në fjalë, shtoi se i mbrojturi i tij duhet të dorëzohet tek personeli i sigurimit të UNMIK-ut, ku do të qëndrojë derisa kjo çështje të zgjidhet.
Si përfundim avokati Qerimi, tha se përveç që e kundërshton kërkesën e prokurorisë, sipas tij nuk ka bazë për caktim të masës së paraburgimit, pasi që i mbrojturi i tij nuk tenton në asnjë mënyrë t’i ikë përgjegjësisë dhe se me familjen e të ndjerit janë pajtuar sipas zakoneve.
“I propozoj gjykatës që të mos bie nën ndikim të parafrazimeve të cilat i ka cekur prokuroria, të cilat kohëve të fundit janë bërë shabllon, duke aluduar se ndikimi i opinionit në këto raste është i madh dhe gjoja se për këtë arsye duhet të caktohet paraburgimi”, ka përfunduar avokati Qerimi.
Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari S.Q, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Pretendimet e avokatit Qerimi, i ka kundërshtuar prokurori Prendrecaj, i cili tha se kërkesa e avokatit është mbështetur në rregulloren e UNMIK-ut, me numër 2000/47, respektivisht në nenin 3.3, e cila rregullore iu ka dhënë dikur personelit të UNMIK-ut imunitetin sa i përket veprimeve që hyjnë në kuadër të veprimtarisë zyrtare.
“Ekziston ligji me numër 03/L-033, i datës 2 qershor 2008, i cili në nenin 5 pika 5.5 i përjashton personelin e punësuar vendor nga imuniteti. Propozoj që të refuzohet kërkesa e avokatit si e pabazuar, si jo ligjore, e sa i përket obligimit ligjor të Prokurorit të Shtetit lidhur me njoftimin e institucionit ku i pandehuri punon, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo do të bëhet në afatin sa më të shpejtë”, ka thënë më tej prokurori Prendrecaj.
Me këtë, nuk është pajtuar avokati Qerimi, e pas kësaj gjykatësi i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri, e ka ndërprerë seancën dëgjimore për 1:30h, për të vendosur në lidhje me propozimin e mbrojtjes.
Seanca ka rifilluar ashtu siç ishte planifikuar, e më pas me aktvendim brenda seancës është refuzuar propozimi i avokatit Qerimi, pasi sipas gjykatësit Bahtiri, pas konsultimit të legjislacionit, gjykata ka vlerësuar se ai nuk gëzon imunitet në lidhje me pretendimet e mbrojtësit të tij.
Pas kësaj, gjykatësi i procedurës paraprake, Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit prej 20 ditësh, e cila do të llogaritet që nga dita kur është në ndalim prej 12 nëntorit 2019, e deri më 2 dhjetor 2019.
Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të 13 nëntorit 2019, S.Q dyshohet se me 12 nëntor 2019, rreth orës 17:25, në rrugën nacionale Prishtinë-Merdare, në afërsi të restorantit “Nobel”, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij të tipit “Daimler Chrysler C220”, nga pakujdesia e ka shkelë Ligjin mbi Trafikun Publik, ka rrezikuar jetën dhe ka dëmtuar trupin e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet se duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka goditur këmbësorin, tani të ndjerin S.Z, i cili kishte qenë duke kaluar rrugën, ku si pasojë e këtij aksidenti, pas lëndimeve të marra ka ndërruar jetë në repartin e Emergjencës në QKMF në Podujevë.
Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi
Pronari i një restoranti në Vushtrri kapet në flagrancë duke...
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...