“Së fundmi kemi kapur një njeri shumë të rëndësishëm të DEASH-it në Siri. Dëshmia e tij tregon se çfarë vepra ka kryer. Hetimi është duke vazhduar nga kolegët tanë”, tha ministri i Brendshëm turk
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, njoftoi se vendi i tij së fundmi ka kapur një pjesëtar të rëndësishëm të organizatës terroriste DEASH në Siri.
“Së fundmi kemi kapur një njeri shumë të rëndësishëm të DEASH-it në Siri. Dëshmia e tij tregon se çfarë vepra ka kryer. Hetimi është duke vazhduar nga kolegët tanë”, tha Soylu në një seminar në qytetin Van të Turqisë.
Lidhur me ekstradimin e pjesëtarëve të DEASH-it, Soylu tha se “Gjermania dhe Holanda kanë deklaruar se do të pranojnë pjesëtarët e DEASH-it, me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre që u përkasin vendeve të tyre”.
Ministri Soylu vuri në dukje se po i rikthejnë dhe pa bërë dallime pjesëtarët e DEASH-it, pavarësisht se vendet e tyre nuk po tregojnë qasje për t’i pranuar.
“Nuk shohim se cili dhe kush mbështet. Ne kemi një politikë tonën dhe e zbatojmë atë pa tolerime. Ata që tërhiqen nga rruga jonë, tërhiqen, ndërsa ata që nuk tërhiqen përballen me pasojat”, theksoi Soylu.
“Do të doja të shpreh falënderimet e mia për dy vende, njëra Gjermania dhe tjetra Holanda”, tha Soylu, duke shtuar:
“Kanë shprehur një qëndrim konstruktiv si rezultat i bisedimeve dhe vlerësimeve që kemi bërë prej rreth pesë ditësh me ministrin e Brendshëm të njërit dhe ministrin e Drejtësisë të vendit tjetër. Që nga mbrëmë, kanë konfirmuar se çdo vend do të pranojë pjesëtarët terroristë të DEASH-it bashkë me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre që janë shtetas të vendeve të tyre, përfshirë këtu pjesëtarët e DEASH-it që ndodhen në vendin tonë, ata që aktualisht ndodhen nën vëzhgimin tonë në Ras Al-Ayn dhe Tel Abyad në Siri si dhe ata që janë kapur nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria Kombëtare Siriane dhe ndodhen nën vëzhgimin tonë në Jarabulus dhe Azez”.
Soylu tha se do të vazhdojnë në mënyrë të vendosur luftën e tyre kundër terrorizmit.
“Të njëjtin bashkëpunim dhe afërsi e presim edhe nga vendet e tjera. Nëse luftojmë të gjithë së bashku kundër terrorizmit, atëherë çdo kush duhet të interesohet për terroristin e tij. Ne nuk jemi as hoteli dhe as bujtina e terroristëve të askujt”, potencoi Soylu.
Ndryshe, Turqia ka filluar me ekstradimin e luftëtarëve të huaj terroristë në vendet e tyre të origjinës që nga dita e hënë.
Sipas zyrtarëve turq, afër 1.200 terroristë të DEASH-it gjenden në burgjet turke, kurse 287 anëtarë të organizatës terroriste janë arrestuar gjatë operacionit të fundit turk në verilindje të Sirisë.
Çështja e menaxhimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre ka nxitur reagime të ndryshme, ndërsa Turqia ka potencuar se terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Disa vende evropiane kanë refuzuar t’i pranojnë luftëtarët e huaj terroristë, duke thënë se atyre u është hequr shtetësia, ndërkohë që Ankaraja ka deklaruar se do të vazhdojë deportimin pavarësisht heqjes së shtetësisë.
“Disa vende po përpiqen të krijojnë një jurisprudencë të re që nuk është në përputhje me normat ekzistuese. Kjo është e papranueshme dhe të mos brengosen sepse të gjithë terroristët që kemi kapur do t’ua kthejmë vendeve nga kanë ardhur, pavarsisht nëse atyre ndokush ua merr shtetësinë”, deklaroi javën e kaluar ministri Soylu./AA
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...