Google ADS

Komuna e Prizrenit u siguron transportin mësimdhënësve e punëtorëve të administratës

08:08 | 13 Nëntor 2019
Arbresh.info

Punëtorët e administratës dhe mësimdhënësit prizrenas nuk do të kenë më problemin e transportit.

Për ta ka menduar e zgjidhur këtë problem vet komuna, shkruan arbresh.info.

Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se Kuvendi Komunal i Prizrenit tashmë ka dhënë tenderin me titull “Transporti i mësimdhënësve udhëtarë dhe të punësuarve në Administratën Komunale të Prizrenit”.

E për të ishte paraparë vlera prej 801 mijë euro ndërsa fitues ka dalë kompania e vetme që ka ofertuar “N.T.T. ” Zhur Tours” me vlerën prej 79.510 euro.

Por në njoftim nuk jepen detaje për numrin e punëtorëve të administratës dhe mësimdhënësve që do të transportohen e për këtë arbresh.info ka kontaktuar me zyrtarë të komunës së Prizrenit.

Lis Dorambari, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në këtë komunë ka thënë se autobusët do të shfrytëzohen nga rreth 1 mijë punëtorë.

“Numri i mësimdhënësve që udhëtojnë është 811 ndërsa nga Administrata Komunale këtë transport do ta përdorin 90 punëtorë”, ka thënë ai.

Dorambari ka treguar gjithashtu për numrin e autobusëve.

“Numri i autobusëve është 5-10 autobusë (varësisht nga numri i arsimtarëve udhëtarë). Orari i lëvizjes do të jetë varësisht sipas orarit të mësimit të arsimtarëve. Në transport përfshihen arsimtarët që udhëtojnë nga qyteti në fshat, nga fshati në qytet dhe transporti ndërmjet fshatrave.”, ka shtuar ai.
E sipas zyrtarit për Marrëdhënie me Publikun në komunën e Prizrenit, kontrata është e përkohshme, 3 mujore.

Dorambari ka treguara gjithashtu se kjo formë e transportit është përdorur edhe viteve të kaluara.

Edhe vitin që lamë pas fituese ka dalë kompania ” Zhur Tours”.

“Kjo formë e transportit është përdorur edhe në vitet kaluara. Kompania fituese Zhur Tours ka nënshkruar kontratën një vjeçare: Lot I-247.326.50 € dhe Lot II; 27916.20 €”, ka përfunduar Dorambari.

Kjo e fundit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figuron nga korriku i vitit 2000.

Aty thuhet gjithashtu se ofron transport rrugor të pasagjerëve, aktivitete të agjencive të udhëtimit dhe tregti me pakicë të karburanteve për automjete në dyqane të specializuara./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme