Të dielën është mbajtur Samiti i Ohrit i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku temë kryesore ishte liberalizimi i lëvizjes së mallrave dhe njerëzve në rajon.
Ky takim, që e pasoi atë të Vojvodinës u bojkotua nga Kosova nuk ishte ftuar në Novi Sad kur ishte lansuar nisma nga Vuçiq, Rama e Zaev.
Për shkak të mospranisë së Kosovës atje, Edi Rama nisi një sulm ndaj Presidentit Thaçi e Isa Mustafës i cili kritikoi ashpër idenë derisa Vuçiq, Zaev e Rama po e diskutonin atë në Ohër.
Ideja e një minishengeni ishte përmendur edhe në të kaluarën më saktësisht nga Presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu i cili i kishte ftuar homologët nga Mali i Zi Maqedonia e Shqipëria në Prevallë.
Në kuadër të mini-samitit të tretë ballkanik, të mbajtur afër Prizrenit, liderët e katër vendeve të rajonit kishin shprehur gatishmërinë e tyre për krijimin e një mini-shengeni ballkanik.
Sejdiu, atëbotë kishte thënë se temë bosht ishte liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në këtë pjesë të Evropës, duke ripërsëritur kërkesën e tij për një mini-shengen ballkanik.
“Andaj, sot mund të themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, të një mini-shengeni ballkanik, apo të Evropës juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese për plan më të gjerë”, kishte thënë Sejdiu.
Gazeta Express ka kontaktuar Sejdiun për të krahasuar takimin e organizuar nga ai para nëntë vitesh, dhe takimin e këtij viti i cili u mbajt këtë të diele.
Sejdiu tha se nuk ka shumë informacione për zhvillimet e fundit, por në kohën e tij nuk është biseduar për një mini-shengen si formacion, por për mundësinë e liberalizimit të kufijve të vendeve të rajonit.
“Me idenë time, në kohën kur është biseduar, nuk është biseduar për një mini-shengen si formacion, por është biseduar për mundësitë e liberalizimit të kufijve në mes vendeve të këtij rajoni, duke pasur parasysh një qarkullim më të mirë dhe pa pengesa rreth formaliteteve që kërkoheshin. Në atë kohë këtë ide për lëvizjen e lirë të qytetarëve e kam bërë në vitin 2008 në vizitën shtetërore që kam pasur në Tiranë, në takimin me presidentin Topi dhe në takimet e mëvonshme nga viti 2008 deri në vitin 2010”, tha Sejdiu.
Sipas tij, ideja e një bashkëpunimi duhet të ketë qëllim largimin e të gjitha barrierave ndërmjet lëvizjes së lirë të vendeve të Ballkanit.
I pyetur për Jugosllavinë e re e cila u përmend të dielën, Sejdiu u shpreh se kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë, pasi Kosova tashmë është shtet i pavarur.
“Unë them se Jugosllavi të re nuk mund të ketë asnjëherë, përkundër asaj se dikush mund të ketë tendenca. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe do ta quaja njësi e shteteve sovrane të rajonit dhe absolutisht askush s’mund ta detyrojë Kosovën që të hyjë në formacione të caktuara të cilat do të ishin prelud i shkrirjes së sovranitetit të saj dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Nëse dikush ka ide për të ringjallur Jugosllavinë ajo është ide absolutisht e vdekur dhe e pamundshme, në pjesën tjetër nëse ka tentativa të tilla dhe se këto dëshirojnë të instrumentojnë tubime të tilla për diçka të ngjashme, sigurisht se do të jetë e papranueshme”, theksoi Sejdiu.
Në takimin e liderëve të Ballkanit, ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për ‘Mini-shengenin e Ballkanit”, mungoi përfaqësimi i Kosovës.
Madje Edi Rama drejtoi kritika të ashpra ndaj liderëve kosovarë që nuk morën pjesë në takim.
“Dua të jem sa më i qartë me gjithë ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, se është momenti për të thënë: së pari, jemi takuar dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet si e zeza mbi të bardhë si një plan veprimi mes liderësh të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, në Londër, Paris, Berlin, Bruksel, pra me sa kujtoj nuk më rezulton që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ta kishin njohur Kosovën, por kjo nuk e ka penguar Kosovën që të marrë pjesë. Së dyti, pas luftës dhe pavarësisë së Kosovës u desh një kohë jo e shkurtër që përfaqësuesit e shtetit të Kosovës të pranoheshin në tavolinë në takime ndërkombëtare nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Tani, prej të paktën 5 vjetësh pjesëmarrja e Kosovës nuk është vënë kurrë në diskutim”, tha Rama në fjalimin e tij.
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ai që të dielën tha se politikat e mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia.
“Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi”, thuhet në reagimin e Mustafës.
U ofendua nga Edi dhe Driloni, përkeqësohet gjendja shëndetë...
Konjufca pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedon...
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...