Albin Kurti: Samiti i Ohrit nuk është dashur të mbahej

17:53 | 11 Nëntor 2019
L G

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur të gabueshme dhe të pashpjegueshme ngutinë për ta mbajtur Samitin e Ohrit.

Samiti i Ohrit, apo i quajtur ndryshe mini “Schengeni Ballkanit”, ka mbledhur gjatë vikendit treshen politike, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, homologun e tij maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për këtë takim, në të cilën nuk ka marrë pjesë Kosova ka reaguar sot gjatë ditës, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kurti në një intervistë për Report TV ka thënë se vala e dytë e këtyrë iniciativave rajonale nuk është dashur që të mbahet.

“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, thotë ai.

Kurti ka vlerësuar se një gjë e tillë ishte e gabueshme dhe e pashpjegueshme.

“Pra për mua ishte e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutia që medoemos, tani, të mbahet kjo mbledhje në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë. E dyta, inicativat e këtilla rajonale duhet të llogarisin një gjë thelbësore e ky është reciprociteti i plotë politik, ekonomik dhe tregtar midis Kosovës dhe Serbisë. Pra çfarëdo inciative në rajon duhet t’i bëjë vendit parimet e reciprocitetit të cilin do ta vendos dhe zbatojë qeveria e re e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër”, shton ai.

I pari i Vetëvendosjes, ka thënë se tashmë janë dakorduar që me Serbinë të kenë reciprocitet, teksa shton se ky është edhe vullnet i popullit.

“Edhe LDK edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, edhe z.Osmani edhe unë, pra gjithsej gati 2/3 e votave shqiptarëve të Kosovës kanë qenë për reciprocitet me Serbinë, ky është vullneti i popullit. Vështirë është të gjendet ndonjë gjë tjetër për të cilën ka vullnet aq të madh politik e popullor sikurse për reciprocitetin me Serbinë. Prandaj inciativa të tilla duhet t’ja bëjnë vendin parimit të reciprocitetit, cili është është kriter i shëndosh në marrëdhëniet e mira fqinjësore e bilaterale në përgjithësi. Dhe e treta, si qeveri e re, si kryeministër i ri, unë do të mbledh qeverinë që të diskutojmë këtë gjë, me ministrat, posaçërisht ata të fushës dhe me shoqatat, asociacionet, organizatat dhe me unionet e ndryshme”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme