Rashica lë gjurmë në disfatën e Bremenit

16:27 | 10 Nëntor 2019
Arbresh Info

Përkundër që skuadra e tij, Werder Bremeni, pësoi disfatë në ndeshjen e sotsme kundër Borussia Monchengladbachut, ylli kosovar Milot Rashica e pati një paraqitje mbresëlënëse, duke e regjistruar edhe një asist.

Borussia Monchengladbach e mbylli ndeshjen kundër Bremenit në Borussia Park me një fitore me rezultat 3 :1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 11-të të Bundesligës.

Milot Rashica e shkaktoi ndërhyrjen që çoi te goli i parë i Monchengladbachut, ndërsa më vonë iu anulua një asist për bashkëlojtarëin e tij pasi që kosovari e kishte faulluar një kundërshtar gjatë aksionit.

Rashica ishte protagonist në ndeshjen edhe gjatë pjesës së dytë, kur në fund arriti ta asistojë golin e vetëm të Bremenit në këtë ndeshje, në minutën e 90+3-të, të shënuar nga Leonardo Bittencourt.

Rashica u vlerësua me notën 8.0 nga Sofacore për paraqitjen e tij, ndërsa vetëm golashënuesi i Bremenit mori notë më të lartë se ai nga e gjitha skuadra (8.3).

Rashica i bëri tre goditje brenda kuadratit të portës, mirëpo portieri Yann Sommer arriti ta shpëtojë skuadrën e Monchengladbachut duke i pritur ato goditje. Bashkëlojtarët e Sommer s’kishin qenë aq të suksesshëm në duelet me Rashicën, pasi që kosovari i dribloi ata shtatë herë nga po aq tentime.

Kjo është ndeshja e shtatë e Rashicës në këtë sezon të Bundesligës, pasi që kosovari mungoi në disa ndeshje shkaku i një lëndimi. Ai ka kontribuar deri më tani me katër gola dhe me tri asiste. /Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme