Google ADS

2 dhe 3 dhjetori, datat që priten zhvillime në lidhje me liberalizimin e vizave

09:03 | 10 Nëntor 2019
L G

Jo rrallë herë, qytetarët e Kosovës kanë marrë premtime e urime për liberalizimin e vizave.

Madje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është vonuar, por që priten zhvillime në muajin dhjetor.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), vlerëson se deklaratën e Haradinajt duhet marr me skepticizëm të lartë.

Sipas tij, deri në fund të këtij viti do të mbahet vetëm edhe një takim i Këshillit  të Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Punë të Brendshme me 2-3 dhjetor, dhe sipas tij nga ky takim është e pamundur që të arrihet vendimmarrje për liberalizmin e vizave.

“Vitin e kaluar ishim dëshmitar të premtimeve dhe urimeve të vazhdueshme për liberalizimin e vizave i cili nuk ndodhi, përkundër që gjatë tërë kohës kemi nënvizuar se gjasat për një gjë të tillë janë pothuaj zero. Në këtë kontekst, përsëri duhet marr deklaratën e ish Kryeministrit Haradinaj me skepticizëm të lartë. Institucionet e Bashkimit Evropian bëjnë planifikimin me kohë të të gjitha takimeve vendimmarrëse të BE-së. Rrjedhimisht, të gjitha takimet e Këshillit të Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2019 janë tani më të dakorduara. Në asnjë nga këto takime nuk është planifikuar të diskutohet çështje e liberalizimit të vizave për Kosovën. Qysh nga korriku 2018 dhe deri më sot, Këshilli nuk ka treguar vullnet politik për të marr vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Deri në fund të këtij viti, do të mbahet vetëm edhe një takim i Këshillit të Bashkimit Evropian për Drejtësi dhe Punë të Brendshme me 2-3 dhjetor 2019. Prandaj, në këtë drejtim është absolutisht e pamundur të arrihet çfarëdo vendimmarrje sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e ardhshëm të Këshillit”, tha ai.

Shasha tregon, katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ndërkohe, janë katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën. 1: Mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 2: Raporti i Vendit 2019 identifikoj sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. 3: Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. 4: Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave”, tha ai.

Tutje, shpreson se konfigurimi i ardhshëm qeverisës do të këtë vullnet politik për të shënuar progres në disa aspekte, pasi vetëm në këtë mënyrë do të binden vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin të vizave.

“Duhet të shpresojmë se konfigurimi i ardhshëm qeverisës do të këtë vullnet politik për të shënuar progres në dy, aspekte: (1) progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë; dhe (2) përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rrjedhimisht arritja e rezultateve bindëse në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe avancimin e rrugës së saj Evropiane dhe vetëm kështu mund të shpresojmë një vendimmarrje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave në 2020”, ka thënë Shasha.

Ndërsa, njohësi i çështjes së integrimeve evropiane Avni Mazreku, thotë se parashikimi se kur në cilin moment mund të merret vendimi për Kosovën është vështir i parashikueshëm.

Sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave  varet kryesisht nga vullneti politik i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave çështja nuk varët nga përmbushja e kritereve, po çështja varet kryesisht nga vullneti politik i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Prandaj kur është në pyetje çështja e vullnetit të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian atëherë vështir i parashikueshëm të themi një vendim se kur do të merret. Kosovën nuk e kanë njohur 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, mizoranca  bllokuese mund të iniciohet nga këto pesë shtete dhe eventualisht ndonjëri nga shtetet skeptike që edhe e ka njohur Kosovën për është skeptike në raport me liberalizimin e vizave mund ti bashkohet kësaj që quhet mizoranc bllokues. Prandaj për mendimin tim parashikimi se kur ne cilin moment mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është vështir i parashikueshëm, pavarësisht që Kosova i ka plotësuar kriteret”, tha Mazreku./A. Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme