Ka më shumë se dy vjet që Burgu i Sigurisë së Lartë (BSL) në Dyz të Podujevës është pa drejtor.
Ky burg ka kohë që ka mbetur në duar të ushtruesve të detyrës, të cilët madje ndërrohen kohë pas kohe.
Deri në mars të vitit të kaluar Ushtrues Detyrë në këtë burg ishte Ilir Kelmendi, kurse pas dërgimit të tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të Kosovës, në pozitën e tij, ushtrues detyre në Burgun e Sigurisë së Lartë në Podujevë është caktuar Burim Buleshkaj.
Drejtoria e Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), arsyetohet se kjo po ndodh për shkak se drejtori i këtij burgu kishte kaluar në ushtrues detyre të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në ShKK, raporton arbresh.info.
“Ju njoftoj se aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë pozita e Drejtorit është e mbuluar me Ushtrues Detyre, pasi që Drejtori është caktuar me Vendim të Ministrit të Drejtësisë, Ushtrues Detyre i Zëvendësdrejtorit të Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”.
Por, jo vetëm Burgu i Sigurisë së Lartë ka mbetur pa drejtor. Sipas zyrtarit për media në ShKK, Florent Gashi pa drejtor janë edhe disa Qendra Korrektuese dhe vet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Kosovës është me ushtrues detyre.
Krejt kjo sipas tij, po ndodh për shkak të procedurave, pasi Ministria e Drejtësisë duhet të hap konkurs për këto pozita.
“Arsyeja e mosplotësimit të pozitave të lira për pozitat; Zëvendësdrejtor i Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtor dhe Zëvendësdrejtor në Institucionet Korrektuese, është edhe procedura e zgjedhjes për këto pozita, pasi që neni 17 i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale parasheh që drejtorët e institucioneve korrektuese emërohen me konkurs të hapur nga Ministria e Drejtësisë në pajtim me dispozitat për emërimin në pozitat e larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Gashi.
Ai, ka thënë se edhe Ministria e Administratës Publike (MAP) ka dhënë opinionin e saj se këto pozita nuk mund të rekrutohen sipas procedurave të emërimit për pozitat e larta drejtuese në Shërbimin Civil.
“Me aprovimin e Ligjit të Ekzekutimeve Penale, i cili është në Parlament, do të qartësohen procedurat e zgjedhjes së drejtoreve dhe zëvendësdrejtorëve në institucione korrektuese. Konkursi për Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm për Siguri dhe Zëvendësdrejtor të Përgjithshëm për Administratë është publikuar nga Ministria e Administratës Publike më 18.07.2019, aktualisht ne nuk jemi në dijeni se deri ku kanë shkuar këto procedurat”, ka thënë Gashi.
Në anën tjetër zyrtarë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të cilët monitorojnë punën e ShKK-së, thonë se ky institucion ka lënë pa drejtor shumë burgje.
Alban Muriqi nga QKRMT thotë se përveç Burgut të Sigurisë së Lartë (BSL), edhe në Burgun e Dubravës është e njëjta gjendje, pasi që edhe aty në pozitën e drejtorit është vetëm ushtruesi i detyrës.
“Deri para pak ditësh nuk ka pas drejtor të emëruar as në Burgun e Dubravës dhe se tani përsëri ka vetëm ushtrues detyre në këtë pozitë”, është shprehur Muriqi.
Kjo dukuri viteve të fundit po ndodh shpesh. Ai madje thotë se problem tjetër është edhe fakti që Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) nuk i publikon emërimet e ndryshimet të cilat janë shumë të shpeshta.
“Një tjetër problem mbetet fakti se ShKK nuk i publikon këto emërime e ndryshime shumë të shpeshta, prandaj edhe për ne, edhe pse jemi bukur shpesh nëpër vizita nuk i dijmë këto ndryshime”, ka përfunduar Alban Muriqi.
Ndryshe, Buleshkaj që nga janari i vitit 2016 ka mbajtur pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit për operativ në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), kurse tani ushtron detyrën e Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, I cili gjendet në Dyz të Podujevës. Drejtori i fundit në këtë burg ishte Rasim Selmani, i cili tash ka kaluar në drejtorinë qendrore të burgjeve. Selmani kishte konkurruar edhe për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të ShKK, pozitë në të cilën në prill të vitit 2018 u përzgjodh Nehat Thaci./Arditë Shkodra/arbresh.info/
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...
Real Madridi gjen më në fund zëvendësuesin e Toni Kroosit, s...
Magjistralja Ferizaj-Prishtinë vërshohet nga uji