Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Xhaferi: Nevojitet koncensus

14:04 | 9 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, vlerëson se ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë çështje e debatit politik dhe se për këtë nevojitet konsensus dhe tejkalim i dallimeve politike.

Në një intervistë për TVM, Xhaferi vlerëson se megjithatë tani nuk është koha për këtë debat.

“Në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe pritjes së Samitit të majit, nuk do të ishte e përshtatshme të fillohet një debat i tillë, i cili sipas tij do të krijonte klimë të keqkuptimeve dhe do të ishte pasqyrë e keqe drejt partnerëve ndërkombëtarë”,– tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, transmeton gazeta KOHA.

Ai gjithashtu ka përjashtuar edhe mundësinë për konvokimin e sërishëm të Parlamentit, për shkak të ratifikimit të Protokollit për në NATO, pas shpërbërjes në pajtim me afatet për zgjedhjet e parakohshme të caktuara për më 12 prill.

“Kushtetuta dhe ligji nuk parashohin Parlament teknik. Me shpërbërjen e deputetëve dhe Parlamentit, mandati u kthehet qytetarëve dhe dilet në zgjedhje për të kërkuar mandat të ri. Nga vendimi për shpërbërje, Parlamenti më nuk ka mandat. Situatat kur mund të konvokohet, në nevoja urgjente, i parasheh Kushtetuta dhe ajo parasheh kompetenca adekuate në situata të tilla të presidentit të shtetit. Por, saktësisht dihet se në cilat kushte dhe parakushte. Pra, në raste të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, ligjvënësi dhe Kushtetuta kanë paraparë situatë të tilla. Nëse veprohet ndryshe nga ajo që shkruhet në Kushtetutë, ekziston rreziku për refuzim të vendimit nga Gjykata Kushtetuese, nëse dikush ngre iniciativë”,- tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Sipas tij, Kuvendi nuk mund të udhëhiqet nga hipoteza se çka do të ndodhë në Spanjë, një prej tre shteteve ku nuk është i ratifikuar Protokolli për anëtarësimin tonë në NATO, ku më 10 nëntor janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tha se ka njohuri se Franca, procedurën e ratifikimit duhet të përmbyll gjatë këtij muaji.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme