Ministri Matoshi në Slloveni: Kosova të jetë përfituese e fondeve mjedisore

10:01 | 9 Nëntor 2019
A. B.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, me ftesë të Ministrit Slloven të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Simon Zajc, po qëndron në Bled, për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Ekonomia Qarkore në Rajon”.

Në kuadër të kësaj konference Ministri Matoshi ka zhvilluar takim bilateral me Ministrin Zajc, të cilin e ka falënderuar për ftesën dhe mundësinë që i është krijuar Republikës së Kosovës që të jetë e barabartë në nismën e re regjionale për ekonominë qarkore.

“Kjo nismë për rajonin tonë do të ishte e pranueshme dhe e mirëpritur që të drejtohej nga Sllovenia”, ka deklaruar Matoshi.

Ai ka falënderuar shtetin slloven për mbështetjen që po i jep vendit tonë dhe kërkoi ministri slloven që të ushtrojë ndikimin që Republika e Kosovës të jetë përfituese e fondeve mjedisore që ndahen nga programet e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë konferencë ku po marrin pjesë shumë shtete të ndryshme të BE-së dhe ballkanit, Ministri Matoshi ishte folës në njërin nga panelet e organizuara.

“Republika e Kosovës është e gatshme dhe e përgjegjshme që të jap koontributin e vet në nismat rajonale për ekonominë qarkore dhe për një mjedis sa më të pastër, por kërkojmë që të mos përjashtohemi nga fondet që ndërlidhen me mjedisin e sidomos nga ato që janë në programet e OKB-së. Çështjet e pazgjidhura politike nuk duhet të jenë pengesë për këtë. Përjashtimi i një vendi nga këto fonde nuk sjell rezultat as në vendet fqinje sepse ajri i ndotur, ujërat e ndotura nuk njohin kufijë”, ka thënë Ministri Matoshi.

Ministri Matoshi foli edhe për të arriturat dhe sfidat që ka Republika e Kosovës në çështjet mjedisore, si në menaxhimin e mbeturinave, ujërat e zeza, ndotjen e ajrit, rezervat ujore, përafrimin e legjislacionit me BE-në dhe çështje të tjera.

Gjatë konferencës Ministri Matoshi ka takuar edhe ish komisionerin për mjedis në BE dhe tani bashkëkryesues në UNEP, Janez Potocnik, Profesorin, Jeffrey Herrick nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë, si dhe shumë ministra, zëvendësministra e zyrtarë të lartë të ministrive të mjedisit nga vende të ndryshme të Evropës. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme