Alvin Berisha flet per here te pare: Me qellonin, thonin se duhej te behesha ushtar!

07:25 | 9 Nëntor 2019
A. B.

Të premte mori fund ferri disa vjeçar për Alvin Berishën ne kampet e Sirise. 11 vjeçari është pritur nga familjarët në aeroportin e Romës dhe më në fund i ati do të mund ta përqafojë duke ditur se i biri do të jetë përgjithnjë përkrah tij, e jo më në ferrin e kampit Al- Hol në Siri.

“Të thashë se do ktheheshe në shtëpi. Je bërë i madh, je një burrë i vogël tani”– i thotë i ati me lotë në sy Alvinit, në momentin kur e takon në aeroportin e Romës.

Pas mbërritjes në shtëpi, Alvin Berisha ka folur për herë të parë mbi momentet e vështira që ka kaluar gjatë kohës kur ndodhej në kampin burg si dhe për dhunën e presionin psikologjik që është ushtruar mbi të. Vogëlushi shprehet se prej tij pritej që të luftonte për ISIS dhe se shpesh herë është rrahur.

“Ata më mësonin të bëja luftë. Gjithmonë më qëllonin dhe më bërtisnin se duhet të bëhesha ushtar. Më detyruan të flas vetëm në arabisht”, është shprehur Alvini.

Dëshmia e Alvinit është zbardhur nga media italiane “La Stampa”, e cila shkruan se 11-vjeçari e ka harruar plotësisht italishten, pasi për pesë vite në Siri e ka pasur të ndaluar ta flasë.

“Alvini sot nuk e kujton fare italishten. Ai e kishte të ndaluar ta fliste atë, ndërsa ishte duke u stërvitur për të luftuar për ISIS. Edhe emri i tij ishte ndryshuar: militantët xhihadistë e quanin Jusuf. Alvini ka kujtuar vetëm pak shqip, teksa iu ka thënë shpëtimtarëve që u shoqëruan për në Damask dhe më pas në Bejrut, Liban ‘Më ka marrë malli shumë për babanë”, shkruan “La Stampa”.

Në lidhje me operacionin kompleks që e ktheu Alvinin përsëri në shtëpi, zëvendësprokurori italian Nobili theksoi: “Është rasti i parë në Evropë, i një fëmije të vetëm që nga fushëbetejat e luftës, kthehet tek të dashurit e tij, në shtëpinë e tij. Një punë e jashtëzakonshme ekipi: kultivojmë krenarinë italiane, kur duam jemi të aftë për shumë.

Nga përgjimet më kujtohet kjo thirrje e dëshpëruar e Alvinit, i cili i tha babait të tij: ‘këtu nuk më lënë të shkoj në shkollë, mamaja vishet si një ninxha’, sikur të thoshte ‘ti e di babi unë përfundova në një botë surrealiste’. Kjo është arsyeja pse sot hapet një faqe e re, ka shumë fëmijë për të shpëtuar atje”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme