Në zgjedhjet e fundit, fitoi një alternativë politike me formacion elektoral që prej paraqitjeve të para në skenën politike të Kosovës duke sfiduar projektin e një epoke në interes të shqiptarëve të Kosovës dhe në interes të shqiptarëve në përgjithësi. Për të mos krijuar dyshime se është diskurs politik kundër interesave nacionale të shqiptarëve, veprimet janë dizajnuar në mënyrë perfekte duke valëvitur në çdo aksion flamurin kuqezi. Natyrisht edhe në këto zgjedhje. Kështu është sfiduar krijimi i identitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, projekt ky që kishte dhe ka ende përkrahjen e vendosur të pjesës së qendrave politike më me ndikim në marrëdhënie ndërkombëtare.
Krijimi i këtij diskursi ka filluar me aksione parullash e defilime protestuese në grupe me djem e vajza, me objektiv kundër administratës ndërkombëtare. Pastaj me veprime më të ashpra, duke përmbysur makinerinë me targa UN. Ndonjëherë edhe me aksione simpatike për shtresa të caktuara të shoqërisë sonë. Në të shumtën e rasteve këto veprime praktike kishin mesazh mosmirënjohës e të dëmshëm, gjithsesi me qëllim konfliktuoz ndaj faktorit ndërkombëtar dhe pastaj me pushtetin vendor. Kjo ka vazhduar me protesta e demonstrata në rrugë e me precedente në Kuvendin e Kosovës. Këto veprime krijuan një identitet politik të preferuar e me adhurim në elektoratin tonë, ku arroganca ndaj pushteteve preferohej të ishte thelbi i veprimit.
Një nga taktikat kryesore të strategjisë së Serbisë ka qenë dhe mbetet, krijimi i konfliktit të shqiptarëve me administratën e bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithashtu në mes vete. Se a ka mundur të katapultohej me forma të injektimit ky diskurs, do të mbetët të shihet. Nga që institucionet tona përkatëse të intelegjencës, nuk janë udhëhequr nga përkushtime të shquara asnjëherë, as nga formime të ndërgjegjshme në nivelin e duhur, e as me edukim profesional meritor poashtu. Rrjedhimisht ky diskurs ka qenë i favorizuar në objektivin e tij, për ta krijuar identitetin e tij, i cili në zgjedhjet e fundit, doli më i adhuruar se gjithë të tjerët.
Gjithashtu, institucionet e bashkësisë ndërkombëtare janë atakuar vazhdimisht në kohë të ndryshme nga ky fomacion me aksione të ndryshme e me dizajnim kuq e zi. Sikur të ishte qëllim në vete, për efekte të caktuara, pa u brengosur se po krijohej një hamendësim dhe indisponim në qendrat e vendosjes në institucionet ndërkombëtare, që përkrahja e tyre për vendin dhe për synimet e popullin tonë, ishin dhe janë jetike.
Asnjëherë nuk duhet ta fshehim se kjo përkrahje për afirmimin e Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, ishte dhe ende është në mbështetje të kauzës sonë nacionale për realizimin e synimeve tona historike, pa pasur nevojë të trumbetohej ky qellim, e pa preferuar të valëvitet flamuri ynë shpirtëror, kuqezi. Breza të tërë veprimtarësh të sotëm, jemi betuar në atë flamur, për një kauzë që është në fazën e kapitujve të fundit për tu realizuar.
Në qoftë se deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës është kërkuar që përpjekjet tona për realizimin e kësaj kauze të shoqërohen doemos me dizajn kuqezi, për ta krijuar identitetin e brezave me simbole nacionale dhe gjithashtu deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ishte shenjë e shenjtë emocionale dhe identitare. Kështu, deri në këtë fazë ky identitet është sforcuar me adhurime të tilla mjaftueshëm, madje më shumë në etninë shqiptare jashtë shtetit shqiptar, se sa brenda tij.
Nga 17 shkurt 2008, filloi krijimi i identitetit të Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në kushte e rrethana të caktuara. Si projekt politik, është i pa diskutueshëm, i pa dilemë, i pa hamendshëm se është në interes të shqiptarëve të Kosovës, në interes të shqiptarëve në përgjithësi dhe në interes të synimeve tona historike. Sepse ky projekt ka përkrahjen e unifikuar të bashkësisë së shteteve mike, deri në anëtarësimin e Kosovës në OKB, në NATO e BE dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtar.
Ky formacion që fitoi në këto zgjedhje nacionale në Kosovë, fillimisht ishte një diskurs i të rinjve revoltues të motivuar nga shumë motive sociale e politike, tani është krijuar një projekt politik. Si i tillë për çdo vit radhët e këtij formacioni janë rritur me pa kënaqësi konkrete dhe reale. Duke grumbulluar në përbërjen e vet një amalagamë origjinash shumë karakteristike e tejet sinjifaktive: prej atyre me përkushtime atdhetare e me identitete të sprovuara e deri te protagonistë me origjinat me damkë dëshmie kalaboriste, jashtëzakonisht irituese, të cilat deri në rritën e këtij formacioni, një pjesë prej këtyre kanë qenë eminenca gri, mentorë e pragmatist periferik, jo shumë publik, por që tani e një kohë, me ritëm e takt, gjatë riciklimeve zgjedhore, janë në radhët e figurave identitare.
Ky fakt i pamohueshëm e krijon dyshimin e bazuar, se është investuar gjatë në qendra të njohura antishqiptare për ta krijuar, jo vetëm këtë konflikt procesesh të deri tashëm, por me këtë diskurs ndryshimesh edhe një epokë konfliktesh në gamë më të gjerë e në staza më të gjata. Sepse një nga qëllimet kryesore të projektit është, mundësisht edhe krijimi i kushteve dhe rrethanave për përplasje brenda nesh me pasoja afatgjata. Kjo e vërtetë nuk mund të mbulohet as me mundësitë e sistemit që ekzistojnë aktualisht, e as me retorikën e sofistikuar që kanë perfeksionuar deri tani në ballafaqimet e ideve dhe koncepteve, të qëllimeve dhe objektivave utilitare dhe strategjike, fituesit e këtyre zgjedhjeve.
Ndërgjegjja jonë nacionale është para një sfide që duhet të triumfoj gjithsesi pa përplasje e pa trandje në këtë tranzicion të pushtetit. Pse e si ndodhi ky ndryshim, është pyetje e pjesës më të madhe të elektoratit dhe e qytetarëve që gjatë procesit të votimit kanë qenë indiferent, por pas rezultatit të zgjedhjeve janë të ndrojtur për pasojat e mundshme dhe kurreshtar e aspirues për perspektivën e proklamuar.
Përgjigjja kërkon një studim të përkushtuar sociopolitik, nën thjerrëzat e kësaj qasjeje autoriale ku spikatë guximi dhe paanshmëria, kompetenca dhe parimësia. Por për qëllimin e këtij shkrimi mjafton të ndalem në karakteristika të dukshme dhe të pa diskutueshme. Pavarësisht këtyre origjinave gjithnjë të diskutueshme dhe të rëndësishme në çdo analizë, megjithatë edhe po të jenë të gjithë me origjina e identitete brilante në formacionin fitues dhe kipce të gjalla të korifejve të kombit, duke qenë përfaqësues dhe bartës të një koncepti sfidues të vizionit tonë nacional, natyrisht se do të jenë me skepsa proceset në vijim.
Gjithashtu, ky diskurs dhe vizioni që përfaqësojnë dy formacionet politike që dolën të parat në këto zgjedhje, kanë shije të hidhur me konotacione kërcënuese në perspektivë. Meqenëse ka ndodhur ky ndryshim me preferencë të votës së lirë të qytetarëve, është mirë dhe e domosdoshme që të provohet edhe me modelin qeverisës që preferon ky koalicion se a mund të krijojnë kushte dhe rrethana më të favorshme për vendin tonë se sa qeverisjet e mëparshme. Përfundimisht, për t’u bindur për kapacitetet dhe perspektivat që mund të krijojnë këto formacione politike.
Vendit tonë nuk i duhet stagnimi dhe stërkeqja e proceseve në zhvillim edhe më tej. Prandaj është interes i përgjithshëm që ky ndryshim politik të tregoj edhe sukses në mandatin e plotë qeverisës. Sa më shumë që të sheshohen dhe të debatohet haptazi nga ndërgjegjja jonë dyshimet në segmente të këtij formacioni e në diskursin e tij politik, mund të jenë ndihmë e madhe në luftën e brendshme në mes të forcave me formime e edukata kombëtare dhe atyre me origjina kolobaracioniste që bashkërisht militojnë në formacionet e fituesit të zgjedhjeve. Meqë, procesi zgjedhor ka përfunduar ashtu sikur edhe herë të tjera në këto 20 vite pas luftës, me kthesa e ndryshime të skenës politike, tani në interes të vendit tonë është triumfimi i protagonistëve me identitet dhe me origjinë të pa diskutueshme që brenda dy formacioneve fituese ka mjaftueshëm, për të bërë ndryshime në diskurs dhe në dizajnim, në hapa praktik dhe në synimin e duhur strategjik.
Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve është renditja e dy formacioneve politike që publikisht dihet se nuk janë trashëgimtare të UÇK-së. Por ky fakt më nuk përbën hendikep për fituesit. Madje mund të themi se është krijuar një realitet që mund të jetë përparësi për momentin. Për këtë realitet duhet kërkuar arsyet.
Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Këtë fitore mund ta gjejmë te dobësitë e tri subjekteve elektorale të identifikuara me luftën e UÇK-së dhe me keqqeverisjet e tyre. Të dy formacionet fituese kanë kritikuar pa rreshtur dhe pa pyetur për të vërtetën për abuzimet në emër të një kauze të shenjtë siç ishte lufta çlirimtare. Këto subjekte kritikat e tyre herë-herë i kanë bërë me shumë të drejtë dhe këtë dukuri e kanë ideuar me fibra shumë të ndjeshëm dhe e kanë fjaskuar në kohë të duhur e në momente kruciale, për ta bërë pjesë të diskursit politik aktual.
Gjithashtu edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore, janë vënë në spikamë duke i glorifikuar tendecat arrogante të tyre. Për këtë arsye ndodhi ajo që as ilimunistët e kauzës së kësaj lufte nuk kanë mundur ta imagjinojnë këtë rezultat.
Abuzimi me pushtetin dhe me sistemin e vlerave, ka çmim të lartë. Ishte për të qarë me lot kur nga identitete respektive të UÇK-së me veprime u stërkeqën nga mbrojtës të vendit, në të paditur si zhvatës të pasurisë publike të vendit tonë. Ndoshta, këto padi nga oponenca deri në një masë, mbase mund të ishin justifikuar heshturazi dhe mund të tejkaloheshin këto veprime, sikur të kishte një kufi për këto akuza edhe joobjektive dhe mosfunksionimi i sistemit gjyqësor për të sqaruar dyshimet e akuzat.
Kjo vetvetiu, ka akomuluar në elektorat në vazhdimësi nga pakëz në heshtje ndjenjën e ndëshkimit dhe hakmarrjes, duke e sintetizuar në formulën tipike hakmarrëse, beso dhe erdhi dita. Këto zgjedhje u imponuan në perceptim si momentum për këtë ndëshkim.
Pavarësisht se janë proceduar para organeve shumë nga protagonistët e dyshuar të këtyre veprimeve irituese të përvetësimeve të ndryshme, masat ligjore nuk mjaftuan. Një pjesë e vogël prej këtyre ishin në lista zgjedhore në të tri formacionet elektorale me origjinë të luftës.
Ky ishte një hendikep për subjektet me origjinë nga lufta e lavdishme e UÇK-së. Pavarësisht se në mes të këtyre subjekteve kishte dallime të dukshme në qasje dhe në veprime. Pastaj edhe brenda këtyre subjekteve kishte reflektime të ndryshme për këto dukuri dhe për pasojat e ndodhura.
Gjithashtu ka dëshmi të shkruara brenda një subjekti që ishte paraparë se po përgatitej fatura e ndëshkimit. Për këto arsye ishin ndërmarrë një sërë veprimesh për ndryshim, që janë të njohura për opinionin. Nga përbërja e listës zgjedhore e deri te retorika elektorale, nga parimet e reja politike, deri te programi qeverisës. Të gjithat ishin impozante dhe entuziaste. Realisht premtuese dhe nga më me perspektivë për vendin tonë dhe nga më të dobishmet për fatin e projektit tonë nacional.
Prioritetet e deklaruara dhe dizajnimi reformator, nuk arriti ta krijojë bindjen në elektorat për këto objektiva se mund të realizoheshin nga ky formacion politik. Përbërja e listës ishte hendikepi parësor. Kështu ishte zvogëluar gama e mbështetësve dhe ishte plotësuar në masë më të madhe disponimi për ndëshkim. Sepse si po duket tani, ishte më e kapshme dhe më konkrete, më e dukshme e më shumë reale dhe më lehtë i perceptueshëm diskursi politik me dizajnim kuq e zi, pavarësisht se do të vërtetohet për një kohë relative se është në dëm të proceseve afirmative të synimeve tona kombëtare.
Për t‘i plotësuar pretendimet në këtë temë, duhet trajtuar ndikimin e Beogradit në organizimet tona nga themelimi i LDK-se, deri në depërtimin e ndikimit në LPRK, për të prodhuar konflikte në këtë organizim dhe duke krijuar ç’orientime në kohë; nga krijimi i organizimeve ilegale me platforma politiko-ushtarake, fatmirësisht të pasusksesshme e deri në tentativat për të ndikuar në prodhimin e degjenerimit në rrjedhat e UÇK-së; nga stërkeqja e rrjedhave të pas luftës e deri tani në ditët tona- ndikimi i Beogradit ishte dhe është i pa evitueshem. Ndikimi në organizimet tona, ka qenë dhe është mision i institucioneve përkatëse të Serbisë.
Ky ndikim, kurrë nuk ishte më i madh se sot. Përkushtimet shqiptare, intelektet tona dhe energjitë e përgjithshme të ndihmuara nga e drejta jonë për liri e bashkim, kanë ndikuar të triumfojnë mbi makinacionet dhe obstrukcionet e Beogradit deri tani përherë.
Jemi me fat që kemi shtetin shqiptar me pozitë të veçantë gjeostrategjike në regjion. Edhe pse me përplasje të paarsyeshme të brendshme në 30 vjetët e fundit, megjithatë aktualisht është në kahje të mbarë gjeopolitike, duke bashkëpunuar me qendrat e vendosjes në glob për përvetësimin e konceptit, se vetëm forcimi i faktorit shqiptar rritë sigurinë në regjion. Kështu me këtë përkushtim në gjithë etninë shqiptare, bashkërisht me këto dallime në këtë brez, duke e bërë kod qëndrimin, pa konflikte asnjëherë pas votës së lirë, me rrotacion pushtetesh doemos, do të arrijmë realizimin e synimeve tona historike!
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...