Google ADS

Komunat veriore ia kanë 14 milionë euro borxh kompanisë së ujësjellësit “Mitrovica”

23:38 | 6 Nëntor 2019
Arbresh.info

Qytetarët e komunave veriore kanë mbi 14 milionë euro borxhe kompanisë së ujësjellësit KRU “Mitrovica”.

Ujin e shfrytëzojnë por nuk e paguajnë.

Bile borxhi që kanë shkaktuar banorët e Mitrovicës së Veriut dhe Zvecanit që nga paslufta është 14 milionë euro.

T7 ka qëndruar gjatë ditës në veri të Kosovës, porse banorët kanë hezituar të flasin.

Por, prapa kamerës qytetarët e kësaj zone, kanë thënë që nuk e paguajnë ujin sepse nuk u vijnë faturat dhe se askush nuk e paguan ujin këtu.

E këto borxhe ia kanë shkaktuar edhe një problem tjetër kompanisë së ujësjellësit KRU “Mitrovica”.

Kështu kjo kompani ka hyrë në borxhe prej 1 milion euro tek kompania tjetër “Ibër Lepenci”, nga kanali i së cilës furnizohet me ujë.

Në shkurt të këtij viti, KRU Mitrovica, nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ibër Lepencin dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomi.

Në të thuhet që MZHE do ta merr përsipër shlyerjen e borxhit paraprak të akumuluar deri me 31 dhjetor 2018.

Ndërkohë, në rast se ministria nuk e shlyen këtë borxh, kjo marrëveshje ia jep të drejtën Iber Lepencit, të vazhdojë me procedurat përmbaruese kundër KRU “Mitrovica”.

Dhe kjo gjë, edhe ndodhi.

“Pasi që MZHE, nuk e ka paguar këtë borxh, Ibër Lepenci e ka çuar rastin tek përmbaruesi privat, që na i ka bllokuar llogaritë bankare dhe sot është data 6, akoma punëtorët nuk kanë marrë paga”, thotë Miftari nga KRU ‘Mitrovica’.

Në marrëveshjen e nënshkruar, po ashtu thuhet që KRU “Mitrovica” obligohet që edhe vet të angazhohet për shlyerjen e borxhit.
Por sipas Miftarit, ata vet kanë paguar rreth 270 mijë euro.

Miftari thotë që tani u janë zhbllokuar llogaritë, por prapë kjo kompani po e ka të vështirë t’i ekzekutojë pagat, shkaku i gjendjes në të cilën ndodhën.

Ndërkohë, në Ndërmarrjen “Ibër Lepenci” thonë që deri të bllokimi i llogarive erdhi pasi që palët e përfshira nuk e respektuan marrëveshjen.

“Me 14.02.2019 e kemi arrit një marrëveshje me MZHE dhe KRU Mitrovicën, e kësaj nuk i janë përmbajtur asnjëra palë. Andaj kemi qenë të obliguar që në bazë të ligjit t’ua bllokojmë llogaritë. I kemi bllokuar llogaritë e KRU Mitrovica, por pas kërkesës së MZHE, i kemi zhbllokuar ato llogari”, ka thënë Lushtaku nga kompania “Ibër Lepenci”.

Lushtaku thotë që në rast se këto borxhe nuk shlyhen deri në fund të këtij viti, ata do të veprojnë përsëri njëjtë.

Për këtë, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përmes telefonit kanë thënë që janë duke u angazhuar që ta zgjidhin këtë çështje, ndonëse nuk e kanë sqaruar se pse nuk e respektuan marrëveshjen e nënshkruar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme