Google ADS

Reforma zgjedhore, votim edhe emigrantëve

19:27 | 6 Nëntor 2019
Arbresh.info

Kontrolli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë fushë-beteja kryesore e partive politike, sa herë që në Shqipëri ka pasur zgjedhje, por historia pritet të marrë fund me ndryshimet e reja në kodin elektoral.

Ekspertët e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore propozojnë që KQZ aktuale të shkrihet dhe të riformatohet si institucion me përgjegjësi të ndara, në kompetenca dhe i përbërë nga tre autoritete.

Si organ parësor propozohet të jetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili ushtron kompetencat ekzekutive dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Autoriteti i dytë i përbërë nga 5 anëtar është Komisioni Rregullator kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet.

Ndërsa, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në përbërje të së cilit parashikohen 3 anëtarë do të shqyrtojë ankimimet e partive politike.

Institucionet e reja te administrimit zgjedhor kanë mandat të ndryshëm 7, 5 dhe 9 vjeçar ndërsa mënyra e përzgjedhjes në Parlament është e njëjtë, me shumica prej 84 votash ndërsa në rast dështimi Kuvendi përdor shortin për kandidatët e propozuar.

Ekspertët mendojnë që KQZ-së t’i lihet në dorë implementimi i teknologjisë në zgjedhje dhe administrimi i votës së emigrantëve. Administrata e riformatuar zgjedhore është e detyruar që teknologjinë ta zbatojë nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 20 përqind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.

Ndërsa, emigrantëve duhet tu garantohet i njëjti sistem dhe siguri votimi si zgjedhësve brenda vendit.

Amendamentet përcaktojnë depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore, përmes krijimit të zyrtarëve zgjedhorë të cilët vijnë nga radhët e nëpunësve civilë ose jashtë administratës shtetërore./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme