Google ADS

SHBA, demokratët publikojnë tekstet e dëshmive

22:07 | 4 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch tha gjatë një hetimi të demokratëve të Kongresit që synojnë shkarkimin e presidentit, se ajo ndihej e kërcënuar nga Presidenti Donald Trump, sipas një teksti të zbardhur të dëshmisë së saj të publikuar të hënën.

Ajo iu referua njoftimeve se Presidenti Trump e kishte përshkruar para udhëheqësit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, si “lajm të keq”.

Sipas tekstit të publikuar, ish ambasadorja tha në dëshminë e datës 11 tetor: “Isha shumë e shqetësuar dhe akoma jam”. E pyetur nëse ndjehej e kërcënuar, zonja Yovanovitch u përgjigj “po”, thuhet në transkript.

Hetimi ndaj presidentit republikan është përqendruar në një telefonatë të 25 korrikut në të cilën zoti Trump i kërkoi Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy të hetonte rivalin e tij politik, Joe Biden, ish-nënpresident dhe kandidat demokrat për president.

Nga një përmbledhje e tekstit të telefonatës, të publikuar më parë nga Shtëpia e Bardhë, del se Presidenti Trump i tha zotit Zelenskiy se ambasadorja ishte një “lajm i keq” dhe se do të “kalonte nëpër disa gjëra”.

Presdenti Trump ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe e ka mbrojtur telefonatën me Zelenskiy-n si “të përkryer”, duke akuzuar demokratët se e kishin vënë në shënjestër, për të prapësuar rezultatin surprizë të zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.

Në dëshminë e saj, një pjesë e së cilës ishte publikuar në media, ish-ambasadorja Yovanovitch u tha gjithashtu ligjvënësve se ajo ishte

“tronditur” që zoti Trump e kishte përmendur atë vazhdimisht gjatë telefonatës.

Të hënën, disa komisione të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan edhe tekstin e një interviste me zotin Michael McKinley, ish-këshilltari i lartë i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

McKinley u tha hetuesve se ai ishte dorëhequr për shkak të shqetësimeve se ambasadat e SHBA jashtë vendit po përdoreshin për të gërmuar baltë për qëllime politike si dhe për shkak të “dështimit” për të mbrojtur diplomatët e SHBA, gjithnjë sipas tekstit të dëshmisë.

Ai tha se rekomandoi të bëhej një deklaratë në mbështetje të zonjës Yovanovitch në klimën e vendimit për largimin e saj nga ambasada, por shtoi se sekretari Pompeo preferoi që deklarata “më mirë të mos bëhej… në këtë kohë”.

Nga ana e saj, zonja Yovanovitch diskutoi gjerësisht me ligjvënësit për marrëdhëniet e saj me zyrtarët ukrainas dhe shqetësimet për korrupsionin.

Ajo tha se në fund të vitit 2018 kishte mësuar për herë të parë se avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, ishte përfshirë në Ukrainë kur zyrtarët ukrainas e njoftuan për komunikimet e ish kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut me një ish-prokuror të përgjithshëm ukrainas.

Lidhjet e zotit Giuliani me Ukrainën kanë qenë një temë e dëshmive gjatë procesit të hetimit në Dhomën e Pëfaqësuesve.

Zonja Yovanovitch u shkarkua si ambasadore, pas një fushate në të cilën ishte përfshirë zoti Giuliani, i cili vuri në dyshim besnikërinë e saj ndaj presidentit./VOA

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme