Google ADS

Prokurorja e pyet për bisedat me Adem Grabovcin, Besim Beqaj thotë se s’ka bërë asnjë shkelje

17:00 | 4 Nëntor 2019
Arbresh.info

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në seancën e së hënës, në gjykimin e rastit “Pronto”, ka mohuar që të ketë bërë ndonjë shkelje ligjore në kohën sa ka qenë në këtë pozitë.

Në seancën e së hënës, pasi që trupi gjykues ka administruar si prova, propozimet e prokurores së rastit, Drita Hajdari, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve në rastin “Pronto”, në të cilin akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.

Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-ministri Beqaj, pasi që fillimisht është marr në pyetje nga mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, më pas seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje nga prokurorja Drita Hajdari.

“Ju na shpjeguat procedurat ligjore për përzgjedhjen e kryeshefave ekzekutiv dhe bordeve të ndërmarrjeve publike. A është i përcaktuar me ligj edhe këmbimi i mendimeve për këto procedura ?”, e pyeti prokurorja Hajdari, të akuzuarin Beqaj.

Ky i fundit u përgjigj duke thënë se një ministër në detyrë, jo vetëm me një shef të grupit parlamentar, por flet në telefon edhe me kryeministrin dhe ministrat tjerë, kryetar të tjerë të grupeve parlamentare të tjera, për qëllim, që siç tha Beqaj, të arrij maksimumin e obligimit ligjor që ka në raport me dikasterin që udhëheq.

“Ne folëm për përzgjedhje të bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv jo për raporte partiake. A ka përcaktuar ligji kontaktimin me deputetin për procedurën e shpalljes së konkursit të bordit, zgjedhjen e bordeve apo anulimin e konkurseve të bordeve”, ishte pyetja pasuese e prokurores Hajdari.

Mirëpo, këtë pyetje e kundërshtoi mbrojtësi i Beqajt, avokati Berisha, i cili tha se klienti i tij nuk është në gjykatë në cilësinë e ekspertit ligjor.

E lidhur me kundërshtimin e avokatit Berisha, reagoi prokurorja Hajdari

“I akuzuari ke ekspert ligjor kur u përgjigj më herët, kurse tash po del se nuk është. Një orë na mbajti ligjërata për ligj më herët”, tha Hajdari

Pas kësaj, prokurorja e ballafaqoi të akuzuarin Beqaj me përgjimet ku dëgjohet duke komunikuar me të akuzuarin tjetër në këtë rast, Adem Grabovci, ku prokurorja kërkoi nga Beqaj t’i shpjegojë se çka kishte nënkuptuar kur i kishte thënë Grabovcit “a t’ju thom qityne dyve që t’i rishpallim Trainkos dhe Infrakos”, e ku pastaj Grabovci ishte përgjigjur “Sejdës i thash, por thuj edhe atij tjetri”, e ku Beqaj i ishte përgjigjur “Vallahi pi thom, o ka qet kushte o ka qet qkokla”.

“Pasi që s’keni qenë kompetentë, pse i keni thënë Adem Grabovcit që të rishpallen konkurset në Trainkos dhe Infrakos ?”, e pyeti prokurorja Hajdari, të akuzuarin Beqaj.

Përgjigja e Beqajt, ishte se prokuroria nuk e ka të qartë se a është duke folur për borde apo për çka, duke shtuar se biseda ka pasur edhe me shumë persona tjerë për mbarëvajtjen e qeverisë, duke përfshirë edhe kryeministrin, por që siç tha Beqaj, nuk kishte bërë asnjë shkelje.

Edhe pyetja e radhës e prokurores se biseda e lartcekur ishte zhvilluar derisa kishte qenë i hapur konkursi për drejtor të bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv, nxiti reagimin e avokatit Berisha, i cili tha se në këtë pyetje ka mungesë logjike, pasi sipas tij, këtu po flitet për rishpallje, kur veçse ka pasur konkurs të hapur.

“Nëse nuk don i pandehuri mu përgjigj për këto përgjime le të thotë. Unë mendoj që pyetja ishte e qartë, por avokati e shtrembëron. Nëse s’ka qenë kompetent, pse i thotë Ademit, ‘a ti thom ktyne dyve që ti rishpallim”. Pra, për Trainkos dhe Infrakos mi rishpall”, deklaroi prokurorja Hajdari.

Mirëpo, Beqaj vazhdoi të insistojë në atë se nuk ka bërë asnjë shkelje në veprimet e tij, duke thënë se asnjë ligj nuk e ndalon të flas në telefon.

“Unë do doja të dija sot kush është i diskriminuari sepse po flasim me fakte. Kënd e kam dëmtuar, ku është pasoja ?”, ishin pyetjet që i parashtroi i akuzuari Beqaj.

Prokurorja e ballafaqoi Beqajn edhe me disa përgjime tjera që lidhen me PTK-në, ku dëgjohen biseda mes Beqajt dhe Grabvocit, ku thuhet se Beqaj i ishte drejtuar Grabovcit me “nesër bordi i PTK-së duhet me marr vendim për ushtrues detyre”, me ç’rast Grabovci i përgjigjet “Ok ok bisedojë me të”, e ku pastaj Beqaj vazhdon duke thënë “Bisedo me to se jon tri-katër çështje që duhet mu marr”.

“Pse ju i drejtoheni një deputeti dhe i thoni se duhet me marr vendim për ushtrues detyre në PTK ?”, e pyeti Beqajn, prokurorja Hajdari.

“Unë e shpjegova se në një ndërmarrje publike, ligjërisht kush mundet të zgjidhet ushtrues detyre. Në këtë kontest, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka ekzistuar dhe ekziston një njësi për monitorim të ndërmarrjeve publike e cila, i përgjigjet këshillit ministror për ndërmarrje publike. Për më shumë, çfarëdo lloj vendimi tjetër do të ishte i jashtëligjshëm. Pra unë, në komunikimet e mia dhe në punën time, kam fol edhe me të tjerë sepse për ndërmarrjet publike, në emër të këshillit ministror për ndërmarrje publike, Ministri i Zhvillimit Ekonomik jep raport në Kuvendin e Kosovës”, u përgjigj Beqaj.

Në një bisedë tjetër të përgjuar mes Beqajt dhe Grabovcit, që kishte ndodhur një ditë pas bisedës së lartcekur, prokurorja tha se Beqaj kishte thënë “Asnjë vendim, asnjë hap veç ko me ushtru detyrën”, duke iu referuar kështu ushtruesit të detyrës në PTK. Lidhur me këtë, Hajdari e pyeti Beqajn se a i ka ushtruesi i detyrës të njëjtat kompetenca me kryeshefin ekzekutiv.

Pasi që i akuzuari Beqaj filloi të përgjigjet duke thënë se “Aty thuhet se Bordi Drejtues ko me marr vendim”, ndërhyri prokurorja e cila iu drejtua të akuzuarit me fjalët “ju nga prapaskena”, çka nxiti reagimin e Beqajt, i cili tha se nuk ka funksionuar, e as nuk funksionon nga prapaskena.

“Jo unë, nga prapaskena nuk kom funksionuar as nuk funksionojë. Ku është krimi këtu, ku është vepra kur unë kam thënë se duhet mu ushtru detyra. Ndërmarrja ka qenë në proces të privatizimit, dhe veprimet jo kompetente do të kishin pasoja në proces dhe ministri do të ishte përgjegjës para Kuvendit për performancën publike”, tha Beqaj.

Pyetjen e radhës se prokurores, se “a po i bie që ky ushtrues detyre ka funksionuar si dekor”, nuk e lejoi trupi gjykues.

Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti nuk e lejoi as pyetjen e prokurores se nëse dikush do t’i thoshte Beqajt se “veç ko me ushtru detyrën, por s’ka me marr asnjë hap”, a do të konsideronte ky i fundit si cenim.

Pasi që e lexoi një pjesë të përgjimit, ku Beqaj i drejtohet Grabovcit me “ani e lojmë nesër për takim, u takova unë me atë jaranin pram”, prokurorja e pyeti të akuzuarin se kush është “jarani”, por as kjo pyetje nuk u lejua nga ana e trupit gjykues.

Gjithashtu, trupi gjykues nuk e lejoi edhe pyetjen e radhës së prokurores, e cila kërkoi nga i akuzuari të dijë nëse në përgjimet ku dëgjohen Beqaj dhe Grabovci, duke përmendur emrin “Agim”, a bëhet fjalë për Agron Thaqin.

Trupi gjykues nuk e lejoi këtë pyetje, me arsyetimin se nuk është pjesë e dispozitivit të aktakuzës.

“Keni mujt me pyet në hetime, me vet kush është Agron Thaqi”, tha gjykatësi Hoti.

“Biseda e 16 dhjetorit, Besimi i thotë Ademit “ata e anulun, nesër shpallet tjetri”. Ademi i përgjigjet “bravo mirë shumë”. Çka keni anulu ?” e pyeti prokurorja Beqajn, mirëpo, ky i fundit refuzoi të përgjigjet në këtë pyetje.

Gjatë rimarrjes në pyetje që i bëri të mbrojturit të tij, avokati Besnik Berisha, e pyeti Beqajn se kush kishte qenë kryeministër në kohën kur flitet në aktakuzë dhe përmendet në përgjime, me Beqajn që u përgjigj se kishte qenë, Hashim Thaçi.

“A e ka thirr prokuroria najherë atë, a je në dijeni ti”, e pyeti Berisha të mbrojturin e tij, me Beqajn që u përgjigj se sa është në dijeni, një gjë të tillë nuk e kishte bërë prokuroria.

Berisha e pyeti të mbrojturin e tij edhe se kush do mbahej përgjegjës për performancën e dobët të ndërmarrjeve publike.

“Qeveria është aksionar i vetëm. Performanca në Kuvend është paraqitur përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Komiteti Ndërministror dhe ministria e linjës mbahen përgjegjës, në rastin konkret kam qenë unë.”, tha Beqaj, i cili gjithashtu tha se ka pasur raste kur edhe janë anuluar konkurse për shkaqe të ndryshme pasi për një gjë të tillë u pyet nga avokati Berisha.

I akuzuari u pyet nga avokati tij edhe lidhur me vendimet për emërim të drejtorëve në “Infrakos” dhe “Trainkos”, të cilat Berisha tha se mbajnë nënshkrimin e Hashim Thaçit.

Lidhur me këtë, Beqaj tha se asnjë vendim nuk ka mund të merret pa kaluar nga zyra e sekretarit të përgjithshëm dhe kryeministrit.

Ish-ministri Beqaj, po ashtu tha se në mbledhjet e Qeverisë vendimet janë marr me vota nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, ndërsa, përveç tij, tha se nuk ka dijeni se është ftuar apo akuzuar dikush tjetër.

Në fund të marrjes së tij në pyetje, Beqaj tha se për zgjedhjen e drejtorëve dhe kryeshefave ekzekutiv nuk kërkohet përkatësia politike, por kritere etike e profesionale, si dhe edukim paraprak.

“Në fund, dua të besoj se faktet janë element thelbësor dhe sigurojnë siguri juridike për të gjitha palët. Unë asnjëherë, në asnjë rrethanë, as nuk kam bërë veprim jo ligjor as hapa që kanë dëmtu ndërmarrjet, nuk kom shkel ligjet dhe kjo është arsye se pse unë e nij vetën të dëmtuar në reputacion personal, human, familjar dhe besoj që gjykata këtë rast do ta zgjidh siç duhet dhe ne të kthehemi aty ku kemi filluar.”, përfundoi mbrojtjen e tij, ish-ministri tashmë i akuzuar, Besim Beqaj.

Njëjtë sikurse kishin vepruar të akuzuarit tjerë në këtë rast, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti dhe pjesërisht edhe Ilhami Gashi, edhe i akuzuari Nijazi Kryeziu tha se do të mbrohet në heshtje.

Pasi që u përgjigj në dy pyetje të mbrojtësit të tij, avokatit Kujtim Kërveshi, ku tha se në dhjetor 2011, nuk kishte pasur funksion publik në Kuvend të Kosovës apo Qeveri dhe se për këtë akuzë, asnjëherë nuk kishte dhënë deklaratë në prokurori, Kryeziu tha se do të mbrohet në heshtje pasi s’ka çka të deklaron.

Lidhur me mos intervistimin e tij në prokurori, reagoi prokurorja e pastaj edhe gjykatësi Hoti, i cili tha se e ka deklaratën të cilën me autorizim të prokurores e kishin marrë nga i akuzuari, Njësia e Krimeve Ekonomike.

Seanca e radhës ku pritet që të japin mbrojtjen e tij edhe ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe të akuzuarit tjerë është caktuar të mbahet më 25 nëntor, ora 9:00.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme