Obiliqi me ligj, por banorët nuk përfitojnë asgjë

20:41 | 2 Nëntor 2019
Arditë Shkodra

Ka kohë që është bërë miratimi i ligjit të Obiliqit, por qytetarët ende po jetojnë në rrezik. Sipas drejtorit të QKMF’së, në këtë komunë vizitat mjekësore çdo herë janë në rritje. Derisa kryetari i Obiliqit, ka thënë se nga viti i ardhshëm do të fillojë të zbatohet ky ligj nen për nen.

Ligji përcakton Komunën e Obiliqit dhe rrethin e tij si zonë me rrezik të veçantë mjedisor.

Gjendja alarmante e ajrit u është bërë përditshmëri banorëve të Obiliqit.

Ajri tejet i ndotur, po shkakton sëmundje të shumta.

Problemet shëndetësore fillimisht vërehen në organet e frymëmarrjes dhe po shfaqen tek fëmijët.

“Ankesat kryesore të qytetarëve të Komunës së Obiliqit, janë sidomos ankesat që kanë të bëjnë me sistemin respirator. Brenda vitit kemi 100 mije vizita. Vetëm 6 mujorin e parë të këtij viti kemi 54 mije vizita. Edhe kjo është një gjendje e cila për çdo vit përcillet prej 8 mijë deri 13 mijë vizita më shumë. Duke filluar nga fëmijët, 50% e tyre janë si pasojë e ndotjes së ambientit”, është shprehur drejtori i QMF’së në Obiliq, Haki Jashari.

Banorët e Obliqit përballen me këto probleme që u vijnë për shkak se jetojnë në afërsi të KEK’ut, por nuk përfitojnë asgjë ndonëse ka një ligj që u garanton atyre përfitime.

Tri vjet më parë, Kuvendi i Kosovës, miratoi “Ligjin për Obiliqin”.

Ky ligj përcakton Komunën e Obiliqit dhe rrethin e tij si zonë me rrezik të veçantë mjedisor.

Në një nga pikat kryesore të këtij ligji, thuhet se qytetarët do të kenë kosto më të ulët për energji elektrike.

Por, sa po zbatohet dhe a kanë përfituar nga ky ligj?

“Po e di qe është aprovuar po s’ka kurrgjë prej asaj, veç rren. Veç manipulime dhe popullin me rrejt. Asgjë hiç ski rren është krejt”, ka thënë një qytetar i kësaj komune.

“Tash kanë filluar procedurat, rrymën me na e paku pak. Deri tash s’ka pas përfitim se s’u kanë ligji në fuqi, u kon në fuqi po se kanë zbatuar e tash e kanë filluar. Komuna po merr masa po Kek’u nuk po i përfillë, bile gjatë vikendeve është shumë keq.”, ka thënë një banor tjetër.

Zbatimi i këtij ligji, do të ishte shumë i mirëseardhur edhe për pensionistët e kësaj komune.

“Meqenëse unë e kam një numër të pensionisteve që më një pension i mbajnë 7-8 anëtarë të familjes, e nëse ka 50% zbritje për energji elektrike, ajo do të jetë e mirëseardhur. Tek tash kanë filluar m’i marrë  shënimet e faturave elektrike, dhe thuhet se do të kemi zbritje por sa, nuk e di”, ka thënë një banor i Obiliqit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se nuk janë ndalur duke e mbështetur këtë komunë.

“Përkundër faktit që nga buxheti ynë janë marrë 1 milion euro për Obiliqin, kemi vazhdu me mbështet këtë komunë në projekte të ndryshme mjedisore. Nuk mund të them se ka një zbatueshmëri të madhe të këtij ligji, sidoqoftë është mirë që Obiliqi tashmë e ka ligjin e vet”, është shprehur ministri në largim, Fatmir Matoshi.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, përmes një deklarate për T7, tregoi se duke filluar nga viti 2020, do të zbatohet secili nen dhe pikë e Ligjit.

“Viti 2019, arriti të jetë vit i mbarë për Obiliqin, duke kthyer tantiemen e 20%, buxhet shtesë për ne. Tani jemi duke punuar e disa edhe në finalizimet e Rregulloreve të Brendshme të cilat derivojnë nga Ligji i Obiliqit. Viti 2020, është sfidues, sepse ne përveç tantiemes të cilën tanimë e gëzojmë, presim të zbatohet secili nenë dhe pikë e Ligjit, i cili është jetik për ne”, ka thënë Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.

Zyra e Rregullatorit për Energji tha se ky ligj nuk është pjesë e pakos së ligjeve për energji, dhe se për fillimin e zbatueshmërisë së tij, do të nevojitet bashkëpunim me qeverinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme