Google ADS

A mund të përjashtohet Turqia nga NATO?

22:25 | 1 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Sipas një anketimi shumica e gjermanëve janë për përjashtimin e Turqisë nga NATO – shumë politikanë e mbështesin këtë ide. Por një gjë e tillë duket jo realiste.

Operacioni ushtarak i Turqisë në veri të Sirisë i ka rënduar edhe më tej marrëdhëniet me NATO-n. Ndaj edhe thirrjet për përjashtimin e Turqisë nga aleanca po përforcohen: Krahas politkikanëve të majtë edhe kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Rolf Mützenich, e vë në pikëpyetje antarësimin turk në NATO. Edhe një pjesë e gjerë e popullsisë gjermane janë për këtë: Në një sondazh të Institutit të Demoskopisë, YouGov mandatuar nga Agjencia Gjermane e Lajmeve, (DPA) 58 përqind e të anketuarve janë shprehur për përjashtimin e Turqisë nga NATO, vetëm 18 përqind ishin kundër këtij opcioni.

Ku konsiston grindja?

Për qeverinë turke operacioni ushtarak në veri të Sirisë ishte një sukses i madh: Me këtë është cënuar ndjeshëm krijimi i një shteti kurd. Përveç kësaj në bashkëpunim me forcat ruse është larguar nga kufiri siriano-turk milicia kurde, YPG e konsideruar prej Ankarasë si terroriste.

Operacioni është në interesin e politikës së Ankarasë për sigurinë. Njëkohësisht ky mision është në një situatë të qartë të konfliktit të interesit me shumicën e vendeve të NATO-s: Ndërhyrja ushtarake e ka forcuar të ashtuquajturin Shteti Islamik (IS)dhe ka lehtësuar arratinë e luftëtarëve IS, është kritika nga Perëndimi.

Ky operacion ka forcuar edhe konkurrenten më të madhe të NATO-s, Rusinë. Operacioni i ashtuquajtur “Burimi i paqes” e ka ndihmuar Moskën, të konsolidojë pozicionin e saj si fuqi e madhe në Siri dhe ta etablojë Sirinë si “shtet vasal” të Kremlinit.

Ndërkohë që shumica e vendeve të NATO-s e kritikojnë ashpër operacionin – madje ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e konsideron atë si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”-, qeveria turke e vlerëson operacionin si luftë kundër terrorizmit. Nuk priten akuza, por një “shprehje solidariteti” prej partnerëve të NATO-s, u kundërpërgjigj ndaj kritikave ministri i Jashtëm turk.

Cili është prologu?

Tensionet mes Ankarasë dhe NATO-s muajt e fundit vazhdimisht kanë pasur ulje ngjitje. Veçanërisht grindja për sistemet ruse të raketave S-400 tregoi, se sa pak besim ka ndërkohë mes qeverisë turke dhe partnerëve të NATO-s. Kjo sepse Turqia vendosi kundër mbrojtjes së hapësirës së saj ajrore me një sistem amerikan raketash. Në vend të kësaj, Turqia bleu sistemin e armatimit S-400 nga kundërshtarja e NATO-s, Rusia.

Perëndimi ka rezerva sigurie në këtë kontekst. Druhet, se Kremlini përmes teknikës së radarëve S-400 mund të krijojë akses tek informacionet sekrete të NATO-s. Amerikanët në SHBA u indinjuan prej veprimit të mëvetësishëm të Ankarasë aq sa madje i vendosën një ultimatum partnerit të NATO-s duke e kërcënuar me sanksione ekonomike. Edhe ditën pas fillimit të ofensivës ushtarake turke, presidenti i SHBA-së kërcënoi personalisht homologun e tij Erdogan, se “do ta shkatërrojë ekonominë turke”.

Gjithashtu partnerët e NATO-s kanë shqetësim, se bashkëpunimi ushtarak dhe në politikën e jashtme me Moskën mund të nxisë largimin e Ankarasë nga aleanca me partnerët perëndimorë të aleancës. Ekspertët mendojnë, se presidenti rus me politikën e tij ndaj Turqisë përpiqet të përçajë NATO-n.

A mund të ketë së shpejti përjashtim të Turqisë nga NATO?

Një përjashtim i Turqisë nga NATO në aspektin ligjor nuk ka gjasa e madje është pothuajse i pamundur. Marrëveshja e NATO-s nuk parashikon që një vend të përjashtohet nga aleanca transatlantike. Por një vend anëtar sipas nenit 13 në marrëveshjen e NATO-s mund të shpallë vetë daljen prej saj.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e ka quajtur si “të çuditshëm” një përjashtim të Turqisë. Përjashtimi i saj mund të bëjë që të krijohet “një rrezik i ri i madh sigurie në kufirin lindor të BE-së.”

Edhe në takimin e NATO-s javën e kaluar nuk pati shenja për izolim. Përkundrazi: rëndësia strategjike e Turqisë u theksua edhe më fort. Nuk është habi, sepse Turqia është për aleancën e rëndësishme – me pozicionin e saj gjeostrategjik mes Lindje e Perëndimit si një urë lidhëse. Pa Turqinë NATO do të ishte më pak e aftë për veprim – p .sh. në luftën kundër terrorit apo drejtimin e valës së refugjatëve. Po ashtu Turqia ka ushtrinë e dytë për nga madhësia ndër shtetet e NATO-s – një përjashtim i saj do t’i prekte ndjeshëm kapacitetet ushtarake të aleancës mbrojtëse.

A mund të dalë Turqia vetë nga NATO?

Edhe ky variant është i pamundur. Sepse mes aleancës mbrojtëse dhe Turqisë ka një varësi reciproke. NATO i hap Ankarasë një platformë bisedimesh me vendet më të fuqishme të botës. Turqia gjithashtu është shumë e izoluar në aspektin e politikës së jashtme. Këtë e tregon më së miri edhe operacioni ushtarak në veri të Sirisë. E gjithë bashkësia ndërkombëtare – madje edhe shtetet arabe e myslimane – ishin kundër operacionit. Mbrojtja ushtarake nga aleanca më e fortë ushtarake në botë është një faktor i pashmangshëm sigurie për një vend të izoluar si Turqia./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme