Google ADS

Haradinaj priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

18:05 | 1 Nëntor 2019
A. B.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme rreth Kosovës por edhe më gjerë.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi ambasadorin Abbott për progresin e përgjithshëm në Kosovë, zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, për funksionimin dhe forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin e reformave në vend dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe e njoftoi atë për procesin zgjedhor të 6 tetorit, që siç tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, rezultoi të jetë fer dhe demokratik, përmes së cilit u dëshmua një pjekuri e lartë politike, por edhe qytetare.

“Populli dhe Qeveria e Kosovës janë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për Kosovën në krijimin e marrëdhënieve të mira në funksion të zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme dhe uroj që partneriteti ndërmjet dy vendeve tona të vazhdojë në të gjitha fushat e interesit reciprok”, tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, duke shprehur mirënjohje të sinqertë në emër të qytetarëve të Kosovës për gjithë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i shtyrë përpara proceset jetike në konsolidimin e shtetësisë së vendit.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Haradinaj e ka falënderuar ambasadorin Abbott për mbështetjen e vazhdueshme që shteti ynë mik, Mbretëria e Bashkuar, i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit, dhe tani në fazën e shtetndërtimit, në të njëjtën kohë ka kërkuar vazhdimin e mëtejmë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoj edhe më tutje përkrahjen për Kosovën. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme