Google ADS

Shkolla në renovim, nxënësit e Fushë Kosovës mësuan në oborr

13:18 | 31 Tetor 2019
Arbresh.info

Në shkollën “Zejnel Salihu” në fshatin Bardh i Madh, të premten nuk do të mbahet mësim. Kjo për shkak se në këtë shkollë janë duke u kryer disa punime.

Kështu ka deklaruar, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani. Ai ka thënë për lajmi.net, se në pyetje është vetëm një ditë pushimi, e cila më pas do të zëvendësohet.

“Është fjala vetëm për një ditë, për shkak se janë duke e bërë pastrimin e koridorit. Jemi duke e rregulluar koridorin për shkak se duhet të hiqet një shtresë, duhet të grryhet patjetër dhe të renovohet. Për këtë, po na duhet një ditë e lirë por atë do ta zëvendësojmë”, ka deklaruar Shabani.

Nga ana tjetër, një burim i ka thënë lajmi.net se në këtë shkollë gjatë kësaj jave nuk është mbajtur mësim i rregullt për shkak të renovimeve. Sipas të njëjtit burim, nxënësit kanë mbajtur mësim me orë të shkurtuara në oborr të shkollës ndërsa tani atyre iu është dhënë katër ditë pushim.

Për këtë, Shabani ka thënë se vetëm për pak orë disa arsimtarë kanë zhvilluar mësim jashtë, për shkak të erës së ngjyrës, e jo në gjithë orarin.

Ai ka përsëritur se nxënësve iu është dhënë vetëm një ditë e lirë, dhe ajo është e premtja.

Shabani ka theksuar se punëkryesi nuk mund të punojë në atë pjesë në prani të nxënësve, dhe për këtë arsye kjo shkollë ka kërkuar një ditë të lirë.

“Vetëm një ditë e kanë pushim, është fjala për të premten, në mënyrë që të zëvendësohet në ndonjë të shtune, për shkak se punëkryesit i duhet patjetër të jetë e lirë sepse nuk mund të punohet në prani të nxënësve”, ka përfunduar Shabani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme