Ky është burgu me sigurinë më të lartë në vend. Në këtë burg vuajnë dënimin të gjithë ata persona që janë të dënuar me mbi 15 vjet heqje lirie.
Siguria e këtij burgu ka kapacitet aq të lartë sa edhe shpendët nuk mund të fluturojnë e të mos vërehen nga oficerët korrektues, të cilët 24 orë vëzhgojnë në gjashtë kullat e vrojtimit të vendosura në gjashtë pika të një muri rrethues mbi 3 metra të lartë që e rrethon këtë burg.
Por, jo vetëm kaq. I gjithë burgu është nën vëzhgimin e kamerave të teknologjisë më të fundit.
Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës, ka kapacitet për 390 të burgosur, por aktualisht prapa grilave të tij janë vetëm 154 të burgosur.
Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj për arbresh.info tregon se si sistemohen të burgosurit këtu.
“Burgu i Sigurisë së Lartë ofron një siguri maksimale, ky institucion ofron 390 dhoma dhe të gjitha janë të madhësisë së njëjtë dhe kushte të njëjta, andaj edhe është vetëm një person në dhomë. Këtu vendosën vetëm persona të cilët kanë dënim mbi 15 vjet, persona që paraqesin rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Ato klasifikohen nga institucioni për klasifikimin e të burgosurve në kuadër të drejtorisë qendrore të burgjeve po ashtu edhe organet tjera të rendit që japin informata për të kaluarën e tyre kriminale”, deklaron Buleshkaj.
Në këtë burg secili nga të dënuarit është i vendosur në dhomë i vetëm. Secili prej tyre ushqehet në dhomë, krejt kjo për shkak të sigurisë, në mënyrë që të burgosurit të mos kenë kontakte me njëri-tjetrin.
“Burgu i Sigurisë së Lartë ofron një siguri maksimale, ky institucion ofron 390 dhoma dhe të gjitha janë të madhësisë së njëjtë dhe kushte të njëjta, andaj edhe është vetëm një person në dhomë. Kemi menynë ditore e cila ndërrohet çdo muaj, të burgosurve i’u ofrohet 3 herë në ditë ushqim, dreka zakonisht është gjellë kurse mëngjesi dhe darka janë ushqim më I thatë. Të gjithë ushqehen nëpër dhomat e tyre, pra nuk shërbehet ushqimi në një sallë siç keni parë nëpër institucionet tjera.”
Dita këtu nisë në ora 7:00 për ata të burgosur të cilët kryejnë punë të ndryshme brenda këtij burgu, për të cilën punë edhe paguhen.
Ndërkaq në ora 18:00 të gjithë të burgosurit kthehen në dhomat e tyre, ku kanë mundësinë të shohin rreth 16 kanale televizive.
“Dita e të burgosurve fillon në ora shtatë, të gjithë ata që punojnë dalin në vende të ndryshme të punës, si në kuzhinë dhe vende tjera, fillojnë punën nga ora shtatë e disa edhe nga ora tetë. Kurse mbyllja e tërësishme e burgut bëhet në ora gjashtë kur të gjithë kthehen nëpër dhomat e tyre, ku kanë mundësinë me shiku programet që i kanë në dispozicion dhe dita e tyre përfundon me fikjen e dritave që bëhet në ora 23:00”, rrëfen ai.
Buleshkaj tregon se në këtë burg aktualisht vuajnë dënimin e përjetshëm dy persona.
“ Për momentin në këtë burg i kemi dy raste me dënim të përjetshëm, njëri është për vepër që ka kryer në një shtet të Evropës dhe me vullnetin dhe kërkesën e tij ka ardhë për të vuajtur dënimin në institucionin tonë, kurse tjetri është për një rast të ndodhur këtu në vendin tonë”, thotë Buleshkaj.
Megjithatë, në këtë burg janë rreth 70 të burgosur, të cilët deri sa janë duke e kryer dënimin që i është shqiptuar nga gjykata, kryejnë edhe disa punë, të cilat ua mundëson ky institucion.
“Ky institucion deri më tash ka ofruar pak vende pune, pasi që edhe dizajni i këtij institucioni nuk ka dhënë shumë hapësirë për vende pune për të burgosur, por ne këtë institucion e mbajmë pothuajse me gjysmën e të burgosurve të cilët janë të këqyr në punë. Rreth 70 është numri i të burgosurve që çdo ditë punojnë”, shton ai.
Kreu i këtij burgu, tregon edhe mundësin që kanë të burgosurit për të punuar këtu. Ai tregon edhe pagën që marrin ata për punët që kryejnë këtu.
“Duke filluar nga pastrimi i hapësirave ku ata jetojnë, korridoreve, sallave të përbashkëta të aktiviteteve, në punëtorinë për përpunimin e drurit, për përpunimin e letrës higjienike, po ashtu edhe mirëmbajtje të objekteve. Po ashtu kemi edhe të burgosur që punojnë në pjesën e jashtme, ata të cilët janë me dënime më të shkurta dhe që kanë vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Varësisht nga vend punimet por ata paguhen për tetë orë punë në ditë. Për momentin pagesa është shume simbolike, ata paguhen 1 euro në ditë për punën që bëjnë”, tregon në detaje Buleshkaj.
Por, ky nuk është përfitimi i vetëm që ka kjo kategori e të burgosurve këtu. Rreth 70 të burgosur të cilët punojnë, por, edhe ata të cilët kanë sjellje të mirë, kanë edhe disa përfitime të tjera, përfshirë fundjavën në familje.
“Po, personat të cilët punojnë në këtë institucion apo edhe që kanë punuar në të kaluarën dhe nuk kanë pasur sjellje të këqija dhe kanë respektuar çdo herë rendin shtëpiak, ne në bazë të ligjit kemi edhe benificionet apo privilegjet që i’u japim. Duke filluar nga telefonatat më të shpeshta, vizitat familjare dhe vizitat e lira me familje, po ashtu edhe shfrytëzimi i benificionit jashtë burgut siç është pushimi në shtëpi.”
Drejtori i këtij burgu shpreson se më ndryshimin e ligjit, do të shtohen edhe ditët e pushimit të të burgosurve në familjet e tyre.
“Normal që këta kanë benificione duke filluar nga telefonatat për çdo ditë me familjet e tyre po ashtu kanë edhe shtatë ditë vikend jashtë burgut, që zakonisht ata I ruajnë për festat kur ata dëshirojnë. Ne presim që me ndryshimin e ligjit këtyre të ju shtohen ditët e pushimit sepse nuk janë të mjaftueshme për ata të cilët e meritojnë vetëm shtatë ditë në vit”, bënë të ditur ai.
Në këtë burg është edhe mjeku kujdestar, i cili është në orar dymbëdhjetë orësh, psikiatri, psikologu si dhe pesë konsultantë që në rast nevoje, për konsulta specialistike ftohen në burg, si dhe infermierët që ofrojnë shërbime 24 orë.
Duke marrë parasysh që është burgu ku vuajnë dënimin personat më të rrezikshëm në vend, këtu nuk mund të mungojnë tendencat për të kontrabanduar gjëra ilegale.
“Për të mos thënë se është absolutisht e pamundur, edhe në këtë institucion kemi pasur disa raste. Ka pas raste kur i’u është gjetur personit brenda burgut telefoni, dhe se fatmirësisht kemi zbuluar se nuk ishte stafi shkaktar i futjes apo kontrabandës. Mirëpo kjo është shfrytëzuar përmes gjërave që janë sjell nga familja, ne edhe atë e kemi zbuluar dhe se tani mund të them se kemi një gjendje shumë të mirë të sigurisë”, thotë Buleshkaj.
Përveç kontrabandës, kreu i Burgut të Sigurisë së Lartë, thotë se edhe rrahjet mes grupeve të ndryshme të të burgosurve këtu janë të pamundura të ndalen.
“Po ndodhin rrahje, mirëpo ne kujdesemi këtu që grupet që kanë pas hasmëri që mos të takohen, pasi që dihet se ne në këtë institucion fillimisht kemi marrë të burgosur nga institucione tjera që kanë qenë në vuajtje të dënimit, dhe ka persona që kanë qenë në hasmëri me shumë vit ndër vete. Por ne kujdesemi që këta persona mos të takohen, pra kemi një listë të personave që nuk bën të takohen mes vete”, rrëfen Buleshkaj për arbresh.info.
Ai tregon se si sanksionohen të burgosurit të cilët përfshihen në rrahje mes grupeve të ndryshme brenda burgut.
“Në këtë institucion kemi edhe pavijonin e vetmisë, ku personat që prishin rendin shtëpiak ndëshkohen dhe sanksionohen krahas shkeljes qe bëjnë. Për momentin në atë pavijon nuk kemi asnjë të burgosur, në përgjithësi të burgosurit e respektojnë rendin”, sqaron ai.
Deri tani në këtë burg nuk ka pasur asnjë rast të tentim arratisjes, përveç informatave për plane të të burgosurve për arratisje. Por këto plane janë pamundësuar pasi janë zbuluar nga drejtoria e burgut.
Të burgosurit këtu kanë mjaft salla rekreacioni, ku e kalojnë ditën jashtë dhomës së tyre.
Duke nisur nga dy shëtitje brenda ditës në fushat sportive, ku edhe i kanë mundësit për të luajtur futboll, basketboll.
Buleshkaj tregon se ky institucion shpesh organizon edhe turnirë për të i’u ofruar sa më shumë aktivitete të dënuarve.
Sipas tij, ata të cilët janë në regjim të avancuar kanë edhe sallën e fitnesit, ku e shfrytëzojnë sipas orarit dhe rutinës tyre.
Ndryshe, Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës është hapur në maj të vitit 2014, kur ka filluar edhe pranimin e të dënuarve të kategorizuar me rrezikshmëri të lartë dhe shumë të lartë, që janë të përcaktuar për ta vuajtur dënimin në këtë burg./Gazetare: Arditë Shkodra/Kamerë: Safet Hyseni/Fotografitë: Ruzhdi Pacolli/arbresh.info/
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...
Kuvendi me sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmba...