Google ADS

Senati francez miraton projekt-ligj të diskutueshëm për ndalimin e shamisë

15:47 | 30 Tetor 2019
Arbresh.info

Senati francez ka miratuar një projekt-ligj të diskutueshëm që ndalon nënat e fëmijëve të mbajnë shaminë myslimane gjatë udhëtimeve në shkollë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 163 senatorë votuan në favor të projekt-ligjit ndërsa 114 votuan kundër. Për të hyrë në fuqi projekt-ligji duhet të miratohet edhe nga Asambleja Kombëtare.

Por, përderisa kundër projekt-ligjit është partia në pushtet, Republika në Lëvizje, e cila ka shumicë në Asamblenë Kombëtare, projekt-ligji nuk ka gjasa të miratohet.

Në fillim të këtij muaji, ligjvënësi francez i të djathtës ekstreme, Julien Odoul, kërkoi nga një grua myslimane që të heq mbulesën e saj në një takim në Besancon dhe në mënyrë verbale e sulmoi atë.

Pas incidentit, rasti shkaktoi diskutime dhe deklarata në shënjestër të myslimanëve, që kohëve të fundit janë rritur.

Të hënën, një burrë 84-vjeçar u arrestua pasi qëlloi me armë dhe plagosi rëndë dy persona përderisa ishin duke u falur në një xhami në qytetin jugor francez Bayonne.

Sulmuesi ishte ish-ushtar dhe kishte garuar në zgjedhjet lokale disa vjet më parë për partinë ekstreme të djathtë të Marine Le Pen, e cila më vonë nga Fronti Kombëtar u riemërua në “Tubimi Kombëtar”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron më 24 tetor tha se “Shamia në hapësira publike nuk më intereson, megjithatë në shërbimet publike, në shkolla dhe duke i edukuar fëmijët, çështja e shamisë më intereson. Këtë e kërkon sekularizmi”.

Në një letër të hapur për Macron të botuar më 15 tetor në të përditshmen “Le Monde”, 90 akademikë, regjisorë, aktorë dhe gazetarë i kishin kërkuar presidentit të dënojë sulmin e ligjvënësit Oduel ndaj gruas myslimane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme