Zaev: As ndërmend nuk na bie anëtarësimi në Unionin e Euroazisë

13:34 | 30 Tetor 2019
Arbresh.info

Kryeministri Zoran Zaev, sot e ka komentuar ofertën e Rusisë që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në Unionin e Euroazisë.

Ai tha se në qeveri nuk ka arritur asnjë kërkesë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin e Euroazisë, ndërsa shtoi se “as ndër mend nuk i bjen anëtarësimi në këtë union”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Sigurisht ka mur mbrojtës rreth qeverisë, kështu që është e vështirë të arrijë ftesë e tillë. Pasi as ndër mend nuk na bjen një punë e tillë. Por, jo nuk ka ftesë të tillë dhe shpresoj që nuk do të ketë”, tha Zaev, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse pas vendimit negativ të BE-së, vendi ka marrë ftesë për anëtarësim në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë (EEU).

Ndryshe, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të anëtarësohen në EEU.

Sipas IBNA, diplomati rus ka theksuar se këto dy vende do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa brenda BE-së.

“Jam i sigurt që vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE, së fundmi janë vënë ‘në akull’ nga Brukseli, ato mund të gjejnë më shumë mirëkuptim në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë”, tha Chizhov.

Ftesa e Rusisë për vendet e Ballkanit që të anëtarësohen në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë vjen vetëm disa ditë pas një vendimi negativ të presidentit francez Emmanuel Macron për të vënë veton ndaj datës për fillimin e negociatave për pranim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Bashkimi Ekonomik i Euroazisë është themeluar në vitin 2014 dhe në këtë organizim marrin pjesë Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirghistani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme