Google ADS

Dyshohet se deputetja shqiptare e kishte vjedhur fjalimin me të cilën bëri bujë

13:04 | 30 Tetor 2019
Arbresh Info

Videoja e deputetes Majlinda Halilaj në foltoren e Kuvendit u bë virale para disa ditësh për arsye të gabimeve të shumta që ajo bëri gjatë leximit të fjalimit të saj, aq sa ngriti pikëpyetje nëse kishte aftësi të lexonte ose jo.

Deputetja reagoi duke u shfajësuar se atë ditë kishte një problem me sytë dhe nuk mund të lexonte qartë, por edhe në mesazhin e saj shfajësues kishte së paku 8 gabime drejtshkrimore.

Megjithatë sot është zbuluar një arsye tjetër se përse deputetja nuk e ka lexuar rrjedhshëm fjalimin. Rezulton se fjalimi i famshëm i Korporatës është i kopjuar.

Deputetja Halilaj ka lexuar në Parlament fjalimin e mbajtur nga ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku. Nga krahasimi i dy teksteve rezulton se ato janë të njëjta përveç faktit se deputetja ka prerë pjesët ku akuzohet me emër kryeministri Edi Rama dhe ka zëvendësuar fjalën “Partia Demokratike” me emrin e partisë ku ajo bën pjesë “Partia e Reformave Demokratike e Shqipërisë”.

Fjalimi i Jorida Tabakut

Projektligji i Koorporatës së Investimeve e bën Edi Ramën pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në vend, i cili, pa i dhënë llogari askujt, mund ta përdorë Korporatën për të shpërndarë pronat publike tek të njëjtët oligarkë apo tek persona të paidentifikuar.

Me një skemë flagrante korrupsioni, projektligji shmang çdo përgjegjësi për dështimin e investimeve të Korporatës, për pasojë, me lejen e Edi Ramës, prona publike i kalon menjëherë bankës, duke realizuar tjetërsimin e pronës publike nga shteti tek privatët.

Fjalimi i Majlinda Halilajt

Projektligji i Korporatës së Investimeve që pritet të miratohet nga kjo qeveri, e bën atë pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në vendin tonë, pra, sipas nesh, e bën pronare të ligjshme këtë qeveri pa i dhënë llogari askujt. Kjo mund të përdorë pushtetin për të shpërndarë prona publike tek të njëjtët oligarkë apo te persona të paindetifikuar.

Ne, Partia Reforma Demokratike e Shqipërisë, mendojmë se ky projektligj shmang çdo përgjegjësi për dështimin e investimeve të Korporatës, ndërsa sot qeveria po lejon që prona publike t’i kalohet menjëherë kadastrës, duke realizuar tjetërsimin e pronës publike nga shteti te privatët.

Fjalimi i Jorida Tabakut

Vjedhja gjigande, këtë herë, e ka emrin Korporata e Investimeve Shqiptare. Ajo është skema më e madhe grabitëse e pronave publike, e realizuar ndonjëherë me ligj në ndonjë vend me kushtetutë demokratike.

Pasi ka zhytur shqiptarët në 2.2 miliard euro borxh me PPP-të për të pasuruar klientët e oborrit të tij dhe të familjes së tij, Edi Rama ka hartuar një ligj që, praktikisht, e bën atë pronar të çdo toke publike në vend, duke ia transferuar atë në pronësi apo përdorim Korporatës së Investimeve, që kontrollohet plotësisht nga Kryeministri.

Fjalimi i Majlinda Halilajt

Vjedhja gjigante këtë herë e ka emrin Korporata e Investimeve Shqiptare. Kjo është skema më e madhe grabitëse e pronave publike e realizuar ndonjëherë me ligj në ndonjë vend me kushtetutë demokratike.
Kjo skemë zhyt shqiptarët në disa miliona euro borxh me PPP, për t’ua ofruar klientëve të oborrit të tij ka hartuar një ligj, që faktikisht e bën atë pronar të çdo toke publike në vend, duke e transferuar në pronësi apo në përdorim të Korporatës së Investimeve, që kontrollohet plotësisht nga qeveria.

Fjalimi i Jorida Tabakut

Ky ligj, plotësisht antikushtetues, antieuropan, antidemokratik, kundër interesit publik e bën kryeministrin pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në vend. Pa i dhënë llogari askujt, Edi Rama i jep të drejtë vetes me këtë ligj, të përdorë Korporatën për të shpërndarë pronat publike tek të njëjtët oligarkë apo tek persona të paidentifikuar.

Fjalimi i Majlinda Halilajt

Ky ligj plotësisht antikushtetues, antieuropian, antidemokratik, në kundërshtim me interesin publik, e bën Kryeministrin pronar de facto të çdo pasurie të paluajtshme në vend, pa i dhënë llogari askujt. Ligji që krijon Korporatën e Investimeve tregon hapur synimin e kësaj qeverie për të grabitur pronën publike, para se ta largojnë nga karrigia që ka blerë me paratë e krimit dhe të oligarkëve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme