Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg, refuzoi të marrë çmimin e mbrojtjes së mjedisit nga Këshilli Nordik për vitin 2019, duke thënë se lëvizja klimatike nuk ka nevojë më për çmime, raporton Anadolu Agency (AA).
“Unë kam vendosur të refuzoj këtë çmim. Ja pse: Unë jam duke udhëtuar aktualisht në Kaliforni dhe për këtë arsye nuk jam në gjendje të jem e pranishme sot me ju. Dua të falënderoj Këshillin Nordik për këtë çmim. Është një nder i madh”, tha ajo.
“Por lëvizja e klimës nuk ka nevojë më për çmime të tjera. Ajo për të cilën kemi nevojë është që politikanët tanë dhe njerëzit në pushtet të fillojnë të dëgjojnë shkencën aktuale dhe më të mirë në dispozicion”, shkroi Thunberg në Instagram të martën vonë.
Thunberg fitoi çmimin për mobilizimin e saj të miliona njerëzve në të gjithë botën për të kërkuar veprime konkrete për ndryshimet klimatike.
Aktivistja 16-vjeçare e klimës për herë të parë u bë e njohur me protestat që u mbajtën në gusht 2018 para Parlamentit të Suedisë.
Protestat e “Të Premtet për Ardhmërinë” të Thunberg, të cilat filluan në vendin e saj të lindjes Suedi, por që u bënë një fenomen global, kanë kërkuar që qeveritë botërore të veprojnë në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Klimës në Paris.
“Ne i përkasim vendeve që kanë mundësinë të bëjnë më shumë. E megjithatë vendet tona në fakt ende nuk bëjnë asgjë.
“Pra, derisa të filloni të veproni në përputhje me ato që shkenca thotë se është e nevojshme për të kufizuar rritjen globale të temperaturës nën 1.5 gradë ose edhe 2 gradë celsius, unë dhe të premtet për të ardhmen në Suedi, kemi vendosur të mos e pranojmë çmimin për mbrojtjen e mjedisit të Këshillit Nordik dhe as paratë e çmimit prej 500,000 koronë suedezë (51.506 dollarë)”, tha Thunberg.
Diplomatët amerikanë në Siri, për herë të parë pas rënies së...
Numri i serbëve në Kosovë – vetëm sipas vlerësimit
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar