Sipas një studimi të ri, njerëzit janë tri herë më të rrezikuar nga rritja e nivelit të detit tash sesa në të kaluarën.
Toka që tash për tash është vendbanim i 300 milionë njerëzve do të vërshohet së paku një herë në vit duke nisur nga viti 2050, nëse nuk zvogëlohet në masë të konsiderueshme lirimi i gazrave të karbonit dhe nëse nuk shtohen masat për mbrojtje nëpër bregdet. Kjo shifër është shumë më e madhe se numri prej 80 milion njerëzve të rrezikuar, siç vlerësohej më parë. Ky studim u publikua në revistën “Nature Communications”.
Ky hulumtim është i mbështetur në një vlerësim më të sofistikuar të topografisë së bregdetit në tërë botën. Në modelet e mëparshme janë përdorur të dhënat satelitore, të cilat besohet se e kanë mbivlerësuar lartësinë mbidetare të tokës për shkak të ndërtesave të larta dhe bimëve. Në studimin e ri për këtë çështje u përdor inteligjenca artificiale, e cila i përmirëson këto gabime në vlerësim.
Shkencëtarët thanë se dallimi që u zbulua përmes këtij studimi ishte shokues për ta. “Ky vlerësim e dëshmon potencialin që ndryshimi i klimës e ka për t’ua ndërruar formën qyteteve, ekonomive, bregdeteve dhe tërë rajoneve botërore brenda periudhës sonë kohore”, tha Scott Kulp, udhëheqës i këtij hulumtimi.
Ndryshimet më të mëdha nga rritja e nivelit të detit pritet të shfaqen në Azi, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë botërore. Numri i njerëzve që do të rrezikohen nga vërshimet në Bangladesh në vitin 2050 do të tetëfishohet, në Indi do të shtatëfishohet, ndërsa në Kinë do të trefishohet, shkruan “The Guardian”, / Express
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit