Google ADS

Përfaqësuesit e SASHK-ut në takim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës

08:52 | 29 Tetor 2019
Arbresh.info

Ministri i Arsimit Arbër Ademi sot do të takohet me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), pasi të shtunën paralajmëroi rritje historike të pagave në arsim dhe shprehi optimizëm se nuk do të vij deri te grevë e mësimdhënësve, sepse siç tha Ministria dhe Qeveria ofrojnë zgjidhje.

Takimi do të mbahet në Ministrinë e Arsimit, kjo vijon pasi Ademi në fundjavë paralajmëroi se gjatë kësaj jave do t’i ftojë përfaqësuesit e SASHK-ut, të cilët paralajmëruan grevë për më 11 nëntor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këshilli i SASHK-ut të premten unanimisht solli vendim se nuk e pranon propozimin e MASH dhe Qeverisë për rritjen e pagave në veprimtarinë arsim dhe shkencë për 10 përqind, duke filluar nga prilli i vitit 2020.

Kryetari i SASH-ut Jakim Nedelkovski në konferencë për media tha se interesat e veta do t’i mbrojnë me grevë që parashikohet për më 11 nëntor të këtij viti.

SASHK kërkon që rritja e planifikuar të mos fillojë nga prilli i vitit 2020 por nga 1 janari i vitit 2020, gjithashtu propozon që edhe ofertat prej 10 përqind t’i mos u nënshtrohen pazareve, gjegjësisht, siç tha Nedellkov, të ofrohet rritje më e madhe.

Ademi, megjithatë, të shtunën shprehi optimizëm se nuk do të vij deri në grevë dhe potencoi se deri tani dy herë janë rritur pagat dhe se është ofruar rritje prej dhjetë për qind e pagave në prill.

Kryeministri Zoran Zaev gjatë fundjavës në lidhje me grevën e paralajmëruar në arsim të SASHK-ut tha se është e lehtë të organizohet grevë, por se beson që do të gjendet zgjidhje.

Në bazë të shkollave fillore dhe të mesme këtë vit mësimi filloi një ditë më vonë, për shkak grevës paralajmëruese të mësimdhënësve anëtarë të SASHK-ut dhe atyre që u solidarizuan me ato.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme