Publicisti me akuzë publike për rastin e Astrit Deharit, thotë se do ta përkthejë vetë raportin e ekspertizës

14:58 | 28 Tetor 2019
L G

Publicisti, Bardhyl Mahmuti ka thënë se varianti publik i përkthimit në shqip të ekspertizës së çështjes Astrit Dehari, është një përpjekje e qëllimshme për të fshehur krimin.

Mahmuti përmes një shkrimi të gjatë të bërë në llogarinë e tij e në Facebook, ka thënë se ai në kohën më të shkurtër të mundshme, do të përkthejë pjesët kryesore të raportit në fjalë dhe që sipas tij, çdo kush do të ketë mundësi të shohë manipulimet që janë bërë nëpërmjet përkthimit, me qëllim fshehjen e përmbajtjes së plotë të ekspertizës mjeko-ligjore në Zvicër.

Ai është i vetëdijshëm për peshën e akuzës që po e bën, dhe se për këtë garanton se kjo përpjekje e qëllimshme për të fshehur krimin do të argumentohet në mënyrë bindëse.

Ai ka shtuar se i takon Prokurorisë Themelore në Prizren dhe përkthyesit të raportit të ekspertizës Ismail Ismailit të tregojnë se kush qëndron prapa këtij qëllimi.

https://www.facebook.com/bmahmuti1/posts/2822170381140674

Postimi i plotë:

AKUZË PUBLIKE

Varianti publik i përkthimit në shqip të ekspertizës së çështjes “Astrit Dehari” është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN

Pas ndërhyrjes sime me anë të linjës telefonike në emisionin “Pressing” të T7, të datës 24 tetor 2019, rreth pasaktësive të përkthimit të Raportit të Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me çështjen ”Astrit Dehari” reagoi Ismail Ismaili, personi që ka përkthyer këtë material. (Gazeta “Express”: Deklarohet përkthyesi i ekspertizës për rastin “Dehari”: Katër ditë nuk dola nga shtëpia, nuk kam guxuar ta interpretoj”, 25 tetor 2019).

Shpërthimi në lot i Ismail Ismailit para kamerave televizive është çështje e përjetimit personal ndaj kësaj forme të shprehjes së pikëllimit dhe nuk ka vend në këtë debat. Ajo që vlen të theksohet lidhur me këtë çështje, ka të bëjë me shkallën e saktësisë së përkthimit të një raporti të tillë.

Lidhur me këtë aspekt, Ismail Ismaili thotë: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”, kurse gabimet e mundshme teknike ia lë kohës së shkurtër që ka pasur përkthyesi për të përkthyer 60 faqe.

Çështja “e përkthimit fjalë për fjalë të një teksti shkencor” do të trajtohet në shkrimet e ardhshme. Tani për tani po ndalem vetëm në çështjen e kohës së shkurtër, për të përkthyer këtë raport mjeko-ligjor.

Ismail Ismailit katër ditë i duket kohë e shkurtër për të përkthyer këtë raport, ndërkaq disa orë pas ndërhyrjes sime ai deklaron: “Asnjë pikë, as presje kush s’ka qit në të, sepse katër ditë nuk kam dalë prej banese. Sa kam mujtë me përkthy që me ia bo gati atyre që ma lypën shpejt. E kam dorëzuar të mërkurën në orën 13:00”. Është e çuditshme se si arriti që, brenda disa orësh, të bëjë verifikimin e dy teksteve dhe të dalë në përfundimin nëse është ndërhyrë apo jo në materialin që ka përkthyer!

Lidhur me tërësinë e detajeve, që Ismail Ismaili jep për kohën kur i janë dorëzuar materialet për përkthim, reagoi edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Sqarimi i këtyre detajeve u takon palëve kontraktuese për përkthimin e këtij materiali dhe nuk do ta përfshijë në kuadër të këtij shkrimi.

Nga reagimet lidhur me ndërhyrjen time nuk do të përmend asnjë nga qindra njerëzit që më kanë mbështetur për ndërhyrjen time. I falënderoj publikisht të gjithë! Falënderoj edhe Leonard Kërqukin, gazetarin e T7-ës, për mundësinë që më dha të ndërhyj në emisionin që po shfaqej drejtpërdrejt. Në këtë shkrim do të përmend vetëm reagimin e Sefedin Krasniqit, mikut të Ismail Ismailit, që ka bërë “dy kurse (formation continue) për përkthyes” në Zvicër.

Në letrën e tij publike, që portali “Lidhja e Prizrenit” e publikoi me titull: “Sefedin Krasniqi fundos gënjeshtrat e Bardhyl Mahmutit”, ai i drejtohet Ismail Ismailit: “Ti ke bërë një gabim dhe uroj që të mos e përsëritësh më kurrë! Gabimi yt është se je munduar të bësh mirë”!

Përmes këtij reagimi, njoftoj opinionin publik shqiptar, se në kohën më të shkurtër të mundshme, do të përkthej pjesët kryesore të raportit në fjalë dhe çdokush do të ketë mundësi të shohë manipulimet që janë bërë nëpërmjet përkthimit, me qëllim fshehjen e përmbajtjes së plotë të ekspertizës mjeko-ligjore në Zvicër.

Deklarata e Ismail Ismailit, se askush nuk ka ndërhyrë në raportin e tij, se “asnjë pikë as presje kush s’ka qit në të” e bën përgjegjës të vetëm për të gjitha manipulimet që janë bërë në tekstin e ekspertizës, që u publikua nga pothuajse të gjitha mediet në gjuhën shqipe.

Nuk e gjykoj Ismail Ismailin për cilësitë njerëzore, sepse nuk e njoh. As lotët e tij nuk më bëjnë përshtypje, sepse jemi në një debat, ku çdo fjalë ka peshën e vet, ku çdo faqe e raportit përshkohet me gjakun dhe vuajtjet që ka përjetuar Astrit Dehari në momentet e fundit të jetës së tij.

I bëj thirrje publike Ismail Ismailit, që të bëjë krahasimin e dokumentit që ka dorëzuar ai si përthyes dhe dokumentit që i është dorëzuar familjes Dehari dhe që është bërë publik. I bëj thirrje publike, që të shohë me kujdesin më të madh, nëse dikush ka hequr “ndonjë pikë a ndonjë presje” nga ajo që ka dorëzuar ai. (Mund të kërkojë ndihmën e Sefedin Krasniqit apo të kujtdo qoftë tjetër që është trajnuar).

Nëse pas krahasimit të detajuar të dy teksteve Ismail Ismaili pohon se nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet dy teksteve, atëherë përgjegjësia është e përkthyesit.

Unë do të dëshmoj se varianti publik i përkthimit në gjuhën shqipe të ekspertizës së Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e kësaj akuze publike dhe garantoj se kjo PËRPJEKE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN do të argumentohet në mënyrën bindëse.

I takon Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Ismail Ismailit të tregojnë se kush qëndron prapa këtij qëllimi.

P.S.

Në letrën e tij, Sefedin Krasniqi deklaron se unë qenkam “një MASHTRUES, që nuk ka mbaruar kurrë fakultetin dhe që nuk guxon t’i tregoj publikisht diplomat e veta, sepse i ka të rrejshme”! Madje, gjatë luftës në Kosovë paskam qenë “zëdhënës apo përfaqësues i UÇK-së (dikund në hënë)”!

Sa i përket periudhës së luftës, nuk kam çfarë t’u shpjegoj “njerëzve me hënë”. Ata që kanë dashur ta dinë, kanë pasur mundësi ta marrin vesh ku kam qenë në atë periudhë.

Ndërsa për diplomat e mia që nuk i treguakam publikisht, sepse qenkëshin të rrejshme, Sefedin Krasniqi mund t’i drejtohet komunës së Lozanës, e cila më ka punësuar si edukator, për shkak të diplomave të Universitetit të Lozanës që kam prezantuar. Kështu do të kishte nxjerrë të vërtetën në shesh dhe do të kishte dëshmuar cilësitë e përgatitjet e veta që i kanë dhënë gjatë trajnimeve (formation continue), që në kohën para se të dërgohej jashtë shtetit.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme