Gjykata e Krimeve të Rënda ka zbardhur këtë të hënë dosjen e argumentuar për vendim ndaj Saimir Tahirit, i cili u dënua 39 ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Akuza më e rëndë që i adresohej Tahirit ishte pikërisht ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës si dhe lidhja e supozuar me grupin e Habilajve, për të cilët vetë ish- Ministri i Brendshëm është shprehur disa herë se nuk kishte njohje personale.
Por në dosjen e zbardhur të gjykatës, një fakt i tillë del ndryshe, pasi po sipas Gjykatës ka një sërë të dhënash që tregojnë se Tahiri njihej dhe kishte kontakte me pjesëtarë të grupit të dënuar tashmë në Itali për sasira kolosale të trafikut të kanabisit.
“Megjithëse nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve, gjykata vëren situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i Ministrit të Brendshëm që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri në periudhën respektive, të cilat nuk gjejnë argumentim e dalin prej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri. Në deklarimet e tij i pandehuri ka mohuar njohjen me Moisi Habilaj, ndërkohë që nga provat e analizuara më lart rezulton e kundërta.
Moisi Habilaj është angazhuar drejtpërdrejtë vetë në dërgimin e mjetit lundrues në përdorim të Ministrit të Brendshëm për riparim në shtator 2014 në Itali. I pandehuri Saimir Tahiri nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë. Përgjimet telefonike në shtator 2017 tregojnë se mes Artan Habilaj dhe të pandehurit Saimir Tahiri është ndërmjetësuar një takim nga shtetasi Kujtim Tahiri. I pandehuri Saimir Tahiri ka komunikime me shumë numra telefonikë me të cilët komunikojnë edhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj, deri edhe Armand Koçerri e Nezar Seiti”, thuhet mes të tjerash në vendimin e gjykatës.
Ndërkohë në një tjetër moment të analizës për vendimin ndaj Tahirit, gjykata vë në dukje se një prej vartësve t ëish- Ministrit, kishte patur komunikime me Habilajt. Pavarësisht këtyre të dhënave, gjykata e dënoi Tahirin vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, teksa akuza e trafikut të drogës u rrëzua për shkak të mungesës së provave. Mëm poshtë disa nga provat që gjykata i çmoi të vlefshme:
“-shërbimet e vazhdueshme të kryera nga Artan Habilaj dhe Moisi Habilaj ndaj të pandehurit Saimir Tahiri në rastin e lëvizjeve të tij në Greqi në gusht 2014 dhe për riparimin e mjetit lundrues “Auras”
-përdorimi nga i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij e automjetit me targë AA 003 GB edhe pas shitjes shtetasit Artan Habilaj, në disa raste përgjatë vitit 2014 ( lëvizjet mbështesin faktin se mes tyre janë mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme).
– udhëtimi në Itali në të njëjtën kohë vajtje-ardhje, më të njëjtin intinerar dhe destinacion, i Moisi Habilajt i babait të të pandehurit Saimir Tahiri dhe bashkëshortes së të pandehurit Saimir Tahiri, në datat 08.07.2014-10.07.2014 ( madje del qartë nga përgjimet se Moisi Habilaj dhe Bashkim Tahiri gjendeshin së bashku në banesë/hotel)
– ekzistenca e mjaft numrave telefonikë të përbashkët në fluksin e komunikimeve telefonike të të pandehurit Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Artan Habilaj;
– komunikimet e shpeshta dhe të drejtpërdrejta telefonike të Moisi Habilaj me Evi Robo, lidhje e afërt e të pandehurit Saimir Tahiri në detyrën e drejtorit të Inspektimit në ministrinë e Brendshme në të njëjtën periudhë që i pandehuri Saimir Tahiri ushtruar detyrën e Ministrit të Brendshëm.
Tahiri u dënua me 3.4 vite shërbim prove. Nëse vendimi qëndron edhe në Apel (Tahiri e Prokuroria kanë apeluar vendimin e shkallës së parë), atëherë ish- Ministri i Brendshëm nuk do të kryejë asnjë ditë burg, por do të jetë I detyruar që të shkojë çdo muaj të hedhë një firmë./Express
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...