Google ADS

NATO-ja thotë se i respekton ushtrimet e përbashkëta të Serbisë me Rusinë

14:03 | 27 Tetor 2019
L G

Aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO-ja, ka thënë se e respekton vendimin e Serbisë për të zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake me Rusinë. Në këto ushtrime do të përdoren edhe sistemet për mbrojtje ajrore, “S-400” dhe “Pantsir-S”.

“Kjo është një çështje e Serbisë dhe Rusisë”, thuhet në deklaratën e NATO-s, ku shtohet se Serbia është vend partner i aleancës dhe se ky shtet ballkanik ka marrëdhënie të mirë dhe produktive me NATO-n.

Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë, pavarësisht deklaratave se shteti synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Për më tepër, Beogradi është zotuar se Serbia nuk do të bëhet pjesë e NATO-s dhe ka refuzuar t’i përkrahë sanksionet e Evropës kundër Rusisë.

Rusia ka njoftuar se sistemi me rreze të gjatë veprimi, “S-400”, dhe sistemi me rreze të shkurtër, “Pantsir-S”, do të përdoren në ushtrimet ushtarake të emërtuara “Mburoja Sllave – 2019” për t’i testuar aksionet e përbashkëta nga ushtritë ruse dhe serbe për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve nga ajri.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sistemet për mbrojtje ajrore janë vendosur në bazën ushtarake në Batajnicë, pranë kryeqytetit serb, Beogradit.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, kjo është hera e parë që këto dy lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore janë përdorur jashtë territorit të Rusisë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme