Aleksandër Lumezi e plotëson deklaratën në lidhje me Astrit Deharin

18:29 | 25 Tetor 2019
arbresh.info

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka reaguar ndaj disa mediave që keqinterpretuan deklaratën e dhënë për arbresh.info, një ditë më parë.

Por, sa për korrektësi arbresh.info e posedon deklaratën e tij dhe më poshtë mund ta lexoni të plotë:

Gazetarja: A do ta hetojë e njëjta prokurori rastin, apo do të vendoset ndonjë prokurori tjetër me e hetu rastin?

Lumezi: Jo, jo. E njëjta prokurori, se kompetenca territoriale është e Prizrenit. Pra, s’mundet të jetë prokurori tjetër ajo. Por, kena me kërku edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, me na ndihmu në hetimin e këtyre rasteve.

Gazetarja: Partner ndërkombëtar, e keni fjalën për prokurorë?

Lumezi: Po, po, po. Kena me kërku prej ambasadës, prej ndoshta Ambasadës Amerikane me ndonjë prokurorë, a dikon që mundet me na ndihmu rreth këtij rasti për me e zbardhë të vërtetën.

Në reagimin drejtuar medieve, ai ka shtuar edhe disa detaje që nuk i ka deklaruar në prononcim.

Sqarimi “plotësues” i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit:

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sqaron opinionin se disa media kanë keqinterpretuar deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhënë mediumit “Abresh.info”, më datën 24.10.2019, me titull “Kryeprokurori Lumezi: Do të kërkojmë ndihmë nga Ambasada Amerikane për hetimin e rastit të Astrit Deharit”.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ju informon se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, decidivisht ka deklaruar se nëse është e nevojshme, pas ndërmarrjes se të gjitha veprimeve të duhura nga autoritetet vendore për ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, do të kërkohet NDIHMË JURIDIKE NGA AMBASADA AMERIKANE NË KOSOVË.

Në këtë kontekst, kjo ndihmë eventuale do të realizohet nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare me anë të ekspertizave dhe ekzaminimeve profesionale, të cilat janë të nevojshme për zbardhjen e rrethanave të procedurës penale të këtij rasti, ashtu siç parashihet në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera në fuqi në Republikën e Kosovës./arbresh.info/

Kryeprokurori Lumezi: Do të kërkojmë ndihmë nga Ambasada Amerikane për hetimin e rastit të Astrit Deharit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme