Shihet si e vetmja zgjidhje për të ardhmen e tyre.
Kushtet dhe mundësinë për punësim që nuk po u ofron vendi i tyre, studentët kosovarë, por edhe profesionistë të profileve të ndryshëm zgjidhjen po e kërkojnë tek gjuha gjermane.
E, numri i personave që vijojnë kurse për ta mësuar këtë gjuhë po rritet çdo ditë e më shumë, bashkë me dëshirën për t’u larguar nga Kosova, shkruan arbresh.info.
Në kursin e gjermanishtes, tregojnë se interesimi i mjekeve, infermierëve dhe profileve të ndryshme, është mjaft i lartë.
Sipas profesoreshës së gjuhës gjermane, Valdete Lushaku, synimi i të gjithë këtyre kursistëve është Gjermania.
“Mundem me thanë që interesimi është shumë i madh, sidomos këto dy tri vitet e fundit është rrit numri shumë, deri në 300%, struktura është e përgjithshme. Mundem me thanë që janë shumë të demoralizuar dhe po e vërejnë që e kanë një shpresë sa i përket gjuhës dhe sa i përket të ardhmes që me u zhvillu në këtë aspekt edhe me shku në Gjermani, ky është qëllimi i tyre”, tha Lushaku.
Lushaku shton se interesim i madh po tregohet nga infermierët, por edhe nga punët e zakonshme të cilat kërkohen jashtë vendit.
“Sa i përket profesioneve dihet që më së shumti këtu janë ata të infermierisë, është ajo që po kërkohet më së shumti në shtetet gjermano folëse, por edhe punë të zakonshme. Por, ajo që kryeson është infermieria”, deklaron Lushaku.
Kursistët të cilët janë në këtë institucion, Lushaku thotë se janë të rrallë nga ata të cilët aplikojnë për në vende tjera të Evropës, përveç se në shtetet gjermano folëse.
Kemi edhe student që aplikojnë në Angli, por, më së shumti ajo që dominon janë shtetet gjermano-folëse, e kanë vetëm për qëllim atje me shku me punu, ose me vazhdu studimet. Kryesisht studentet thonë se gjuhën duan ta mësojnë për punësim.
Sipas saj e gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj se këta kursistë janë të demotivuar, gjë që sipas saj është për keqardhje.
“Janë shumë të demotivuar nuk kanë asnjë shpresë se do të bëhet mirë në Kosovë, gjë që është për keqardhje”, tha Lushaku.
E në këtë kurs të gjermanishtes mësimin e vijon edhe, Qëndresa Berisha, studente e infermierisë.
Degën për të cilën ka studiuar, Berisha, mendon ta praktikoj në një vend tjetër jashtë Kosovës, kjo pasi në vendlindje asaj nuk i ofrohet ndonjë mundësi më e mirë.
“Kam filluar ta mësoj gjuhën gjermane afërsisht qe një vit, kam përfunduar infermierinë. Jam në prag të diplomimit. Arsyeja pse e mësoj gjuhën gjermane është me dal jashtë, kam kry praktika atje, kam kaluar shumë mirë e kam pa se si shkon puna si infermiere atje, se sa ki prioritet atje për lëmine që e kemi dhe që e studiojmë, që këtu nuk e kemi fatkeqësisht, edhe pse më mirë është në vendin tende. Por, besoj që krejt e kemi një synim për më dal atje. Nuk I dihet fatit ndoshta edhe mundemi me u kthy në Kosovë, por tani për tani jo”, tha Berisha për arbresh.info.
Se interesimi i shumë profesionistëve për t’u larguar nga Kosova po rritet, e thotë edhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Lulzim Beqiri në një prononcim për arbresh.info
“Janë qindra mjek, inxhinier, ekonomist, arkitekt e punëtor krahu që po ikin me të madhe nga Kosova jonë e bukur, tashmë kriza veçse ka filluar të troket në dyert e bizneseve kosovare”, tha Beqiri.
E krejt këtë krizë, kosovarëve Beqiri thotë se ua ka servuar politika e keqe, për të cilën ata po detyrohen të largohen jashtë vendit.
“Mendoj se janë qindra arsye për të ik nga Kosova, jo për faktin se ky vend ka ndonjë mangësi në fakt mangësia e vetme e Kosovës është se ka një klasë politikanësh të pangopur dhe kjo pangopësi po vazhdon tash e dy dekada, në njërën anë politikan milionerë e në anën tjetër qytetarë që jetojnë buzë greminës, pra arsyeja kryesore që shqiptarët e Kosovës po ikin nga atdheu i tyre janë politikat e gabuara politike e ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Republikën e Kosovës”, tha Beqiri.
Mësimi i gjuhës gjermane për të ikur nga Kosova po shkon në rritje vazhdimisht, rrjedhimisht është shtuar edhe numri i institucioneve private që ofrojnë mësimin e kësaj gjuhe./arbresh.info/
Erza Muminoviq e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos U...
Rama: Nëntori i festave vjen me ngjyrat kuqezi në shkollat t...
Rumania kundërshtari ‘problematik’ i “Dard...
Haradinaj premton: Paga mesatare në shëndetësi do të jetë 1 ...
Futbollistët “Dardan” që lanë gjurmë në ekipet e tyre muajin...
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikis...