Në Mitrovicë diskutohet mbi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve

14:57 | 24 Tetor 2019
A. B.

Sot në Mitrovicë u mbajt tryezë e diskutimit me temën “Ligji për mbrojtjen e fëmijëve”. Në këtë tryezë të organizuar nga ATRC dhe “Save dhe Children”, u diskutua mbi rregullativën ligjore që mbron fëmijët, promovon dhe kujdeset për zbatimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve.

Në këtë takim morën pjesë nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, përfaqësues nga Policia e Kosovës, nga Qendra për Punë Sociale, nga Njësia për të Drejta të Njeriut, drejtorë të shkollave, anëtarë të Kuvendit të Komunës si dhe organizata të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, theksoi se ne si institucione komunale e kemi për obligim ti realizojmë dhe ti përkrahim të gjitha ligjet të cilat kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve.

Po ashtu nënkryetari Mujka tha se komuna është e fokusuar të krijoj një mirëqenie të mirë për të gjithë qytetarët, e veçmas për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që të bëhet integrimi i tyre në shoqëri.

“Përkundër buxhetit të kufizuar, komuna në vazhdimësi është munduar të krijoj kushte për fëmijët si në shkollim, ashtu edhe në ofrimin e kujdesit mjekësor”, tha nënkryetari Mujka.

Ndërsa drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, fillimisht falënderoi nikoqirët për organizimin e kësaj tryeze me një temë mjaft të qëlluar, duke thënë se shkollat e kanë një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në arsimim por edhe në edukimin e fëmijëve tanë.

Udhëheqësi i Njësisë për të Drejta të Njeriut, Fitim Rama, potencoi se komuna ka të funksionalizuar Asamblenë Komunale të Fëmijëve si mekanizëm institucional për avancimin e kësaj agjende në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, duke i shtuar këtu edhe Rregulloren Komunale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, rregullore kjo e cila do të kaloj për miratim në kuvend pasi të hyjë në fuqi Ligji për mbrojtjen e fëmijëve.

Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve janë prioritet i Komunës së Mitrovicës në kuadër të kujdesit institucional për sigurinë dhe familjen.

Diskutuesit në këtë takim, përveç informacioneve që morën për këtë temë, dhanë edhe komentet, sugjerimet dhe vërejtjet në funksionimin institucional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme