Aktivistët e mjedisit thonë se ndryshimet klimatike do të shkaktojnë që miliona njerëz të migrojnë nga vendet e tyre.
Sipas tyre, përkeqësimi i vazhdueshëm i fatkeqësive klimatike, të tilla si thatësirat, përmbytjet, zjarret dhe ngritjet e nivelit të detit, po rrisin zhvendosjen e brendshme dhe të jashtme pasi njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë dhe jetesës më të mirë.
Kim Bryan, drejtoresha e asociuar e lëvizjes 350, organizatë ndërkombëtare mjedisore që adreson krizën e klimës, në formë të shkruar për Anadolu Agency (AA) tha se persekutimi, dhuna dhe shkeljet e të drejtave të njeriut zgjerohen nga kriza klimatike në të gjithë botën.
“Ora po ecën për planetin tonë dhe komunitetet tona. Vetëm duke parë këto çështje si të lidhura në mënyrë të qenësishme, ne mund të ngrihemi të kërkojmë një botë të ndershme dhe të drejtë”, thekson ajo.
Bryan tregon se sipas vlerësimeve, deri në vitin 2050 numri i të zhvendosurve nga ndikimet që lidhen me ndryshimet klimatike do të rritet në 200 milionë. Sipas saj, njerëzit në mbarë botën detyrohen të lëshojnë tokat e tyre shkaku i thatësirave, stuhive, mungesës së ushqimit, si dhe grindjeve politike, ekonomike e konflikteve që zakonisht intensifikohen nga fatkeqësitë klimatike.
“Thatësirat, erozioni i tokës e ai bregdetar, desalinizimi dhe ngritja e nivelit të detit shkaktojnë mungesë të ujit dhe ushqimit, mosmarrëveshjet e tokës dhe burimeve shkaktojnë humbje të tokës bujqësore dhe të ardhurave shtëpiake, përderisa përmbytjet, stuhitë, cunamet, zjarret, tërmetet dhe shpërthimet vullkanike shkaktojnë shkatërrim, humbjen e jetëve dhe të shtëpive”, shprehet ajo, duke veçuar efektet e ndryshimeve klimatike në dy nivele.
– Shkatërrimi i klimës
Duke përmendur dimensionin gjeografik të efekteve klimatike, Bryan thotë se shkatërrimi i klimës prek ndryshe komunitetet dhe rajonet.
“Në Amerikën Qendrore, për shembull, ndryshimet klimatike kanë përkeqësuar efektet e ‘korridorit të thatë’ që çojnë në thatësirë afatgjate dhe pasiguri ushqimore ndërsa shumë shtete në ishujt e Paqësorit po përballen me mundësinë e humbjes së plotë të tokave të tyre me rritjen e niveleve të detit”, shpjegon Bryan.
Siç thotë ajo, Meksika është përballur me thatësirë për dekada, gjë që po çon në një humbje të produktivitetit bujqësor.
“Duke vlerësuar se deri në vitin 2080, migracioni shkaku i ndryshimeve klimatike nga Meksika mund të çojë në migrimin e 6.7 milionë njerëzve”, shprehet Bryan.
Duke folur për Afrikën, ajo thekson se përderisa temperaturat rriten globalisht, thatësirat po rriten në të gjithë kontinentin dhe destabilizojnë sistemet lokale të ushqimit. Ajo shton se shtatë nga dhjetë vendet më të rrezikuara ndaj ndryshimeve klimatike janë në Afrikë.
Bryan thekson se karburantet fosile janë një nga nxitësit kryesorë të ndryshimeve klimatike “me mbi 70 për qind të emetimeve globale që vijnë nga vetëm 100 ndërmarrje”, të cilat siç thotë ajo, janë përgjegjësi e drejtuesve të qymyrit, naftës e gazit, si dhe të korporatave për të cilat ato punojnë.
– Çfarë duhet bërë?
Sipas Bryan, luftimi i shkatërrimit të klimës është më me rëndësi sesa emetimet dhe metrikët shkencorë, që siç thotë ajo, ka të bëjë me luftën për një botë të drejtë dhe të qëndrueshme që funksionon për të gjithë ne.
“Ndërtimi i botës së drejtë që na duhet neve do të thotë se ne duhet të luftojmë për politika që sigurojnë që njerëzit e zhvendosur nga ndikimet e krizës klimatike të jenë të mirëpritur, të drejtat e tyre të respektohen dhe të mbështetet aftësia e tyre për të ndërtuar shtëpi të reja”, thotë Bryan.
Lëvizja 350.org u themelua në vitin 2008 nga një grup studentësh të universiteteve në SHBA, së bashku me autorin dhe ambientalistin Bill McKibben.
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...