Google ADS

KMDLNJ kërkon nga qeveria e re të rrisë buxhetin për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale

11:59 | 24 Tetor 2019
Arbresh.info

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar nga qeveria e re e Kosovës që të rrisë buxhetin për mbrojtje të të akuzuarve nga Gjykata Speciale si dhe mbulimin e të gjitha shpenzimet të familjarëve të ngushtë në mënyrë që të kenë mbrojtje cilësore.

Kjo kërkesë ka ardhur pas krijimit të rrethanave të reja ku, si të ftuar të Gjykatës Speciale po ftohen çdo ditë të dyshuar dhe dëshmitarë.

Sipas KMDLNj-së, kjo është e drejtë elementare e njeriut e që çdo qeveri e ka detyrim ta respektojë dhe ta përmbushë këtë të drejtë.

“Po të faturoheshin shpenzimet për mbrojtje të të akuzuarve potencial dhe të gjitha shpenzimet për familjarët e ngushtë të këtyre personave në adresë të Dhomave të Specializuara, numri i të ftuarve do të ishte më i vogël. Qeveria e Kosovës, me kohë është dashur të refuzojë çdo faturë financiare për ata që arrestohen dhe dërgohen dhunshëm, kundër vullnetit si dhe kundër të drejtave të njeriut, në shtetet tjera, mijëra kilometra larg Kosovës. Tash, këto fatura duhet t’i paguajë Kosova në mënyrë që prokurorët dhe gjykatësit, stafi administrativ dhe gardianët e Dhomave të Specializuara e që një numër jo i vogël i tyre ka parazituar nën UNMIK-un dhe EULEX-in , të jetojnë dhe ‘punojnë’ në kushte sa më komode”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Në vijim mund të lexoni komunikatën e plotë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut:

“A është përgjegjësi e gjykatës speciale në Hagë të auditojë buxhetin e Republikës së Kosovës

Dhomat e Specializuara siç e kanë emërtimin zyrtar apo Gjykata Speciale për Kosovën që është emërtim i vërtetë janë votuar në Kuvendin e Kosovës nën një trysni trishtuese ndaj disa deputetëve që i janë nënshtruar kësaj trysnie në ndërkohë që nuk është votuar nga një grup parlamentar ( LVV ) dhe disa deputetë të partive tjera që e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate. Përgjegjësia për themelimin e kësaj Gjykate Speciale nuk mund të adresohet te ata që kanë bërë presion por mbi ata që e kanë votuar këtë Gjykatë të cilën e kanë cilësuar si të njëanshme, subjektive dhe të dëmshme. KMDLNj, që këtë vit e shënon 30 vjetorin e themelimit dhe aktivitetin e pandërprerë në fushën e të drejtave të njeriut e ka kundërshtuar, edhe formën e sidomos përmbajtjen e kësaj Gjykate e cila e shkel në mënyrë flagrante parimin e universalitetit të të drejtave të njeriut që buron nga Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara të 10 dhjetorit 1948 për faktin se siguron drejtësi dhe satisfakcion vetëm për një grupim të caktuar të viktimave sikur që kërkon përgjegjësi gjithashtu vetëm për një grupim të të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Edhe në rastin e parë sikur edhe në të dytin bëhet fjalë për drejtësi për viktima dhe përgjegjësi për kryerës të krimeve ekskluzivisht sipas parimit etnik. Në fushën e të drejtave të njeriut nuk vlenë parimi i reciprocitetit mirëpo mungesa e vullnetit të Gjykatës Speciale për të trajtuar pa bërë diskriminime të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë, gjuhës , bindjeve politike dhe statusit në shoqëri sikur edhe caktimi i përgjegjësisë penale duke mos përfillur kriteret e lartpërmendura paraqet shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe dhunim të Deklaratës Universale si dhe dokumenteve të tjera ndërkom bëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut.

Ditëve të fundit Gjykata Speciale ka shpërndarë shumë ftesa për intervistim e që nuk e ka bërë më parë asnjë gjykatë që i trajton rastet e tilla , qoftë në cilësinë e dëshmitarit, qoftë në cilësinë e të dyshuarit. Në mesin e të ftuarve për intervistim janë edhe Driton Lajçi, përgjegjës për fondin e ndarë për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara. Është ftuar për dëshmi edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri. KMDLNj ia përkujton opinionit se më 3 gusht 2015 është miratuar Ligji nr. 05 / L – 054: Për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore Pranë Dhomave të Specializuara dhe i cili me datë 20.08. 2015 është dekretuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga nën nr. DL -028 -2015.

Ky Ligj parasheh të sigurohet mbrojtja juridike për personat e akuzuar potencial sikur edhe të mbulohen të gjitha shpenzimet për familjarët e ngushtë në të gjitha fazat e procesit deri në fund të vuajtjes së dënimit, për të dënuarit eventual. Në media bëhet një interpretim i gabuar i Ligjit sepse thuhet se mjetet do të ndahen vetëm pas të ngritet aktakuza në ndërkohë që Neni 1. I këtij Ligji shprehimisht thotë se: ‘Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara…. KMDLNj e thekson faktin se çdo i ftuar nga Gjykata Speciale, dëshmitar apo i dyshuar e ka statusin e të akuzuarit potencial prandaj edhe duhet të kenë mbështetje financiare. Të akuzuarit që dalin të pafajshëm në këtë Gjykatë Speciale, për dallim nga Tribunali i Hagës që nuk ua ka njoh ur këtë të drejtë, sipas Nenit 5. Të këtij Ligji kanë të drejtën për kompensim .

Në kohën kur është miratuar Ligji Nr. 05 /L – 054 ishte një reagim i një pjese të shoqërisë civile se nuk duhen të ndahen këto mjete , as për të akuzuarit potencial e as për familjet e tyre për faktin se po arsyetohen krimet e luftës ( po mbrohen kriminelët ) duke e dhunuar arbitrarisht parimin e presupozimit të pafajësisë, ende pa përfunduar procesi gjyqësor. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut të personave të dyshuar përmes cilësimit si kriminelë e që në disa raste Gjykata evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur i ka kundërshtuar vendimet e gjykatave vendore për faktin se presioni i opinionit ka qenë përcaktues për vendimin e gjykatave vendore.

KMDLNj , edhe para miratimit të këtij Ligji pati kërkuar që të mbulohen të gjitha shpenzimet për të akuzuarit potencial , pa e paragjykuar rastin si dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve për anëtarët e ngushtë e familjeve të tyre për faktin se , edhe të akuzuarit / të dënuarit eventual / si dhe familjet po detyrohen të shkojnë në një vend tjetër, disa mijra kilometra larg, pa vullnetin e tyre dhe në kundërshtim me Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe konventat për të drejtat e njeriu të personave të privuar nga liriat. Është një praktikë pozitive dhe afirmative ndërkombëtare që personat e privuar nga liria dhe ata të dënuar e gëzojnë të drejtën të jenë sa më afër vendit ku jetojnë dhe sa më afër familjeve të tyre . Këtë e parasheh edhe Ligji për Sanksione Penale i Kosovës dhe në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje flagrante të këtyre të drejtave dhe LESP-it. Nuk është njëjtë për një të akuzuar apo të d ënuar ta vuani burgun në Dubravë apo Gërdoc apo të jeni në Sheveningen të Hagës. Nëse Gjykata , në bazë të provave merr vendim dënues atëherë kjo nuk nënkupton që gjatë tërë kohës së dënimit të dënoheni duke u detyruar të qëndroni me mijëra kilometra larg familjes. Ky është dënim sidomos për anëtarët e ngushtë të familjeve të personave të akuzuar potencial dhe atyre që dënohen që, për shkak të largësisë së madhe dhe shpenzimeve nuk do të jenë në gjendje të bëjnë vizita të rregullta me ç’rast edhe shkëputen lidhjet familjare duke shkaktuar një tronditje të mjedisit social.

Pikërisht , për të ruajtur kontaktet e rregullta me familje , shumë shtet kanë nënshkruar marrëveshje për lejimin e mundësisë që shtetasit e një shteti të dënuar në një shtet tjetër të kenë të drejtën të riatdhesohen në shtetin e origjinës ku do të vazhdojnë ta vuajnë dënimin , afër familjeve të tyre .

Nëse Dhomat e Specializuara në çdo përpjekje të kontestimit nga autoritetet vendore thirren në faktin se kjo Gjykatë është themeluar dhe votuar në Kuvendin e Kosovës nga deputetë të këtij Kuvendi atëherë duhet ta respektojnë faktin se edhe Ligji Nr. 05/L – 054 gjithashtu është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës . Dhomat e Specializuara janë votuar në Kuvendin e Kosovës në kushte të shantazhimit , frikësimt dhe terrorizimit të deputetëve dhe, përkundër këtyre fakteve , Gjykata Speciale e konsideron veten legale sikur të ishte themeluar në kushte të një relaksimi ekstrem atëherë duhet ta ketë të qartë se edhe Ligji Nr. 05 /L – 054 është votuar me vullnetin e deputetëve të Kosovës, pa iu nënshtruar asnjë presioni. Presioni që i bëjnë Dhomat e Specializuara autoriteteve përgjegjëse të fondit për ndihmë financiare të akuzuarve potencial dhe familjeve të tyre është jashtë kompetencave të kësaj Gjykate dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punët e institucioneve të një shteti sovran dhe të pavarur. Arsyetimi se kjo bëhet për të eliminuar mundësitë që përmes këtyre fondeve të blihet heshtja e të dyshuarve dhe dëshmitarëve është sajim që i ngjanë një përralle që detyroheni t’i besoni sepse kjo përrallë tregohet nga i forti e që nuk guxon të kundërshtohet. Nëse formimi i dhunshëm dhe i imponuar i kësaj Gjykate është bërë sipas parimit se rasti i Kosovës qenka rast ‘sui generis’ pse atëherë edhe ky ligj për përkrahje të mos llogaritet si rast ‘sui generis’?!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, pas krijimit të rrethanave të reja ku, si të ftuar të Gjykatës Speciale po ftohen qindra të dyshuar dhe dëshmitarë do të kërkojë nga qeveria e re e Kosovës të rrisë buxhetin për mbrojtje të akuzuarve potencial si dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve të familjarëve të ngushtë në mënyrë që të kenë mbrojtje cilësore si dhe që familjarët të kenë mundësi të janë pranë familjarëve të tyre në të gjitha fazat e procesit ndaj tyre. Kjo është e drejtë elementare e njeriut e që çdo qeveri e ka detyrim ta respektojë dhe ta përmbushë këtë të drejtë. Po të faturoheshin shpenzimet për mbrojtje të të akuzuarve potencial dhe të gjitha shpenzimet për familjarët e ngushtë të këtyre personave në adresë të Dhomave të Specializuara, numri i të ftuarve do të ishte më i vogël. Qeveria e Kosovës , me kohë është dashur të refuzojë çdo faturë financiar e për ata që arrestohen dhe dërgohen dhunshëm, kundër vullnetit si dhe kundër të drejtave të njeriut, në shtetet tjera, mijra kilometra larg Kosovës. Tash, këto fatura duhet t’i paguaj Kosova në mënyrë që prokurorët dhe gjykatësit, stafi administrativ dhe gardianët e Dhomave të Specializuara e që një numër jo i vogël i tyre ka parazituar nën UNMIK-un dhe EULEX-in, të jetojnë dhe ‘punojnë’ në kushte sa më komode.

Deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës duhet ta bëjnë plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në mënyrë që të përfshihen për trajtim të gjitha rastet e dyshuara për krime lufte pa bërë asnjë dallim në baza etnike, moshore , fetare , racore , bindjeve politike , statusit në shoqëri etj. Nëse vërtetë është themelues i Dhomave të Specializuara. Në të kundërtën duhet të kontestohet formati dhe përmbajtja e punës së kësaj Gjykate.

KMDLNj mendon se protestat e paralajmëruara janë protesta të vonuara të cilat, as nuk e frikësojnë Gjykatën Speciale që nuk e ka selinë në Klinë por në Hagë e as që i ndihmojnë dëshmitarët e ftuar apo të dyshuarit të cilët, edhe ashtu nuk kanë mbrojtje nga askush , apo kanë mbrojtje për aq kohë sa ka nevojë Gjykata për ta dhe pastaj lihen në mëshirën e fatit, sikur deri më tani”, reagimi i plotë i KMDLNJ-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme