Maqedonia e Veriut në pritje të protokolleve për anëtarësim në NATO

09:17 | 24 Tetor 2019
A. B.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut besojnë se së shpejti do të përfundojë ratifikimi i protokollit për anëtarësim të vendit në NATO nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, që shihet si inkurajim pas dështimit për marrjen e datës së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Obligimi ynë si qeveri është që të sigurojmë apo rrumbullakojnë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Është mëse e qartë se kjo do ndodhë, është çështje kohe kur protokolli do të miratohet nga të gjitha vendet anëtare. NATO-ja na jep siguri dhe stabilitet, të sigurojmë të ardhmen për të rinjtë. Nuk do të kemi më ato dilemat më të cilat gjeneratat më parë janë përballur. S’ka dilema se Maqedonia e Veriut ka të ardhme të sigurt dhe me perspektivë”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska, e cila drejton edhe dikasterin e Mbrojtjes.

Vlerësimet janë dhënë pas ratifikimit të protokollit nga Senati Amerikan duke e çuar në 25 numrin e shteteve që kanë mbyllur këtë proces.

Ambasadorja amerikane, Kate Byrnes ka shkruar në “Twitter” se ratifikimi i protokollit është rezultat i punës së mundimshme dhe përkushtimit që të investohet tek e ardhmja. Me padurim pres vazhdimin e zhvillimit dhe forcimit të partneritetit mes dy vendeve tona”.

Protokolli ishte mbështetur nga 91 senatorë, ndërsa 2 ishin kundër.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe katër të tjera që Maqedonia e Veriut përfundimisht të jenë anëtarë e plotfuqishme e Aleancës Veriatlantike. Drejtuesit e institucionet nuk shohim pengesa që këtë ta bëjnë edhe Holanda, Islanda, Franca e cila ka kaluar fazën e parë dhe Spanja ku procedura mund të zgjatet për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen atje në dhjetor.

“Pra, kanë mbetur edhe disa shtete që të përfundojnë ratifikimin dhe kjo nuk besoj se ka lidhje me Samitin e Londrës që përflitet në opinion se do të ishte dështim për vendin nëse nuk arrihet që vendi në këtë Samit të merr pjesë si anëtare e plotfuqishme e NATO-së. Ky samit nuk ka të bëjë anëtarësimin e vendit tonë, por me shënimin e 75 vjetorit të themelimit të Aleancës Veriatlantike”, ka deklaruar Dane Talevski, koordinator nacional për NATO-n.

Edhe opozita ka shprehur mbështetjen për mbylljen e procesit të anëtarësimit në NATO, por dyshon nëse kjo do të arrihet shpejtë për shkak të zhvillimeve politike para se gjithash në Spanjë. OBRM-PDUKM-ja ndërkohë ka vazhduar me kritikat sa i përket Marrëveshjes së emrit me Greqinë duke e quajtur të dëmshme për interesat nacionale.

“Nuk ka dilema se përmbajtja e Marrëveshjes së Prespës është katastrofale dhe e dëmshme për interesat nacionale, por në anën tjetër gjithashtu me duhet të theksoj se mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe këtë mbështetje e japin të gjitha partitë pa përjashtim”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga OBRM-PDUKM-ja.

Megjithatë, partitë në pushtet kanë rikujtuar opozitën se pa marrëveshjen me Greqinë anëtarësimi në NATO do të jetë i pamundur dhe dëshmi për këtë janë vetot greke ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut që nga Samiti i Bukureshtit në vitin 2008.

Procesi i përmbylljes së anëtarësimit në NATO ndërkohë mbështetet fuqishëm edhe nga të gjitha partitë politike shqiptare ndërsa në të gjitha anketat që janë zhvilluar, shqiptarët janë mbështetësit më të fuqishëm edhe për integrimin e vendit në BE./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme