Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut, nis beteja për votën e shqiptarëve

19:18 | 23 Tetor 2019
Arbresh.info

Edhe pse zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut u caktua të mbahen pas 6 muajsh ( në 12 prill 2020), beteja për votën e shqiptarëve ka nisur tashmë mes krerëve të dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.

“Mbrëmë isha në Gostivar ku për kënaqësinë time të madhe, një pjesë e madhe e qytetarëve në Gostivar, që nuk janë maqedonas etnikë, por janë turq dhe shqiptarë, u ngritën nga lokalet ku po pinin kafe që të më përshëndesin; një pjesë e tyre edhe më përqafuan e disa më thanë se në të ardhmen do të më mbështesin mua dhe VMRO-DPMNE-së sepse janë të zhgënjyer nga ajo që kanë përjetuar në të kaluarën si nga partitë shqiptarë po ashtu edhe nga LSDM-ja e drejtuar nga Zoran Zaev”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Këtyre pohimeve iu përgjigj me ironi kundërshtari politik i Mickosksit, kryeministri dhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev.

Ai tha se Mickoski me siguri është përqafuar me Arben Tarvarin nga Aleanca për Shqiptarët, por ndoshta se ka njohur se është Kryetari i Komunës.

“U tha në mënyrë precize që ai, ose ka qenë z.Taravari ose nuk e ka njohur që është z.Taravari ose është ndonjëri i kabinetit të tij më të cilin kanë bashkëpunim serioz. Po, ai mund të përqafohet me dikë më të cilin bashkëpunon direkt”, theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaevi, raporton TV 21.

Vetë Taravari, që vjen nga radhët e ASH-së i tha TV21 se është i befasuar nga fjalët e Zaevit, dhe sqaroi se askush nga stafi i tij nuk ka qenë në atë takim dhe nuk është përqafuar me Mickoskin. Kryetari i komunës së Gostivarit sakaq shtoi se përsa I takon koalicioneve, të gjitha mundësitë mbeten të hapura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme